Me gjithë pengesat nga Serbia, Kosova anëtarësohet në Komitetin e Mjekëve Evropianë

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se Asambleja e Përgjithshme e Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Evropianë ka miratuar anëtarësimin e Republikës së Kosovës, të përfaqësuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, si anëtare vëzhguese, me status të barabartë me të gjitha shtetet që nuk janë anëtare të BE-së.

OMK nëpërmjet një komunikate thotë se përkundër vështirësive, sfidave dhe pengesave në këtë proces, puna, mundi dhe angazhimi i OMK-së ka sjellë rezultat konkret në forcim të përfaqësimit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve me organizatat simotra.

Image

“Shfrytëzojmë rastin që t’i falënderojmë të gjitha delegacionet e shteteve që kanë përkrahur anëtarësimin tonë në këtë organizatë ndërkombëtare. Po ashtu falënderojmë institucionet shtetërore të Republikës Kosovës, që kanë dhënë përkrahjen për pjesëmarrje në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Përndryshe, dje Oda e Mjekëve ka njoftuar se Serbia po pengon anëtarësimin e OMK-së në Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropianë, duke kërkuar që në takimin e sotëm mos të shqyrtohet kërkesa e OMK-së për anëtarësim.