Xhihadi i Ekselencës së Tij

Sulejman Rexhepi

Lufta është përplasje e dy forcave: e forcës për liri dhe e asaj për pushtim, nënshtrim, robëri. Pushtimi apo, nënshtrimi, apo robërimi, prodhon terror, dhunë, masakër, shovenizëm, racizëm. Këtë spektër të veprimeve antinjerëzore, si asnjë popull tjetër në Ballkan më së gjati dhe më së shumti e përjetoi populli shqiptar. Në ish-Jugosllavi të gjithë popujt federativë ishin në aleancë kundër popullit shqiptar, pra edhe populli maqedonas, i cili, për hir të së vërtetës, kësaj aleance i ishte bashkangjitur për shkaqe ideologjike si rrjedhojë e trungut të përbashkët gjenealogjik.

Në sistemin komunist shqiptarët luftoheshin si “armik i brendshëm”. Në emër të kësaj lufte shqiptarët pësuan dhunë e terror të paparë, ndërsa ushtruesit e këtij terrori asnjëherë nuk u kualifikuan si terroristë por vlerësoheshin si mbrojtës të ideologjisë komuniste. Pikërisht, kjo ideologji fenë e konsideronte “opium”, ndërsa fetarët e devotshëm i shihte si njerëz të prapambetur, arkaikë dhe, si të tillë, barrë e papërballueshme për komunistët.

Meqë bartës të  kësaj ideologjie ishin kryesisht sllavët, populli shqiptar me kohë kishte krijuar një mekanizëm  absolutisht refuzues kundër çdo pikëpamje komuniste, pra, edhe kundër vlerësimit të tyre se feja ishte “opium”. Për shqiptarët, pikërish feja u bë një beden i patejkalueshëm i përpjekjeve të ndërtimit të njeriut të ri, “me identitet kombëtar komunist”. Shqiptarët mbetën shqiptarë dhe vetëm si shqiptarë u luftuan, madje qindra vite edhe para komunizmit, sepse, shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me robërim, gjithnjë u sakrifikuan për liri dhe të drejta.

Ky konstatim i drejtë i përligj dhe i ngulfat të gjitha ata zëra që trumpetojnë se shqiptarët po luftohen sepse i përkasin fesë islame dhe se janë armiq të megalomanive sllavo-ortodokse. Shqiptarët janë sakrificë e aspiratave kombëtare të parreshtura për liri, barazi dhe trajtim njerëzor (vlerë kjo e sistemit shoqëror demokratik).

Mosnënshtrimi prodhon urrejtje patologjike, kjo urrejtje prodhon gatishmërinë për krim, kjo gatishmëri prodhon terrorin, spastrimin etnik, gjakimin e zhdukjes së një populli të tërë në emër të luftës për ngulfatjen e padëgjueshmërisë, rrebelimit, kryengritjes, demonstratave, protestave, angazhimeve militare për të drejta dhe barazi e deri në vetëpërcaktim. Kjo është aryeja se pse Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, rezultat ky i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për t’u çliruar nga robëria serbe. Në fakt, njohja e Kosovës nga ana e Serbisë do të ndodh në atë moment kur do të pushojë urrejtja patologjike serbe kundër shqiptarëve.

Filiale të këtij laboratori që prodhon urrejtje antishqiptare shtrihen, mjerisht, edhe në Maqedoni. Maqedonia assesi të shkëputet nga ai përbetim kolaboracionist kundër qenies shqiptare. Paramendoni, përkundër tërë përkushtimit të sinqertë shqiptar, politikbërësit e pushtetit aktual përfaqësuesit shqiptarë në Parlament do t’i quajnë “indianë” (indianci) dhe, bashkëpunimin me shqiptarët do ta konsiderojnë si “mallkim nga Zoti”!

Për t’u çliruar nga ky mëkat (sepse mallkimi vjen vetëm pas çasteve të mëkatshme), atëherë duhet të ndërpritet bashkëjetesa me “indianët”, duhet të shtypen sa më shumë, duhet të keqtrajtohen, të konsiderohen gjithnjë si qytetarë të rendit të dytë e të tretë, me aq të drejta sa i përkasin vetëm komunitetit bujkrob.

Filialet arkaike të politikës bashkëkohore serbe mendojnë se kjo politikë mund të jetë e zbatueshme vetëm duke iu bashkangjitur koalicioneve të formuara për ta luftuar “muxhahedinin”, “Islamin radikal”, “terrorizmin islamik”  dhe, së fundmi, “xhihadin”! Dikush mendoi se, duke ua luftuar fenë shqiptarëve të Maqedonisë, shumë më lehtë është të ngulfaten kërkesat e tyre kombëtare, sepse “aleanca antiislamike” është shumë e gjerë, shumë e fuqishme dhe e patolerueshme.

Por, a do të pranonte aq lehtë Perëndimi që terrori kundër shqiptarëve (terror është edhe diskriminimi politik, etnik, kulturor, gjuhësor, arsimor, ekonomik etj) të kamuflohej me petkun e kundër radikalizmit fetar islam? Jo, prandaj do ta bëhen garancë e Marrëveshjes së Ohrit, duke kërkuar dhe insistuar në mënyrë permanente në zbatimin e saj të plotë dhe në të gjitha segmentet e jetës.

Sipas pikëpamjes islame, çdo përpjekje, çdo luftë e paqtë, e mbarë dhe për të mirën e mbarë njerëzimit është xhihad. Xhihad është edhe angazhimi për ruajtjen e ientitetit kombëtar, për avansim kulturor, për përparim arsimor. Xhihad është edhe të përkujdesesh për një të varfër, pavarësisht se cilës përkatësi etnike a fetare i takon. Xhihad është edhe respektimi (deri në qiell) i çdo feje dhe i të gjitha komuniteteve fetare. Pra, xhihad është edhe ta mbroshë Islamin nga përpjekjet për ta shtrembëruar atë, sikurse është xhihad edhe të përhapësh të vërtetën për fenë Islame.

Këto ditë, nga një video e postuar nga prestigjiozja “Daily Mail”, dëgjohet Papa Françesku tek thotë, veç të tjerash, edhe këtë: “Nëse e ngatërroni Islamin me terrorizëm, unë do të nervozohem. Ky është një ofendim për myslimanët. Kurani është libër i paqes dhe feja islame po ashtu promovon vlera të paqes dhe harmonisë. Terrorizmi nuk ka fe. Ai është i tillë në çdo rast kur nuk ka humanizëm, por krime…”

Nga prizmi islam, kjo deklaratë e sinqertë e Papës pa dyshim që është një xhihad i pastër. Ky është xhihad, ndërsa terrori që bëhet në emër të feve është, thjesht, krim, akt që luftohet prej të gjithë njerëzve normal, prej të gjithë besimtarëve të devotshëm, prej të gjitha feve qiellore. Është mëkat që terroristi të quhet “xhihadist”, madje është ofendim i rëndë që i bëhet fesë islame.

Në shypin maqedonas kohëve të fundit lexojmë një terminologji të re: “xhihadistët e ISIS-it”! Tërë bota këtë “lëvizje” e ka shpallur si organizatë terroriste, atëherë, si mundet që tërroristët e saj të quhen “xhihadistë”. Mbi këtë organizatë dhe mbi kriminelët e saj tërë bota, në veçanti bota myslimane, po ushtron një xhihad të vëtetë duke i luftuar në të gjitha frontet, si në terren, në media, nëpër forume e takime, duke i zhveshur nga petku islam dhe duke i lakuriqësuar dhe duke i llogaritur pa kurrfarë hamendje si terrorist dhe e keqja më e madhe e Islamit.

Tani, cilën palë shtypi maqedonas e konsideron “xhihadistë”: kriminelët e ISIS-it apo mbarë botën që është ngritur dhe që po i lufton këta kriminelë? Kush duhet të luftohet? Këta kriminelë apo të gjith ata që duke i luftuar e duke i demaskuar këta kriminelë po e bëjnë xhihadin e vërtetë, përfshirë këtu edhe Ekselencën e tij, Papa Françeskun por edhe Presidetin amerikan, Barak Obama.

Një qasje më humane dhe më racionale e botës perëndimore ndaj islamit nis qysh me ligjëratën e Presidentit Obama mbajtur vite më parë në Kajro kur, duke iu drejtuar botës myslimane, pat thënë: “Amerika (pra Perëndimi) dhe Islami nuk përjashtojnë njëri-tjetrin dhe nuk kanë nevojë t’i bëjnë konkurrencë njëri-tjetrit.

Në realitet, ata ndërlidhen dhe ndajnë parime të përbashkëta – parimet e drejtësisë dhe përparimit; tolerancës dhe dinjitetit të të gjitha qenieve njerëzore”. Pesë vite më vonë (në shkurt të vitit 2015), në fjalimin e vet, në Samitin për luftën kundër radikalizmit dhe dhunës, organizator i të cilit ishte Shtëpia e Bardhë, Presidenti Obama do të deklaroj: “Ne nuk jemi në luftë kundër Islamit, por kundër atyre që e shtrembërojnë Islamin. Të tillët nuk janë udhëheqës fetarë por terroristë…” Pastaj Presidenti Obama do të citojë edhe ajetin kuranor “Kush vret një njeri pa të drejtë, sikur ta kishte vrarë gjithë botën”.

Dhe, vrasësit pa dyshim që duhet të vriten, mohuesit e të drejtave kolektive duhet të qortohen, “skllavopronarët” duhet të luftohen. Kushdo që solidarizohet me këto kategori është antinjeri, është katil. Për katlin është i garantua vetëm Xhehenemi. Allahu Fuqiploë thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh. (En Nisa, 93)

(Autori është Kryetar i BFI në RM)