Përkrahja e të rinjve ndërmarrës, prioritet i Ministrisë së Inovacionit

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj gjatë një takimi sot me drejtorin e Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli, ka biseduar për bashkëpunim në fushën e përkrahjes së të rinjve dhe grave ndërmarrëse, me qëllim të fuqizimit ekonomik të tyre dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Beqaj është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Bankës Botërore në projektin “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”, duke thënë se Ministria e Inovacionit do të jetë partner kryesor i BB-së për këtë projekt.

“Përkrahja e të rinjve ndërmarrës dhe fuqizimi i tyre ekonomik është prioritet i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pasi Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve që do të jetë shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik të bazuar në ekonomi të dijes”, tha ministri Beqaj.

Qëllimi i projektit “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”, është fuqizimi ekonomik i të rinjve dhe krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i përfshirjes sociale dhe ekonomike i grave nga të gjitha rajonet e Kosovës nga mosha 16 deri në 29-vjeç.

Ndryshe, në takim mori pjesë edhe Gloria La Cava, udhëheqëse e ekipit nga Washingtoni, për projektin “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”.