AGK: Të ndalen kërcënimet për stafin e Barnatores Qendrore të QKUK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) thotë se e ka marrë me shqetësim njoftimin se drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Basri Sejdiu, ka kërkuar zbulimin dhe dënimin e personit që ka bashkëpunuar me gazetaren e Kohës Ditore, Drenusha Maxhuni, pas publikimit të videos së vërshimeve ku faktohen kushtet jashtëzakonisht të këqija të mbajtjes dhe ruajtjes së barnave në Barnatoren Qendrore në QKUK.

“Ky fakt paraqet censurë dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe ndikon drejtpërdrejt në punën e medieve. Duke u shkaktuar kështu pengesa në marrjen e informacioneve, në kohën kur institucionet çdo ditë e më shumë po vazhdojnë të mbyllen për publikun. Një gjë e tillë bie në kundërshtim edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ligj ky i cili, sapo është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që brenda tetë ditëve të hyjë në fuqi”, thuhet në njoftim të AGK-së.

kujton se ky ligji mbron të gjithë sinjalizuesit dhe obligon institucionet e Kosovës që të ofrojnë hapësira për sinjalizimin. Në të kundërt, mos respektimi i neneve të këtij ligji përbënë vepër të sanksionueshme.

“AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjitha institucioneve dhe beson në parimet bazë të profesionit, mirëpo, po ashtu punon që të siguroj një ambient të favorshëm për gazetarët në ushtrimin e punës së tyre profesionale. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se ky shqetësim do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë palët”, thuhet më tej në reagimin e AGK-së.