Shkarpat

Shkruan: Bekim Çollaku

Kemi filluar javën vendimtare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Do të duhej të ishte një javë dhe një ditë e veçantë për shtetin tonë në kuptimin pozitiv. Por e kundërta ndodh në Kosovë.

Kjo javë fatkeqësisht është java e rënies së maskave për shumë njerëz. Sepse në përpjekjen e tyre mjeshtërorë djallëzore për ti pamundësuar një njeriu të bëhet President i Kosovës, do dëshmojnë dobësitë e tyre dominuese të karakterit të tyre njerëzor.

Trillime përtej imagjinatës njerëzore. Regjisoret e filmave horror dhe fantastiko-shkencor duhet të ndjehen keq kur të krahasojnë produktin e tyre me produktin që po nxjerrin amatorët e fundit në trillimet e tyre të zhanrit horror kundër një qenie njerëzore. Janë bashkuar të gjithë, kudo në botë dhe këtu në Kosovë. I bashkon vetëm një qëllim për të cilin ata janë të gatshëm të japin gjithçka nga vetja e tyre. Më shumë se sa qëllim në vetvete, duket se është urrejtja patologjike kundër një qenie tjetër njerëzore. Kjo e bën misionin e tyre kundër një njeriu të vetëm në tërësi thelbësor për të arsyetuar vet ekzistencën e tyre. Sepse esenca e jetës së tyre ushqehet nga nevoja për denigrimin e një qenie njerëzore tjetër. Se deri në çfarë shkalle do të përshkallëzohet kjo përpjekje anti-njerëzore, mbetet të shikojmë në ditët në vijim kur të bëhet zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Ky do të jetë momenti kulminant kur të gjithë “faktorët” nga gjithë bota dhe ata këtu në Kosovë të cilët janë bashkuar për të pamundësuar ekzistencën (politike) të këtij njeriu, do të vjellin edhe pikën e fundit të vrerit kundër një njeriu të vetëm- Presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

Të ndalemi për një moment që më pak fjalë ti dekonstruktojmë këta “faktorë” dhe gjenezën e urrejtjes së tyre për një njeri të zakonshëm. Gjithçka fillon shumë vite më parë, kur ky njeri ishte vetëm një adoleshent si gjithë të tjerët. Por në atë kohë, ai kupton që mungesa e lirisë së vendit të tij ishte e keqja që duhej luftuar. Kështu, së bashku me dhjetëra fillimisht, pastaj qindra e mijëra bashkëluftëtarë nisin projektin më të madh historik të çlirimit të Kosovës. Gjatë këtyre përpjekjeve që ndodhin brenda periudhës 1990-1999 kishte një qendër të vetme që kërkonte në çdo mënyrë zhdukjen nga faqja e dheut të këtij njeriu, të bashkëluftëtarëve të tij, dhe të gjithë qytetarëve shqiptar të Kosovës – kjo qendër e urrejtjes dhe e krimit ishte Serbia e udhëhequr nga Millosheviçi. Me dhjetëra herë gjatë kësaj periudhe iu ngritën kurthe vdekje këtij njeriu dhe shokëve të tij të ngushtë. Me dhjetëra herë shpëtuan falë zgjuarsisë së tyre ose edhe për shkak se fati ishte në anën e tyre.

Lufta e drejtë dhe sakrifica njerëzore, i solli Kosovës lirinë e shumë pritur. I njëjti njeri i përkrahur nga shokët e tij, përsëri mbetet udhëheqësi i të gjitha proceseve kryesore në periudhën e tranizicionit të gjatë 1999-2008. Por edhe gjatë kësaj periudhe, propaganduesit denigrues nuk e ndalën punën asnjëherë për njollosjen e këtij njeriu të cilin kurrsesi ta heqin qafe. Këto kuzhina propagandistike tani nuk ndodheshin vetëm në Serbi por u përhapën edhe më gjerë duke përfshirë edhe Kosovën. Por përsëri, fati do thoshin kundërshtarët e tij i buzëqesh këtij njeriu. Ai jo vetëm që nuk dobësohet, por fiton zgjedhjet, shpall Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ndërton infrastrukturën e rrënuar të Kosovës dhe gradualisht rrumbullakon shtet ndërtimin. Ky njeri i zakonshëm, tashmë u shndërrua në lider të përmasave jo vetëm kombëtare por shumë më gjerë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, njerëz të ndryshëm brenda dhe jashtë Kosovës u bashkuan të shtyrë nga një qëllim i vetëm – demonizimin e këtij njeriu. Sajuan raporte të zhanrit horror, dokumentare shkokuese denigruese, shkrime të pafundme, shkruan edhe libra e një Zot e din se çfarë tjetër nuk kanë bërë dhe nuk do të bëjnë. Këto përpjekje jo njerëzore për të rrënuar një qenie njerëzore, kësaj radhe janë shumë më të dhimbshme dhe më të pështira. Kështu, derisa gjatë periudhës 1990-1999 ato vinin kryesisht nga Serbia, tani ato forcën goditëse shkatërruese po e marrin brenda Kosovës. Ndërsa gjëja më e dhimbshme në krejt këtë përjetim horror është fakti që shumë nga ata njerëz që duan demonizimin dhe heqjen qafe ( në kuptimin politik) të këtij njeriu, në një kohë jo të largët ishin shokët e tij të ngushtë. Shumë nga këta ishin ata që kishin ndarë bukën e gojës më këtë njeri, malin e njëjtë ku i kishte zënë nata, kishin larë fytyrat e tyre të njoma në të njëjtin burim, kishin arritur të shpëtonin së bashku të njëjtin rrethim…

Shumë shkarpa po mblidhen nga këta njerëz të bashkuar rreth këtij qëllimi. Po i grumbullojnë me shumë zell kundër ish-shokut të tyre. Duan ta djegin politikisht në zjarrin e mohimit. Dikush mund të pyes se sa urrejtje duhet pasur për të arritur në këtë pikë? Këta shokë të jetës dhe idealit, tani i kanë kthyer shpinën këtij njeriu. E urrejnë me tërë qenien dhe potencialin e tyre njerëzor. Bile publikisht e kanë shpallur edhe tradhtarë dhe kërkojnë kokën e tij. Janë duke u jargosur që të shohin fundin e tij politik. Epo kur ke shokë të tillë, nuk ka nevojë ta kesh armiq.

Të gjithë këta që janë bashkuar dhe pa fije turpi po presin t’i japin goditjen e fundit këtij njeriu, që tashmë nuk është i zakonshëm, do të presin gjatë. Në fund, pritja e tyre do të jetë tragjike dhe e turpshme. Sepse që të hiqet qafe ky njëri ashtu siç duan këta njerëz të bashkuar në një qëllim, duhet hequr qafe gjithçka çfarë ky njeri simbolizon. E kjo është e pamundur, sepse historia e jonë moderne, liria, demokracia dhe institucionet shtetërorë të Kosovës lidhen ngushtë me fatin e këtij njeriu.

Historia e jonë ka dëshmuar se fatkeqësisht, na mungon kultura shtet-formuese. Në mungesë të saj, nuk na bëhet vonë që të denigrojmë pa mëshirë çdo njëri, qoftë ai edhe një lider i mirëfilltë politiko-shtetëror siç është ky njeriu që gjatë kësaj jave do të bëhet President. Në rast se ata që kanë mbledhur shkarpa për të djegur (politikisht) këtë njeri, nuk heqin dorë nga ky mision i pamundur, atëherë duhet ta dinë se vetëm tym do të prodhojnë. Asgjë më shumë. Ndërsa ky njeri që është bërë burim inspirimi për trillime denigruese, shpejt do të bëhet President. Dhe a dini edhe një gjë. Ai do ti falë të gjithë që sot e fyejnë pa mëshirë. Ai-Presidenti do t’iu shërbej të gjithë qytetarëve të vendit tonë.