OBSh: Covid-19 e ka penguar shërbimin mjekësor për pacientët me kancer dhe diabet

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shërbimet mjekësore për pacientët me kancer, diabet, sëmundje të zemrës dhe sëmundje të tjera jongjitëse janë penguar shumë në mbarë botën nga pandemia e koronavirusit.

Në më shumë se gjysmën e vendeve që u përfshinë në këtë hulumtim ose në 53 për qind të tyre, pandemia i ka penguar shërbimet mjekësore për trajtimin e shtypjes së lartë të gjakut, shkruan “The Guardian”.

Në 49 për qind të shteteve kishte pengesa në shërbimet për pacientët me diabet dhe me ndërlikime të lidhura me këtë sëmundje, ndërsa në 42 për qind të shteteve pati pengesa në shërbimet mjekësore për pacientët e sëmurë me kancer.

Arsyeja më e shpeshtë për ndërprerjen e shërbimeve të tilla mjekësore ishte anulimi i trajtimeve të planifikuara, rënia e linjave të transportit publik dhe mungesa e stafit mjekësor për shkak se një pjesë e tij është angazhuar për t’i trajtuar pacientët me Covid-19.

Sipas sondazhit të kryer në 155 shtete, organi i OKB-së zbuloi se efekti i koronavirusit është ndier më së shumti në vendet që kanë popullsi më të varfër.