Politika në Kosovë duhet t’i kthehet arsyes

Shkruan: Justina Shiroka-Pula 

 

Politika në Kosovë nuk duhet të vuaj nga mungesa e racionalizmit komunikativ, e përfshirëedhe me etjen për pushtet nga ca akterë, pasi po ngulfasin demokracinë dhe hapin rrugën ideologjive

Në muajt e fundit në cilësinë e kryetares së Gruas Demokratike të PDK-së, kisha mundësinë të dëgjoj mendime, sugjerime nga gra të shumta për problemet e shoqërisë në Kosovë dhe vet jetës politike.

Epilogu i tyre kryesisht kishte të bënte me mendimet se si të arrihet një jetë më e mirë, apo se si të ndërtojmë koncepte politike, ku politika shihet si dorë e zgjatur për qytetarin, gjersa shqetësuese ishte mendimi për tendencën, ku vullnetet e dhunshme po synojnë t’i zënë vendin veprimeve racionale. Politika në Kosovë assesi nuk duhet të vuaj nga mungesa e racionalizmit komunikativ, e përfshirë edhe me etjen për pushtet, e cila po ngulfatë demokracinë dhe hapë rrugën ideologjive.

Politika në demokraci shikohet vetëm si argumentim e diskutim, apo si proces i diskutimeve të vazhdueshme brenda analizës e veprimeve normative të përcaktuara qartë, ndryshe shkojmë rrugës së anarkisë, ku pushtetin synojnë ta marrin ideologjitë. Demokracia është jetë politike brenda vullneteve elektorale, ndryshe nuk kanë kuptim zgjedhjet. Kosova ka nevojën e

ekzistencës së kundërshtive politike, por ato duhet të zhvillohen me dinjitet njerëzor dhe brenda sistemit, i cili debatin e kultivon si një dukuri të përditshmërisë dhe nga i cili prodhohen idetë politike.

Mungesa apo pengesa që ky debat të zhvillohet brenda sistemit demokratik dhe vendit ku do të duhej të zhvillohej, e bëjnë veprimin politik si aktivitet jodemokratik, madje si veprim nuk mund të quhej veprim politik. Ku gjendet veprimi demokratik tek përdorimi i gazit lotsjellës të përdorur në parlamentin e Kosovës dhe lëndimin e deputetëve?

Në vendin e debatit të përdoret dhuna, vërtetë këtu humbet arsyeja, humbet mundësia e racionalizmit komunikativ dhe përgjegjshmëria.

Kosova dhe nevojat e racionalizmit strategjik

Kosova, përkatësisht politika e saj ka dekada që kishte të ndërtuar një model të të bërit politikë, karshi vetës së saj dhe miqëve. Kishte të ndërtuar një racionalizëm strategjik-politik, i cili synonte që rrugëtimin e zhvillimit të saj ta bënte përkrahë miqëve që e ndihmuan në shtetndërtimin dhe zhvillimin e politikës brenda sistemit demokratik, duke përfshirë hapjen e rrugëve të proceseve integruese. Karshi këtij racionalizmi, rrugë tjetër nuk ka dhe kushdo qoftë nga akterët politik që synon rrugë tjetër, do t’i bëjë dëme vendit dhe proceseve që priten të zhvillohen.

Opozita në Kosovë jetën e vet politike duhet ta gjejë brenda këtij racionalizmi strategjik, duke iu kthyer komunikimit institucional dhe zhvillimit të demokracisë së diskutimeve të vazhdueshme. Mendoj që në vendin e debateve kemi mjaft gjëra për t’i debatuar dhe shndërruar si ide politike. Kosovës nuk i duhet “gardhi” i folklorit politik karshi miqëve ndërkombëtar, po aq sa nuk i duhet politika e bazuar te jo arsyeja, jo komunikimi, jo debati dhe jo përgjegjshmëria. Është koha që veprimet politike të mos prodhojnë zhurmë, bllokada e veprime jodemokratike, por shpresë për të gjithë qytetarët e vendit.