Në Klinikën e Neurokirurgjisë të QKUK-së, pacientes i hiqet me sukses tumori që i kishte verbuar syrin

Pacientes K. R (1964 ), i ishte verbuar syri i djathtë si pasojë e një tumori të bazës së trurit. Tumori, pacientes i kishte verbuar syrin e djathtë.

Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, përmes së cilit thuhet se pas përgatitjes pre-operatore, më datë 21.11.2018, pacientja është operuar në Klinikën e Neurokirirgjisë nga tumori i bazës së kokës me diagnozë Tu frontobasalis-Meningioma tubercullum sellae (tumor i regjionit ballor të bazës së trurit) që është një rast shumë sfidues për nga aspekti neurokirurgjik.

Po sipas njoftimit, operimi ka zgjatur 9 orë, me ç’rast masa tumorale është larguar në tërësi.

“Kështu, pacientja post-operativisht është pa deficite neurologjike evidente. CT e kokës kontrolluese është realizuar dhe është pa mbetje tumorale. Pacientja është hospitalizuar në klinikë, pasiqë e njëjta ka pasur vështirësi në të pamur dhe i ishte verbuar syri i djathtë. Me imazheri radiologjike (MRI) është diagnostikuar shkaktari”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se në aspektin shkencor, tumoret e tilla për nga natyra janë beninje, por lokalizimi i tyre është “malinj”.

“Rasti në fjalë është tejet sfidues për operim edhe për qendrat më të sofistikuara botërore andaj kjo e bënë qendrën tonë të veçantë. Të gjitha strukturat vaskulare dhe nervore të bazës së trurit kanë qenë të involvuara nga masa tumorale. Vlera e operimeve të tilla në institucione jashtë vendit është 60.000 – 80.000 euro”, përfundohet në njoftimin e ShSKUK.