Ish-ministri Rrahmani i kundërpërgjigjet Ismailit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i është kundërpërgjigjur me disa pyetje ministrit aktual Uran Ismaili, që në Puls të KTV-së tha se partia e Rrahmanit, LDK-ja, është fajtore për shkatërrimin e shëndetësisë në Kosovë.

Ismaili tha se duhet të bëhen të gjithë bashkë vetëm që më LDK-ja të mos e udhëheqë shëndetësinë, teksa Rrahmani i është përgjigjur duke thënë se PDK-ja ka shkatërruar çdo proces në këtë sektor.

Rrahmani në Facebook ka postuar 14 pyetje për ministrin Ismajli.

“Tash e paska tepruar Ministri Ismajli.

Kisha pas dëshirë të na përgjigjet në disa pyetje:

1. Pse nuk u procesua në Kuvend Ligji për Sigurime Shëndetësore edhe pse Ishte i gatshëm drafti për Plotësimin dhe Ndryshimin e këtij Ligji?

2. Pse u pengua dhe e vonua procesi i tenderimit të SISH-it dhe u humbë një vit?

3. Çka po ndodh me donacionet e Lux- Dev-it?

4. Në cilën fazë të implementimit e gjetët projektin e Mjekimit Intensiv Qendror?

5. Pse u dëmtua në përmasa kriminale Projekti i Spitalit të Ferizajt me ndërrimin e lokacionit (të gjitha procedurat i keni gjetur të përfunduara)?

6. A jeni në dijeni që ne e kemi kaluar në Këshillin për Investime Strategjike, Projektin për aparaturë në SHSKUk në vlerë 50 milion.

7. Pse e keni kthyer dializën së paku dhjetë vite mbrapa dhe kush do të kujdeset për mirëmbajtjen e aparaturës për dializë?

8. Sa keni harxhuar për Insulina? Pse u shumëfishuan harxhimet për insulina?

9. Pse edhe me dhjetë milion më shumë buxhet keni shumë më pak barna në institucione shëndetësore?

10. Sa procedura tenderuese për barna kanë përfunduar në procese gjyqësore nga koha kur ju e keni marr Ministrinë?

11. A jeni në dijeni se shëndetësia është shumë më shumë se QKUK?

12. A jeni të informuar se ne i bënë ODAT, për hir respekti Ligjin e bëri Ministri Agani?

13. A ju than se ne kemi rilicencuar për herë të parë punëtorët shëndetësorë, zbërthyem Ligjin për Sigurime dhe themeluam Fondin?

14. Që e bëmë funksionale Kardiokirurgjinë dhe vendosëm themelet e kardiologjisë invazive, sigurisht më e dini, sepse a nuk ju shkoj mandati duke u sjell vetëm nëpër të?

Ne ju kuptojmë, jeni në hall! Edhe pak dhe do ju del boja “filmave” me aparate megapixelshe dhe “like-ve” të sponzoruara!

Deri atëherë ju garantoj se edhe mantelbardhët edhe qytetarët e dinë se ju, respektivisht PDK është ajo që pothuajse tërë pasluftën ka kontrolluar tërë aparatin menaxherial profesional dhe atë akademik brenda shëndetësisë, duke shkatërruar çdo vlerë dhe çdo proces që assesi nuk mund të rregullohen edhe për shumë vite, e aq më pak nga veprime sipërfaqësore dhe pa asnjë vizion”, ka shkruar ai në Facebook.