Reformimi i Partive politike është domosdoshmëri!

 

Shkruan:  Labinot Smakaj

Cilido që nuk mund të durojë pa qenë në pushtet dhe duke mos nxjerrë mësim nga humbja, është i destinuar për të humbur përseri. Kjo sentencë e thënë shumë moti është provuar shumë herë !. Partitë politike në Kosovë si duket asgjë nuk i frikëson më shumë se sa të qenit në opozitë. Kjo madje i “tmerron” saqë për të mbetur në pushtet bëjnë lloj lloj koalicionesh jo parimore, jo programore dhe krejtësisht pa platformë politike për të qeverisur. E që pastaj këto lloj koalicionesh sjellin një qeveri të brishtë, jo profesionale dhe jo llogaridhënëse, shpeshherë edhe me përplasje brenda vet partnerëve qeverisës. Nga krejt këto pësojnë qytetarët, sepse nuk është më prioritet ekonomia, zhvillimi e progresi në përgjithësi, por “lufta” për tu dukur “se kush po punon më pak e kush më shumë”!. Këto koalicione kuturu dhe pa parime, janë si pasojë e lidershipeve të të gjitha partive pa dallim. Prandaj, duke marrë shkas nga kjo është domosdoshmëri që partitë politike të fillojnë reformimin me qëllim të rritjes dhe fuqizimit të konkurrencës politike!. Me reformimin e vërtetë të tyre, partitë politike do i jepnin një shans shumë real mijëra të rinjëve e të rejave të shkolluar e edukuar nëpër vende të ndryshme të botës por edhe brenda Kosovës për të qenë pjesë e tyre. Këta të rinjë politikën nuk do ta shohin si mundësi punësimi vetëm për veten, por si mundësi për të kontribuar për të mirën publike e rrjedhimisht për të krijuar punësim për të gjithë pa dallim!. Në rast se nuk ndodh reformimi, atëherë do të kemi vetëm lavdërime bajate të atyre që turren për t’u ngjitur lart e më lart në piramidën e partive politike!!!. Reformimi i vërtëtë i partive politike do ishte një terapi gogja e rëndë, por që do i sjellë shëndet çdo sektori dhe gjithë jetës shoqërore. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan se demokracia në Kosovë ka nevojë të forcohet në shumë drejtime. Kjo demokraci është shumë më shumë formale se sa reale, sepse prodhon deputetë që nuk flasin asnjëherë në parlament e që shumë prej tyre nuk i njeh as populli. Madje madje edhe përgatitja e tyre profesionale për të shqyrtuar propozimet ligjore që duhen miratuar nga ta lënë shumë për të deshiruar!!!. Pastaj nga të gjitha partite sheh kuaziministra që në karakterin e tyre ka përgjysmim të formimit qoftë politik apo edhe profesional. Ngase janë pjesë e partive tradicionale me votues të shtresave të ndryshme, dhe për t’u dukur herë “cool” e herë “rural” dalin bajat dhe pa shije. Për më shumë ata u janë afruar partive si gjoja “profesionist” e në fakt ata për t’u dukur edhe militant shpeshherë me deklarime në emër të partive të tyre bëhen edhe qesharak!. Kjo shtresë e instaluar nëpër gjithë partitë kryesisht më servilizëm, po e dëmton rëndë motivin e shumë të rinjve për të qenë pjesë aktive e politikës. Nuk mund të shërohet sistemi politik e institucional në përgjithësi, pa filluar me shërimin e pjesëve të tij, respektivisht partive politike. Mbetet në dorën e lidershipeve aktuale të të gjitha partive që ti japin jetë një reforme të thellë dhe përmbajtësore, me çka do i ndihmonin jo vetëm partitë e tyre por sistemin politik në përgjithesi!. Krejt në fund, pa një reformim të partive poltike, sistemi institucional do vazhdojë të lëngon edhe më tutje!.