Tragjedia në Kajmakçalan

Shkruan: Nazmi Hasanramaj – Alpinist

Vdekja tragjike e dy alpinistëve maqedon në majën Kajmakçalan në vargmalin kufitar (Gre.: Voras / Maq.: Nixha) është lajm pikëllues dhe i hidhur. Organet kompetente janë duke i zhvilluar hetimet përkatëse për ta qartësuar shkakun e tragjedisë, ndërsa në media dhe rrethet bjeshkatare dhe alpiniste në Maqedoni, janë hapur debate dhe spekulime.

Meqenëse jam njohur me njërin nga alpinistët në fjalë, ndiej nevojë që të shpreh opinioin tim por edhe të Klubit Alpin Prishtina në lidhje me rrezikun në bjeshkë, përgjegjësinë në grup, obligimet dhe autoritetin e guidës, etj.

Transverzalec ishte nisur për ngjitjen e majës Kajmakçalan sikur çdo grup i rajonit tonë; Kalina Velevska dhe Aleksandar Minovski (të aksidentuarit) ishin pjesë e grupit. Maja Kajmakçalan është maje konike dhe nuk paraqet ndonjë vështirësi teknike, përveç prominencës (konsiderohet maje e listës ultra-prominente ballkanike); por në kushte të erës 150 km/h dhe kushte dimri, çdo gjë ndryshon.

Ekipe të kërkim-shpëtimit malor nga ana Greke dhe ajo Maqedone janë angazhuar për kërkimin, gjetjen dhe tërheqjen e trupave. Tragjedinë nuk e shmangën as pajisjet e mira, as përpjekja e Guidës, as fryma sportive dhe energjia pozitive e grupit të ngjitjes prej 50 personash.

Ajo që dua ta theksoj nga ky elaborim është gjendja te ne.

Kush e kërkon/shpëton një bjeshkatar/e të humbur apo të ngecur në shkëmbinj, te ne ?
Kënd e lajmëron një i humbur apo i aksidentuar në Kosovë ?
Cilin numër e thirrë ?!

Siguria në bjeshkë është platforma bazike e gjithë aktivitetit. Për një bjeshkatar të vërtetë, jo domosdoshmërisht caku e justifikon rrezikun. Bjeshka nuk e pranon garën si koncept… nuk ekziston diçka e tillë; ekziston vetëm rekreacioni, relaksi dhe kontakti ynë me malin. Grupi i cili është në bjeshkë, në çdo situatë funksionon si një trup i gjallë; njerëzit përkrahen dhe motivohen për të vazhduar, sugjerohen ose kritikohen për të mos u sfiduar në faqe shkëmbore (sidomos nëse s’kanë përvojë dhe pajisje). Në asnjë rast nuk duhet rrezikuar jashtë programit dhe gjykimit të Guidës, sepse një ditë e mirë mund të kthehet në një ditë të keqe.

Përgjegjësia e Guidës është e madhe, dhe ka edhe elemente të përgjegjësisë ligjore; prandaj duhet të ekzistojë komunikimi i mirëfilltë në mes të grupit dhe Guidës.

Te ne, jo çdo Guidë është bjeshkatar apo alpinist, dhe ky fakt në përgjithësi e dobëson nivelin e sigurisë në bjeshkë, e shtrembëron konceptin dhe magjinë e bjeshkës, si dhe e dëmton vet kulturën bjeshkatare e cila u ndërtua me gjenerata në Kosovë.