Kosova me plan veprimi për zvogëlimin e përdorimit të antibiotikëve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ka nënshkruar Planin e Veprimit për Rezistencë Antimikrobike, i cili, sipas tij, ka për synim të ulë përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve nga qytetarët e Kosovës.

Sipas Ismailit, ky plan “do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha spitalet publike, partnerët shëndetësorë, veterinarë e mjedisorë, për të ulur rezistencën ndaj antibiotikëve dhe për të rritur sigurinë shëndetësore të popullatës”.

Sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat ndërkombëtare, Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të përdorimit të disa llojeve të antibiotikëve dhe me numrin pothuajse më të madh në Evropë me shkallën e konsumit të antibiotikëve të përgjithshëm.

Ndërkaq, Kosova zë vendin e parë në Evropë kur bëhet fjalë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh).

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova radhitet në vendin e 19-të sa i përket përdorimit të antibiotikëve.