Aborti në klinika private të ndalohet me ligj

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKU çdo javë paraqiten 3-4 kërkesa për abortet në Kosovë. E përkundër kësaj, shteti i Kosovës nuk ka të dhëna se sa aborte kryhen.

Kështu bëri te ditur gazetarja Leonora Aliu me rastin e publikimit të të gjeturave të hulumtimit “Tregtia me abortet”.

Ajo tha se gjatë hulumtimit ka gjetur se bëhet një lloj tregtie me abortet.

“Prej 40 mjekëve në Klinikën e Gjinekologjisë të gjithë kanë ordinanca private dhe vajzat kanë rastisur në raste kur mjeku u ka thënë të shkojnë në ordinancat private”, tha ajo.

Ajo tregoi se si në disa barnatore, kryesisht në periferi të kryeqytetit, ka blerë 53 copë Citopek, që është shumë i rrezikshëm nëse jepet pa recetë te mjekut.

Kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve Shefqet Lulaj, tha se nuk i pëlqen motoja “Tregtia me aborte”, teksa tha se në gjetje ka realitet, por pasqyrohet edhe ana e mirë.

“Aborti lejohet deri në javën e 10 të barrës, normal me kërkesë të gruas. Është fakt se nuk respektohet ajo periudha paraprake për konsultë paraprake. Kjo është neglizhencë e ligjit”, tha ai.

Përpos ndërprerjes të vullnetshme, deri në javën e 10-të Lulaj tha se është e mundshme që shtatzënia të ndërpritet  edhe pas javës së 10-të, porse shtoi se duhet të adresohet fillimisht në komision.

Sa i përket mungesës së dokumentacionit, ai tha se Klinika e Gjinekologjisë i ka të gjitha të dhënat. Sipas tij, aborti është rreziku më i madh për trupin e gruas

. Deputetja Teuta Haxhiu u shpreh se është e shqetësuar për shëndetin e atyre vajzave dhe grave që kryejnë aborti n. “Duhet të punohet më shumë që të ketë edukim seksual nëpër shkolla. Nuk janë ligjet që janë të këqija, Kosova nuk vuan në këtë aspekt, por vuan në zbatimin e tyre”, u shpreh ajo.