Ja si të mbani trupin tuaj në formë me ndihmen e X -Trailers

Në ditët e sotme kur jeta është bërë shumë dinamike, dhe njeriu përplaset me situata të llojllojshme duke përfshirë këtu dhe ato të pakëndshme dhe të vështira, kërkohen mundësi për një stil më të mirë jetese dhe për mbrojtje të shëndetit.  Disa prej vlerave të dobishme shëndetësore për jetën e njeriut konsiderohen aktivitetet fizike si vrapimi, frekuentimi I palestrës, ecja etj.

Vrapimi është prej sporteve që praktiohet nga të gjitha gjeneratat, e ajo cfarë rekomandohet për efekte më pozitive shëndetësore sigurisht është që kjo të bëhet në natyrë. Ndaj një prej grupeve që tash e 10 muaj dalin në parkun e Gërmisë është X-Trailers. Ata tre herë në javë vrapojnë rreth 10 km, dhe së shpejti do vijnë me orar të ri ku do të shtojnë ditët e vrapimit. Një ndër bashkthemeluesit e X trailers Burim Mehmeti, tregon për themelimin dhe qëllimin e grupit.

“Klubi “XTrailers – fun run” është një lloj organizate popullore që po përhapet mes adhuruesve të vrapimit. Fryma e themelimit të këtij klubi është e ndërtuar mbi konceptin e sportit, veçanërisht vrapimit si bazë për kulturën shoqërore dhe shëndetin publik. Po e theksoj një thënie të një njeriu që s’ka bërë sport kurrë në jetën e vet, Ëinston Churchill i cili thotë: “Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal vetëm kurajoja për të ecur përpara është ajo që bën dallimin”. Ne e kemi bërë dallimin, tani jemi në fazën kur mund të numërojmë arritje, mund të themi se kemi arritur suksese dhe mbi të gjitha kemi energjinë, motivin dhe kurajon të vazhdojmë përpara, për të promovuar vlera të sportit dhe ndikimin e tij në cilësinë e jetës shoqërore në komunitetin tonë.” Ai shtoi se “XTrailers – fun run” do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe do të kontribuojë në rritjen e frymës së sportit duke i nxitur qytetarët të iu bashkangjiten në këtë rrugëtim.

Motivimi është nje prej elementeve kryesore për të praktikuar vrapimin,ndaj dhe një nga anëtarët e X-Trailers Rron Dushullovci vecon këtë element duke theksuar dhe të mirat shëndetësore që ka përfituar.

“Ajo çfarë do të ndaj me ju është se si për pak kohë humba 28kg. Në të vërtetë më ka penguar ajo peshë por që më duhej një motiv që me plotkuptimin e fjalës e them që X Trailers ma kanë ofruar dhe sot kur shoh këtë ndryshim dhe bëjë krahasime nëpërmjet fotografive sigurisht e ndi veten me fat që jam pjesë e këtij grupi.” Ai tha se prej kur është bërë pjesë e grupit ka qenë pjesëe garave dhe maratonave të ndryshme.

Gjithashtu, Rroni shtoi se Gupi,  “XTrailers – fun run” po rritet çdo ditë e më shumë duke reflektuar seriozitet në organizim të aktiviteteve, pozitivitet, motivim, socializim dhe inkurajim të qytetarëve që të vrapojnë për një jetë të shëndetshme.

Në klub anëtarët vrapojnë bashkë, inkurajojnë njëri- tjetrin dhe ndajnë informacione për aktivitete sportive.

Përvec vrapimit, viteve të fundit për një shëndet të mirë, por dhe linja të bukura trupore po I kushtohet rëndësi edhe fitnessit, madje për shumë kënd frekuentimi I palestrës është bërë pjesë e jetës.

E rëndësishme mbetet gjithmonë konsultimi me trajnerët, në mënyrë që të mos kenë ndonjë lëndim dhe që secili ushtrim të bëhet në mënyrën e duhur. Trajneri Gen Zeqiraj tregon për përgatitjet që duhet bërë para ushtrimeve por dhe kobinimin dhe ndarjen e ditëve që duhet të bëni në palestër.

Sipas tij fillimisht, duhet kushtuar rëndësi ushqimit të shëndetshëm duke theksuar se ushtrimet fizike janë të domosdoshme për një jetë të shëndetshme.

“Rekomandohet që para se ta krijoni një plan ushtrimor, fillimisht të konsultoheni me instruktorin e fitnesit ose trajnerin personal, sepse vetëm atëherë efiçienca e ushtrimeve do të jetë 100%.

Personat të cilët s’kanë peshë të tepërt, por duan ta formësojnë trupin, është e rekomandueshme t’i përmbahen kësaj rutine ushtrimore:

E hënë: Gjoks/Triceps – Bëni nga 4 ushtrime me 12 përsëritje me peshën që mund ta ngritni, ndërsa pushoni 40 sekonda mes ushtrimeve

E marte: Shpinë/Biceps – Bëni nga 4 ushtrime me 12 përsëritje

E mërkure: Kardio – Bëni ushtrime kardio për një orë

E enjte: ‘Leg day’ (ushtrime të këmbëve) – Bëni 7 ushtrime, me 1 minutë pushim mes ushtrimeve

E premte: Krah – Bëni 4 ushtrime me 12 përsëritje, me 40 sekonda pushim mes ushtrimeve

E shtune: Kardio – Bëni kardio 40 minuta dhe ushtrime të barkut

Ndërkaq, sipas trajnerit Zeqiraj personat të cilët janë mbipeshë duhet të bëjnë më shumë ushtrime ‘CrossFit’, pra ushtrime kryesisht me peshë të trupit. “Në këto ushtrime hynë në funksion i tërë trupi në super-seta, ndërsa edhe pauza është më e shkurtër, diku rreth 15-20 sekonda në mes ushtrimeve. Personat mbipeshë gjithashtu duhet të bëjnë kardio çdo ditë, ku unë preferoj 10 seri nga 20 sekonda sprint në shirit vrapues (treadmil), me pauzë 60-sekondëshe. Shpejtësia e vrapimit le të jetë 9.5, ndërkaq pjerrtësia (Incline) 7. Personat mbipeshë gjithashtu duhet të ushqehen shëndetshëm.”

Secili nga ne dëshirojmë të kemi një trup të bukur , kështu vrapimi në natyrë dhe kombinimi ushtrimeve fizike me ndihmën e trajnerit mbetet një zgjidhje e mirë për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë në rend të parë një jetë të shëndetshme, e po ashtu një fizik të bukur./BesaToverlani/