Të anulohet procesi zgjedhor në UP

Xheladin Ujkani

1. Fatkeqësisht, nga paslufta e deri me tani, pjesë e stafit akademik të UP-së, janë bërë shumë militantë të grupeve të ndryshime të interesit, duke filluar nga ato familjare, deri te ato biznesore, mafioze, politike e parapolitike.

Kjo përbërje e re e KD-Këshillit Drejtues, tregon më së miri se njësitë akademike dhe Senati i UP-së, vazhdojnë të ndikohen dhe të kontrollohen fuqishëm nga këto klane, grupe të interesit.

2. Në këto rrethana, është pamundshme që në krye të UP-së, në pozitën e Rektorit, të vijë një personalitet meritor, i respektuar dhe i pandikuar politikisht. Pra, kjo përbërje e re nuk premton cilësi e respektim të statutit të UP-së, por premton degradim të mëtutjeshëm, duke angazhuar, zgjedhur, rizgjedhur dhe avancuar pjesën dërmuese të stafit akademik, pa plotësuar as kriteret më minimale të parapara me statut.

Une mendoj që nuk duhet lejuar që edhe më tutje të kemi asistentë e mësimdhënës me tituj të ndryshëm shkencor e akademik e të cilët realisht nuk meritojnë të jenë as pjesë e stafit akademik të UP-së.

3. Propozoj që ky proces zgjedhor në UP të anulohet dhe të pritet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme (parlamentare) në vend. Përfundimisht, duhet ti merret e drejta Senatit të UP-së që të ketë 5 anëtarë në KD-Këshillin Drejtues e po ashtu ti merret e drejta edhe MASHT-it për emërim të 4 anëtarëve.

Senati duhet të përzgjedh vetëm 4 anëtarë ndërsa pjesa prej 5 anëtarëve ti kaloj për emërim Kuvendit të Kosovës dhe këta të jenë mësimdhënës shqiptar që janë pjesë e stafit akademik të universiteteve të respektuara ndërkombëtare e po ashtu disa nga ta edhe ambasador nderi të Republikës së Kosovës. Vetëm në këto rrethana do të kishim një Rektor të pranushëm nga të gjithë.

 (Autori është Drejtor ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi – “KISCOMS”)