Rruga pa krye e Vetëvendosjes

Pë të ilustruar argumentin kryesor të këtij shkrimi, m’u duk mjaft interesant për lexuesit të sjell një shembull real, të treguar nga vetë personazhi kryesor i tij që qëlloi të ishte edhe miku im.

Në fillim të viteve 2000, në Tiranë, u vendos privatizimi i hotelit kryesor të Shqipërisë, Hotel Tirana ose siç njihej më së shumti 15 katëshi. Me një çmim mjaft të favorshëm, 25 biznesmenë shqiptarë bashkuan forcat dhe formuan shoqërinë aksionere që do të menaxhonte Hotelin e famshëm. Në fillim ishin 25 biznesmenë me kuota të barabarta, secili nga 4% të vlerës së hotelit. Me kalimin e kohës, njëri prej tyre (miku im) filloi të blinte kuotat e aksionerëve të tjerë me çmime që e tejkalonin me herë çmimin fillestar. Brenda 3-4 viteve, ai arriti të blinte kuotat e 11 aksionerëve të tjerë dhe shkoi në nivelin e 44% të aksioneve të përgjithshme duke u bërë kështu aksioneri kryesor i shoqërisë.

Këtu ndodh një fenomen shumë interesant. Të gjithë aksionerët e mbetur (14 aksionerë që zotëronin 56%) krijojnë një aleancë mes tyre dhe vendosin të kundërshtojnë çdo vendim të aksionerit kryesor. Ata emërojnë me shumicë votash Drejtor të Përgjithshëm të Hotelit të preferuarin e tyre dhe, duke njohur temperamentin impulsiv të aksionerit kryesor, provokonin situata nga më surealet. Psh vendosnin me shumicë votash edhe të mos pihej duhan në mbledhjet e asamblesë (dihej botërisht që aksioneri kryesor nuk rrinte dot asnjë minutë pa cigare). Ose porositni Drejtorin e ri për një sjellje indiferente e provokative ndaj tij. Mundej edhe kamarierët t’i vononin enkas porositë apo edhe detaje të tjera që fyenin sedrën e sëmurë të biznesmenit kryesor. Ishte një situatë qesharake që provokonte sharje vulgare që bënin me turp edhe një reper rruge por nuk përmirësonte asgjë. Përkundrazi, sharjet e biznesmenit ia shtonin inatin kundërshtarëve dhe e ekspozonin keq atë. Aksioneri kryesor i asaj kohe (44%) më tregonte me humor reagimet fyese të të dyja palëve. Atij i mjaftonin edhe 7% të aksioneve për të marrë shumicën (44% +7%) por nuk arrinte t’i çante dot. 14 ortakëte tjerë ishin bërë njësh dhe po ia hanin shpirtin. Kur i thoja “Po t’i shih mor burrë mos josh edhe 2 prej tyre dhe ua blen 8% që të duhen” më shihte edhe mua si tradhtar…

Kjo punë zgjati me vite derisa, në fund, miku im u detyrua t’i blinte të gjitha aksionet e tyre me një çmim skandaloz të shrenjtë dhe sot është pronar i vetëm i atij hoteli.

Tani dua të dal te situata politike e Kosovës. Lëvizja Vetvendosje doli e para vërtetë në votimet e 06 Tetorit por larg, shumë larg fitores absolute. Për arsye të komentuara mjaftueshëm nga të tjerë komentatorë, Qeveria e humbi votëbesimin e Parlamentit me mocion. Tani jemi në situatën e krijimit të një Qeverie të përkohshme, emergjente, me mandat tejkalimin e situatës ose, nëse Gjykata Kushtetuese vendos ashtu, me formimin e një Qeverie shumice me mandat të plotë.

Në Lëvizjen Vetvendosje! janë të bindur se dikush u ka bërë puç kushtetues. Zëra publikë afër saj, disa herë e kanë përmendur këtë term duke e justifikuar me faktin që, qytetarët kanë votuar për koalicionin VV-LDK ndërsa tani po ndodh transferimi i vullnetit të tyre. Edhe unë jam nga ata që mendoj se votat e anëtarëve të LDK-së nuk janë dhënë për koalicion me AAK-në apo Nismë-n. Po pastaj? Kjo është një çështje morale më shumë sesa ligjore.

Si mundet të zgjidhet kjo gjë juridikisht? Po nëse Gjykata Kushtetuese thotë është në rregull?!

Supozojmë që Gjykata Kushtetuese po e kthen mandatin qeverisës edhe një herë në popull (gjë që sipas mendimit tim nuk do ë ndodhë), pra jemi në rastin e preferuar të militantëve të VV. Si i bëhet në këtë rast? Kujt i shërben mallkimi reciprok VV- LDK? Me kë do e bëjë Vetvendosja koalicionin e ardhshëm nëse jo me LDK-në? Do i marrë 50% të votave? Sa shanse ka të ndodhë kjo gjë?

Në një trupë elektorale shqiptare rekord prej 750 mijë votuesish (aq ishte shifra e kësaj radhe), Partia Demokratike e Kosovës mori afërsisht 180 mijë vota. Ky ishte rezultati më i keq historik i saj dhe askush nuk ka arsye të parashikojë një rënie nga ky rezultat. Gjithashtu, aleanca e Nisma-s arriti të kalojë pragun më 2019-ën dhe nuk ka asnjë arsye të humbë vota nga qenia në opozitë. AAK e Haradinajt arriti të ketë një rezultat më të mirë se zakonisht por, duke qenë Parti me elektorat të koncentruar në zona të caktuara (si edhe Nisma) nuk mund të bjerë poshtë 80 mijë votave. Mbeten në diskutim votat e LDK-së. Votat e LDK-së, në rastin më të keq (po e quaj rënien e Isa Mustafës në vitin 2017 moment të keq të LDK-së) janë 150 mijë vota.

Atëherë ku do ti marrë edhe 160 mijë vota të tjera Vetvendosje!? Duket praktikisht e pamundur.

Mënyra sesi u sollën Partitë e ish-pushtetit me VV, në mocionin e fundit, treguan që shanset për një bashkëpunim të ardhshëm janë minimale.

Askush nuk do të bashkëpunojë me VV.

Diskutimet e gjata të seancës së mosbesimit sollën në vëmendje edhe një gjë shumë të rëndësishme. Kualiteti i fjalimeve të deputetëve të VV ishte mjaft mjaft i dobët. Shumë patetik (një deputet akuzoi kolegët se ata nuk “janë të denjë as për fyerjet tona”) me argument të dobët dhe frymë militante. Ishte dëshpëruese të dëgjoje orë të tëra me diskurs të një kohe të shkuar, konfliktual e jopërmbajtësor. Ishte një vitrinë shumë e keqe për një simpatizant të VV ku herëpashere e shoh edhe veten. Një arsye tjetër pse koalicioni është i mirëpritur edhe sikur VV t’i kishte votat e duhura.

Por edhe nëse do ishte me 50% të votave, a nuk është e mirë një klimë positive, bashkëpunimi, ndërmjet shqiptarësh? Qofshin ata edhe plot vese, janë shqiptarë. Dhe për fatin e keq të Vetvendosjes janë shumica e votuesve akoma… Çfarë do të ndodhë pasi të shfryjnë dufin ndaj servilëve, hajnave, proserbëve, tradhtarëve? A mos do duhet përsëri të bashkëpunojnë po me ata njerëz?

Apo do veprojnë si Nastradini me qershitë?

A e kuptoni se 82 vota në një Parlament me 120 vende është shumicë dërrmuese dhe duhet t’u bëjë të vini gishtin në kokë për të ndërtuar një strategji fituese?! Strategjia fillon kur koka ftohet, kur lideri urtësohet, kur udhëheqja sillet e përulur. Nuk ka zemër që nuk e fiton përulësia, sjellja e përkorë. Një betejë fitohet më shumë me mendje sesa me zemër. Nëse VV vepron akoma me zemër dhe instikt superior dita do të jetë e largët.

Përndryshe do të ndodhë si me mikun tim biznesman. Ai kishte 44% të aksioneve dhe ishte i parëndësishëm. Sepse kurrë nuk diti të rrëmbejë edhe atë pak % që i nevojitej. Dhe pastaj shante e bërtiste e bëhej objekt humori.

Por ai në fund fare e pagoi me para, me shumë para sjelljen e vet arrogante dhe e mori hotelin. Ndërsa VV do e paguajë me kohë, shumë kohë ardhjen në pushtet nëse shan e linçon bash të vetmit që i kanë mbetur për koalicion.