Si e maskon propaganda e Lëvizjes “Vetëvendosje” politikën destruktive të saj

Doracak për analizë diskursi

Shkruan: Milazim KRASNIQI
Propaganda e “Lëvizjes “Vetëvendosje!” është shumë më e rrezikshme se sa gazi lotsjellës që shkarkojnë deputetët e saj në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës e madje edhe se sa shishet e mollotovit, që gjuajnë ekstremistët e saj në drejtim të policisë së shtetit. Propaganda e kësaj lëvizjeje synon të bëjë indoktrinimin e thellë të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, me disa interpretime politike dogmatike, që i armiqësojnë shqiptarët mes vete, deri në vëllavrasje dhe që e provokojnë urrejtjen ndaj aleatëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara, në rend të parë. Propaganda e kësaj lëvizjeje ekstremiste politike manipulon me ndjenjat e qytetarëve që kanë kulturë të mangët politike, por që kanë probleme të mëdha jetësore, papunësi dhe pamundësi të vetërealizimit në jetë. “Lëvizja Vetëvendosje!” i rekruton me shumicë fanatikët e saj të dhunshëm nga kategoria e të rinjve gjysmë të shkolluar, të ardhur nga zonat rurale, të cilët e përjetojnë rëndë psikologjikisht mungesën e perspektivës dhe të cilët për shkak të formimit gjysmak, i ekspozohen tjetërsimit politik e kulturor. Në fshat nuk duan të kthehen, në qytet nuk kanë mundësi të jetojnë. Për këto arsye, ata të rinj bëhen politikisht e kulturalisht fanatikë, duke pasur një luftë të ashpër me veten e tyre, por duke e këmbyer, ndonëse vetëm përkohësisht, me një sjellje agresive ndaj Tjetrit. Pra, Tjetri është armiku, sepse strategët e kësaj propagande sektare i mëkojnë me urrejtje ndaj të tjerëve, veçmas ndaj kundërshtarëve politikë po edhe ndaj bashkësive të tjera etnike. Përdersa krahun e dhunshëm të partisë e rekruton nga kjo kategori sociale, , përpunimin ideologjik e propagandistik të këtyre ekstremistëve, “Lëvizja “Vetëvendosje!”ua ka lënë në dorë komesarëve, që i ka huazuar dhe i huazon nga radhët e pasardhësve të ish pushtetarëve jugosllavë, me perjardhje shqiptare. Me kombinimin e fanatikëve që e urrejnë shtetin e Kosovës ngase janë të bindur se nuk po ua ofron mundësinë e vetërealizimit dhe të atyre që e urrejnë këtë shtet ngase ua ka prishur idealet e baballarëve dhe të gjyshërve të tyre, “Lëvizja “Vetëvendosje!” është bërë tashmë një lëvizje ekstremiste, e cila propagandën pseudonacionaliste dhe populiste e përdorë për të fshehur objektivat e vërteta politike, që kanë të bëjnë me provokimin e dështimit të shtetit të Kosovës, për t’i hapur rrugë pastaj projektit të L.V. për gjoja bashkimin kombëtar. Po ia hoqe kuptove këtë hile që bën me propagandën e saj të zhurmshme, e ke shumë më lehtë të kuptosh politikën destruktive të “Lëvizjes Vetëvendosje!”

PROPAGANDA DREJT FASHISTIZIMIT, POLITIKA DREJT ANARKIZMIT

Caku i parë i sulmeve të propagandës së L.V. janë vetë shqiptarët, nga radhët e kundërshtarëve politikë të tyre. Në plan të parë janë disa nga figurat kryesore të qeverisë, por jo të gjithë. Seleksionimi është strikt, sepse ka zyrtarë të lartë qeveritarë, të cilëve makineria propagandistike e L.V. kurrë uk ua kanë përmendur as emrat. Seleksionimi i tillë e zbulon mungesën totale të parimësië në këtë lëvizje. Janë vetëm disa kundërshtarë që demonizohen, pra, vetëm ata që i shohin si pengesë për realizimin e taktikave të veta politike. Fjala vjen, nuk mirren me ministrat që kanë performansë më të dobët, po pikërisht me ata që kanë rzultatet më të mëdha! Kundërshtarët e tillë, pasi i etiketon me lloj lloj etiketash, pa kurrfarë sensi dhe etike, propaganda e L.V. përpiqet t’i paraqesë edhe si tërësisht të zhveshur nga çdo vlerë njerëzore. Qëllimi i kësaj propagande është zhvlerësimi total, gjë që ia jep primesat e propagandës fashiste. Në këtë kontekst propanganda e L.V. përdor etiketime si: Isa, Hashimi, Kadria, etj., pa i përcjellë me mbiemra e me funskionet që kanë, në hierarkinë e pushtetit. Ideja e kësaj propagande pra është zhvlerësimi, paraqitja sa më negative e kundërshtarëve, me çka përjashtohet jo vetëm respekti elementar, po veçmas përjashtohet mundësia e dialogut me ta. Mesazhi është që ata persona thjesht janë kriminelë, ndërsa me kriminelë nuk ka komunikim, ka vetëm eliminim. Për ta furnizuar propagandën e eliminimit, ky përdorim i zhveshur i emrave, pastaj pasurohet me lloj lloj etiketimesh negative: hajna, tradhtarë, të korruptuar, etj., me çka synohet që ata t’i ekspozohen jo vetëm urrejtjes, po mundësisht edhe reagimit të dhunshëm të masës. Vetëm në atmosferën që e ka krijuar kjo propagandë çnjerëzore, mund të kuptohen sulmet me vezë ndaj ministrave e zyrtarëve të tjerë të qeverisë nga eksremistët e L.V. Po të mos e kishte ushqyer propaganda e L.V. një urrejtje patologjike ndaj qeverisë dhe shtetit tonë, nuk do të ishte e mundshme të ndodhte ai sulm i tmerrshëm. Por, nuk do të ishte e mundshme as që djem e vajza që duken normal, të sulmonin me atë entuziazëm pervers zyrtarët e shtetit. Duke folur tërë kohën për “hajna”, për “tradhtarë” për “kriminelë”, propaganda e L.V. ka prodhuar tashmë një sasi enorme të urrejtjes ndaj bashkëkombasve, e cila shumë vështirë do të mund të kontrollohet edhe prej vetë “Vetëvendosjes!”. Propaganda e fashistizuar e L.V. në terrenin politik është e shoqëruar me një krah pothuajse i armatosur, i cili organizon sulme ndaj zyrtarëve qeveritarë dhe hedhë bomba mollotovi kundër policisë së shtetit me synimin që të shkaktojë anarki në vend.

PROPAGADNA “PËR BASHKIMIN ME SHQIPËRINË”, POLITIKA PËR NDARJEN E KOSOVËS

Propaganda e “Lëvizjes “Vetëvendosje!” është përshkallëzuar si gjoja mbrojtëse e sovraniteti të Kosovës, ndërsa politika e saj efektivisht punon për ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e pjesës së jugut të saj me Shqipërinë. Pra, propaganmda e thotë një gjë tjetër, që të tingëllojë e ëmbël në veshët e publikut, ndërsa politika e bën një gjë krejt tjetër. Pse? Sepse po të thoshte politika zyrtare e VV se është për ndarjen e Kosovës në vija etnike, ajo me të drejtë do të akuzohej për tradhti. Pyetja logjike është: pse duhet ta ndash me Serbinë territorin e Kosovës, të cilin me Kushtetutë dhe me njohjet zyrtare të shteteve të tjera, e zotëron vetë? Prandaj, propaganda e L.V. alarmon se po rrezikohet bosnjizimi i Kosovës, ndërsa duke e provokuar dështimin e shtetit të Kosovës, vevetiu e shpie drejt bosnjizimit. Veriu i Kosovës mund të shkojë drejt secesionit vetëm nëse Kosova dështon si shtet, pra, nëse zhytet në konflikt civil, ashtu si po synon L.V. Propaganda e VV për gjoja rrezikun e bosnjizimit të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë (që në esencë janë kundërthënëse) është në funksion të planit politik të L.V. për provokimin në evri të versionit të Krimesë gjoja për t’i hapur rrugë pastaj bashkimit të Kosovës së mbetur me Shqipërinë. Kjo është politka e vërtetë e VV, ndërsa propaganda e saj përpiqet ta fshehë pikërisht këtë politikë antishtetërore të saj. Propaganda e L.V. çirret kundër “zajednicës” ndërsa politika zyrtare e VV në Kuvendin e Kosovës, punon për dështimin e shtetit të Kosovës, i cili pastaj atë zajednicë do ta shpiente drejt secesionit. Nëse veriu nuk riintegrohet me dialogun e Brukselit, (duke bërë edhe disa koncesione siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe) si do të riintegrohet? Me provokimin e konfliktit civil në mesin e shqiptarëve?! E pra, pikërisht një konflikt i tillë do t’i shërbente veriut për ta realizuar një “ndarja të përkohshme” ose një “ndarje preventive”, demek deri sa të qetësohet gjendja” ndërmjet vetë shqiptarëve. Realisht, për këtë skenar po angazhohet politika zyrtare e VV, ndërsa propaganda e saj po përpiqet ta maskojë këtë politikë, gjoja duke u çjerrë kundër bosnjizimit dhe gjoja në favor të bashkimit kombëtar.

PROPAGANDA POPULISTE, POLITIKA ANTIAMERIKANE

Propaganda e “Lëvizjes “Vetëvendosje!” është tipike populiste me elemente të propagandës fashiste. Liderët e kësaj lëvizjeje, edhe kur u flasin dhjetë personave në ndonjë lokal të mbyllur, e përejtojnë sikur po i flasin “tërë popullit”, “tërë qytetarëve”, “tërë kombit”. Në propagandë kjo ka shumë efekt, sepse audienca me nivel të ulët politik e kulturor, që zakonisht është e margjinalizuar në shoqëri, është e etshme për identifikim me dikënd. Kur i ofrohet asaj audience që të bëhet “popull” A “qytetarë”, ajo ekzaltohet në njëfarë mase dhe mund të shëndërrohet në pjesëmarrës të aksioneve politike, edhe pse mbetet e hutuar dhe realisht e paintegruar dhe e papërfaqësuar. Shumica e protestsuve të partive opozitare janë të kësaj kategorie. Të pakënaqur e të hutuar dhe që i bartë rryma e parë që u ofrohet si varkë. Propaganda e L.V. luan me këtë kontigjent njerëzish të frustruar, si macja me miun. Deri tash edhe ka pasur njëfarë suksesi, falë propagandës populiste. Por me kursin e zhveshur politik antiamerikan, ajo me siguri do të humb këtë karrem populist. Njerëzit do të numërojnë deri në dhjetë para se të vendosin të bashkohen me një subjekt, që është kundër politikës së SHBA-ve në Kosovë e për Kosovën.

PROPAGANDA DARVINISTE, POLITIKA TOTALITARE

Strategët e propagandës në L.V. e kanë hetuar se gjendja e rënduar sociale e njerëzve mund të përdoret me efikasitet, për t’u injektuar atyre kuptime të deformuara të fjalëve e frazave, gjithsesi negative, për kundërshtarët politikë. Këtë maipulim me diskursin ata janë duke e përdorur gjerësisht, me synimin që publikun ta egërsojnë sa më shumë që të jetë e mundur ndaj kundërshtarëve të L.V. E drejta, për këtë manipulim nuk duhet shumë dije, mjafton të kesh poshtërsinë e nevojshme për ta kryer këtë operacion të përmbysjes së kuptimeve të fjalëve, të frazave dhe prodhimit të kuptimeve të tjera, sipas interesave të përmbysësve. Edhe kuptimi i termit “zajednica”, bie në këtë lojë propagandistike të L.V. me kuptimet gjuhësore. Kuptimi i fjalës “zajednica”, në Fjalorin serbisht-shqip, po edhe në kushtetutën e ish Jugosllavisë, ka qenë se ajo paraqet njësinë më të vogël të pushtetit lokal. Psh. “mesna zajednica” (bashkësia lokale” ka qenë shkalla më e ulët e organizmit të pushteti lokal. Por, propagandistët e L.V. e kanë ngjyrosur me një kuptim tjetër, gjoja se është shtet në shtet. Masa injorante e ka kafshuar edhe këtë karrem të kësaj propagande. Posaçërisht interesant në këtë kontekst është edhe interpretimi që iu bë prej disa propaganduesve të L.V. frazës “Me bisht ndër shalë.”Ata alarmuan se kuptimi i saj ishte që folësi u paskësh thënë njerëzve që ata paskëshin bishta! Këtë shpifje mandej e lidhën me tezen morbide darviniste të Vlladan Gjorgjeviqit. Një tymnajë e madhe u çua për këtë frazë prej tyre. Ndërsa, në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, (faqe 150-151 dhe 1815) shpjegimet e shumta që i jepen për fjalën bisht dhe shalë dhe frazat që prodhdohen prej tyre, janë të tilla që absolutisht nuk kanë asnjë konotacion të asaj natyre, që ia mveshin propaganduesit e L.V. Ky shembull provon se ata kanë filluar ta dhunojnë edhe gjuhën shqipe me manipulimet e propagandës së tyre. Kjo lloj propagande po tenton ta bllokojë komunikimin, pra që Tjetrit t’ia mbyll gojën, duke e etiketuar për çdo fjalë a frazë që thotë. Synimi është i qartë: zaptimi i hapësirës së komunikimit publik për fillim, deri në marrjen eventuale të pushtetit. Mbas marrjes eventuale të pushtetit, përndjekja dhe ndëshkimi i të gjithë atyre që guxojnë të shprehin një fjalë ose një frazë kundërshtie. Ky lloj seleksioni kundër lirisë së mendimit e të shprehjes, edhe i ka prodhuar të gjitha ideologjitë totalitare. “Lëvizja Vetëvendosje!” është vazhduese e asaj mendësie.