Beogradi ngre alarmin për mungesë ilaçesh në Veri, ndonëse në Kosovë janë me bollëk

Ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, i ka thënë sot RTS-së se në qendrat shëndetësore në Kosovë (e ka fjalën për pjesën veriore – v.j) ka ilaçe në sasi të mjaftueshme, porse do të ketë problem të madh nëse Prishtina nuk ndërpret taksat ndaj importit nga Serbia, transmeton Koha.net.

Llonçar ka kritikuar organizatat ndërkombëtare, si Mjekët pa kufij, të cilët janë kujdesur nëse ka ilaçe të mjaftueshme për migrantët që kalonin nëpër Serbi, ndërsa tash s’e kanë çelur gojën për serbët në Kosovë.

Por, drejtoresha e barnatores “Kosovska Mitrovica”, Lilana Delibashiq, i ka thënë RTS-së se situata në barnatore është alarmante.

Beogradi ka ngritur alarmin për gjoja mungesë ushqimesh e barërash në pjesën veriore të Kosovës, thuajse këto deri merreshin falas nga Serbia, ose se tani nuk mund të furnizohen njësoj si pjesët e tjera të Kosovës, ku nuk hetohet ndonjë krizë furnizimesh pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, rikujton Koha.net.