Ethet e minjve, IKSHP del me rekomandime

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se këtë vit një rast i raportuar nga Klinika Infektive është në gjendje të rëndë klinike si pasojë e etheve të minjve.

Në një komunikatë për media, thuhet se IKSHP po e përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve.

Sëmundja e theve të minjve përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt.

Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës. Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Nëse të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë, mund të paraqiten komplikime si bllokimi i veshkave.

Masat parandaluese janë pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane,  ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve, përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë,  frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar, djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos të konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar.

Po ashtu, gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve, larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies, shmangia e hedhjes kudo të mbeturinave, të bëhet klorimi i ujit të pijes, zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve dhe të bëhet dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.

Ndryshe, rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse.