Pse po protestojmë?

Shkruan: Besart Morina

 

Kohëve të fundit, e sidomos me të filluar viti i ri akademik, po diskutohet gjithandej rreth vendimeve të rektorit aktual të UP-së, Ramadan Zejnullahut, për kinse ngritjen e cilësisë në Universitetin e Prishtinës. Me këto vendime, rektori më tepër shkaktoi huti në mesin e studentëve, sesa të paktën ndonjë vetëdijësim të tyre për “rëndësinë dhe domosdoshmërinë” e këtyre shtrëngimeve. Për më tepër, këto ndryshime erdhën pa kurrfarë masash paraprake, të cilat do t’i sensibilizonin studentët dhe do t’i bënin më të pranueshme dhe të arsyeshme këto ndryshime.

Kur po flasim për gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës, natyrshëm po më vjen një mendje një krahasim i kësaj gjendjeje me kullimin dhe pastrimin e ujit. Ky rektor, me ato pa vetëdije, sikur po mundohet të bëjë diçka që është e përcaktuar të dështojë që në fillim. Thirrja në ngritje të cilësisë dhe ndalje të avancimeve pa kriter të stafit akademik po më ngjan me përpjekjen e një njeriu për ta kulluar ujin përmes një site mielli. Në këtë rast, sita tingëllon si një mjet i duhur për të pastruar diçka, për ta ndarë të mirën nga e keqja, por vlera e sajë po barazohet me zero kur po e bëjmë të njohur lëndën që duhet ta pastrojë, pra ujin. Kështu, rektori po mundohet që disa dukuri të këqija t’i ç’rrënjosë në mënyra të gabuara, sepse thjesht është huçur adresa nga duhet bërë me gisht dhe këto të këqija nuk po goditen në rrënjë, aty ku do të shkatërroheshim një herë e mirë.

Rektori po bëhet sikur nuk e di, por ne të gjithë e dimë se studentët janë të fundit që duhet fajësuar për mungesën e cilësisë në fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Studentët nuk janë fajtorë, i nderuar rektor, për mungesën e punës praktike në drejtimet ku ajo është e domosdoshme. As nuk kanë faj për mungesë të stafit akademik apo administrativ, e aq më pak për parregullsitë e dallaveret në angazhimin e tyre dhe keqpërdorimet që individë të caktuar prej tyre bëjnë nën petkun e të angazhuarit në Universitetin e Prishtinës. E ju, tërë faturën e gabimeve dhe parregullsive të kësaj natyre, po kërkoni t’ua vini barrë studentëve, të cilët nuk kanë asgjë në dorë për ta përmirësuar apo, larg qoftë, për ta përkeqësuar gjendjen e institucionit që ju drejtoni.

Një gjë që po i irriton edhe më shumë studentët e dëmtuar, është fakti se rektori po sillet si të ishte i paprekshëm, i pagabueshëm, apo sikur ka bërë ndonjë mrekulli gjatë kësaj kohe sa është në detyrë. Dëshirojmë t’ia bëjmë me dije se përkrahja deklarative e ministrive dhe ambasadave nuk nënkupton për të autoritet dhe pushtet të pakufizuar. Përkundrazi, këtë përkrahje ai do të duhej ta shndërronte në më shumë punë dhe transparencë, e kur i përmendim këto, duhet ta dijë që për to më së shumti u detyrohet studentëve. Duke e parë neglizhencën që po ua bën kërkesave tona, jemi të detyruar ta kundërshojmë fuqishëm, sepse bëhet fjalë për punën e mijëra studentëve, përpjekjet e të cilëve rrezikojnë të shkojnë dëm, në rast se rektori vazhdon me të njëjtën çasje. Ndaj, ne do të vazhdojmë të protestojmë deri sa të rikthehen afatet që kanë qenë më parë dhe arritja e kushtit, kërkesa këto plotësisht legjitime dhe të arsyeshme.