Pse VALA është e Kosovës?

Shkruan: Menduh Abazi

Janë përafërsisht 500 milion euro dividend në më pak se 15 vjet që Telekomi i Kosovës i ka ndarë buxhetit të vendit, respektivisht qytetarëve të saj, qytetarëve sepse këto mjete kanë shkuar në investime kapitale, në shëndetësi, arsim, drejtësi e kudo tjetër.

Përveç kësaj,  mbi 3000 familje direkt kanë jetuar nga të ardhurat që kanë marrë si pagë nga kjo kompani, qindra familja tjera kanë përfituar nga qiratë e Telekomit, me mijëra biznes kanë marrë kontrata nga aktivitetet e saj,  e që nga paslufta janë me mbi 500 milion euro investime.

Ky është Telekomi i Kosovës.  Në fakt Telekomi është vetë Kosova dhe kjo është arsyeja thelbësore se themi VALA është e Kosovës.

Dhe, tash në krizën e parë serioze sikur të gjithë e duan falimentin e saj, falimentimin e Kosovës, të gjithë kërkojnë mosekzistimin e saj. Edhe qeveria e vendit në të kaluarën është krenuar me të arriturat e Telekomit dhe sot si duket ja ka kthyer shpinën dhe po pret rrëzimin e saj.

Askush nuk duhet amnistuar për gjendjen e tanishme aty.

Që të gjithë janë fajtor, menaxhmentet e ku në shumicën e tyre që nga 2007 e deri në 2015 kam qenë edhe unë pjesë, qeveria, partitë politike, punëtorët që kanë qenë shumë të relaksuar deri tash.

E çka tash?

Telekomi i Kosovës në vitet e fundit ka pësuar degradimin më të madh të mundshëm, rrëzimin më të madh të saj, rrëzimin nga froni i të parit. Aq shumë është propaganduar për këtë kompani saqë realiteti në prapaskenë ka mbetur në terr dhe i panjohur për opinionin për aksionarin,  qeverinë e vendit. Normalisht që Telekomi ka pësuar edhe nga kontratat që nuk janë menaxhuar si duhet ose janë neglizhuar në tërësi dhe si pasojë kemi humbjet milionëshe.

Tani,  është gjithçka vonë për të kërkuar publikisht fajtorin, vrasësin apo vrasësit e Telekomit, nëse ka pasur të tillë le të merren organet kompetente dhe duhet të merren.

Shteti, qeveria nuk guxojnë ta lejojnë falimentimin e saj, nuk guxojnë as të flasin për të sepse do të falimentojnë vet. Edhe ky pak imazh që i ka mbetur do të rrënohet në tërësi me llafe të tilla dhe në fund fitues mund të jenë vetëm disa individ,  e humbës të gjithë kosovarët.

Zgjidhni pra disa fitues apo të gjithë humbës. Zgjidhja është në dorën tuaj dhe mos e vononi.

Menduh Abazi është drejtor i informacionit në Tribuna Channel.