Rrëmbimi dhe ekstradimi i qytetarëve turk- Njollë e rëndë për shtetin e Kosovës!

Shkruan Bilall Sherifi

Dikur, së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe një numër veprimtarësh politik të kauzës kombëtare shqiptare kishim fituar të drejtën e refugjatëve në Zvicër.

Kjo e drejtë na u njoh për shkak të respektimit nga ana e autoriteteve të Zvicrës të Konventës ndërkombëtare të Gjenevës të vitit 1951.

Ne kishim dëshmuar me prova të pakontestueshme se përndjekja dhe persekutimi ynë në Jugosllavinë e atëhershme ishte bërë për motive politike dhe se në atë vend jeta dhe integriteti jonë fizik dhe psikik ishin të rrezikuara.

Po ndalem vetëm në një shembull: as akuzat dhe dënimi i Hashim Thaçit për terrorizëm nga gjykatat politike të Serbisë nuk ndryshuan vendimin e autoriteteve zviceranë.

Ata nuk e rrezikuan Hashim Thaçin dhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare shqiptare dhe as që pranuan të bisedojnë për ndonjë ekstradim eventual.

Sot, kur në krye të institucioneve shtetërore të Kosovës janë njerëz që kanë qenë vetë të ekspozuar drejtpërsëdrejti me akuza të ndryshme dhe kërkesa për ekstradim mbi baza të akuzave të sajuara nga një regjim totalitar është e paimagjinueshme për një mendje të shëndoshë të mendohet arrestimi i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Republikës së Kosovës dhe të ekstradohen në Turqi.

Të rikujtojmë traumën që shkaktoi arrestimi i Ramush Haradinajt në Kolmar të Francës me kërkesë për t’u ekstraduar në Serbi. Falë një mobilizimi të gjithanshëm të shqiptarëve u shmang mundësia që Zoti Haradinaj të rrëmbehej dhe të përfundonte në Beograd në mënyrë të njëjtë si u rrëmbyen gjashtë qytetarë turq dhe u përcollën në duart të pushtetit të Ankarasë.

Atë që bëmë për Ramush Haradinajn nuk e bëmë për njerëz, që fatkeqësisht janë më pak të njohur se zoti Haradinaj, por që rrezikohen të përjetojnë trajtimin më çnjerëzor të mundshëm.

Paradoksi qëndron në atë se ky krim ndodhi në kohën kur në krye të ekzekutivit të Kosovës është njeriu që disa herë u përball me akuza dhe kërkesa të montuara nga motive politike.

Nuk ka turp më të madh se sa pas kryerjes së këtij veprimi kriminal nga institucione shtetërore të Kosovës të fshihet përgjegjësia e aktorëve të implikuar në këtë punë të fëlliqur që i lë Kosovës njollën më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë.

Të gjitha institucionet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut kanë sjellë prova të shumta se Turqia e Erdoganit është shndërruar në shtet ku liritë e njeriut shkelet në mënyrën më flagrante të mundshme. Sidomos të atyre që nuk pajtohen me politikën e Erdoganit.

Rrëmbimi i qytetarëve të Turqisë në Kosovë me urdhër të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe dorëzimi në shtetin ku jeta e tyre është e rrezikuar përbën shkeljen më flagrante të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të implikuar në këtë krim është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht!