Rrugëzgjidhja për Specialen është nëpërmjet Kushtetueses!

Agron Halitaj
Dështimi i Kuvendit të Kosovës për t’i siguruar 80 votat e duhura për miratimin e amendamentit 24 të Kushtetutës, s’duhet lejuar të shënohet si fundi i përpjekjeve të Qeverisë dhe Kuvendit për ta ruajtur kohezionin e miqësisë me partnerët ndërkombëtar.

Ende ekziston mundësia që procesi i krijimit të Dhomave të Specializuara të finalizohet me një vendim të Kuvendit të Kosovës.

Por për t’u arritur kjo, duhet që ky proces të kthehet në pikën zero.

Qeveria nuk ka asnjë bazë ligjore që ta riprocedoj në Kuvend të njëjtin amendament, ashtu siç po pretendon ta bëjë tani nën presion të brendshëm. Kjo për faktin, se Kuvendi nuk mund të hedh në votim asnjë amendament që vije si propozim nga Qeveria pa kaluar përmes Gjykatës Kushtetuese.

Kështu që, për të qenë në harmoni me normat juridike në fuqi, Qeveria duhet ta riformuloj amendamentin 24.

Edhe ashtu, ky amendament ka pas nevojë për ndërhyrje, për shkak se në dy paragrafët e fundit të tij ka pasur shpërputhje në përcaktimin e afateve kohore për mandatin e Dhomave të specializuara.

Derisa në paragrafin 13 është përcaktuar që mandati i këtyre dhomave dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me ligjin bëhet me herët, me paragrafin 14, lihet e hapur mundësia që mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë më shumë se pesë vjet.

Në këtë paragraf thuhet se: “Në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit sipas paragrafit 12, mandati i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës se Prokurorit te specializuar do te vazhdoje deri kur njoftimi i përfundimit te mandatit të bëhet ne përputhje me Ligjin nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë”.

Ky paragraf ose duhet të hiqet ose duhet të riformulohet nga Qeveria në mënyrë që amendamenti 24, i riu, t’i dërgohet kryetarit të Kuvendit. Kryeparlamentari pastaj e procedon të njëjtin në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë me Kushtetutën.

Meqë Gjykata Kushtetuese, e ka dhënë njëherë interpretimin mbi pajtueshmërinë e amendamentit 24 me Kushtetutën, atëherë shumë shpejt do ta nxirrte vendimin e ri, i cili pas përcjelljes në Kuvend, do t’i hapte rrugë kreut të këtij institucioni për ta thirrur seancën e re.

Gjykata Kushtetuese, gjatë ngërçit politik që ishte shkaktuar vitin e kaluar, ka dhënë prova se është në gjendje që t’i marr në shqyrtim me procedurë të përshpejtuar kërkesat që kanë të bëjnë me interesin shtetëror.

Derisa ta kryente punën e vet Gjykata Kushtetuese, liderët e dy partive më të mëdha do të mund ta shfrytëzonin shansin e fundit që në bashkërendim me të gjitha grupet parlamentare t’i sigurojnë votat e nevojshme për miratimin amendamentit.

Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, duhet ta pranojnë publikisht se opozita me vetëm 31 deputetë është përcaktuese e vendimeve të mëdha për shtetin.

Në situata të tilla, dorëheqja e kryeministrit do të ishte akt moral i pranueshëm.
Për të mos ardhur në këtë pikë duhet lëvizur me shpejtësi.

Tashmë është e qartë se dështim i Kosovës për të vendosur për Gjykatën speciale, shënon fillimin e një etape të re në raportet mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtar.

Natyrisht, jo në të mirë të Kosovës.

(Autori është drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)