Pikat ndeshëse të rrugëve, si referencë për kufirin Kosovë- Mali i Zi

Ramadan Millaku

Për përcaktimin dhe definimin e pikave kufitare në mes të shteteve  Kosovë- Mal i Zi, pos tjerash janë me rëndësi të posaçme pikat ndeshëse- takuese të infrastrukturës rrugore në kufirin e mëhershëm adminsitrativ, tash ndërshtetëror.

Ato pika janë përcaktuar me marrëveshje bilaterale Kosovë- Mal i Zi, por edhe në mes Kosovës e republikave tjera të ish Jugosllavisë, si dhe me Republikën Popullore të  Shqipërisë.

Brenda atyre pikave janë bërë projekte, janë ndërtuar dhe mirëmbajtur rrugët e tjera për afro 70 vjet me radhë pa kurrfarë vërejtje nga palët.  Ato pika, faktikisht konsiderohen si pika kufitare tani ndërshtetërore.

Kosova e Mali i Zi, drejtëpërsëdrejti janë të lidhura përmes rrugëve:

Pejë- Çakorr me gjatësi 29 km  dhe në pikën më të lartë mbi detare- kuota 1849,  dhe me rrugën

Pejë(vitmiricë)- Kulla-Rozhajë me gjatësi në teritor të Kosovës 26,3km,  deri te lartësia mbidetare-  kuota 1781 Kulla.

Duke i respektuar dhe ndërlidhur këto dy pika mes vete dhe duke i ndërlidhur edhe me pikat e tjera të kurorave malore majtas-djathtas deri në trekufirin  Shqipëri-Mal i Zi- Kosovë dhe Kosovë- Mal i Zi- Serbi, shum lehtë dhe shumë  shpejtë do të përcaktohej vija kufitare që njëkohësisht do të përputhej me kufirin administrativ 70-vjeçar, do të përputhej me kufirin natyror dhe etnik, dhe rrjedhimisht kufiri do të ishte i qëndrueshëm politikisht dhe paçësor.

Ky kufi do të ishte në harmoni me kufirin e Komisionit të ish jugosllavisë të udhëhequr nga  Millovan Gjiillas dhe i pranuar njëkohësisht nga shteti Jugosllav (tash Mali i zi ).

Atëherë, ku qëndron gjeneza – burimi kontradiktor- Kosova me marrëveshje të komisionit “Meha”m  s’humbë asnjë m2 – Kosova humb 82km2?

Nga këndvështrimi im burimi qëndron këtu:

Në fillim të viteve 60-ta është aprovuar Ligji i RS-Serbisë për shqyrtimin e marrëdhënieve pronësore-juridike në Kosovë.

Për zbatimin e këtij ligji nëpër komuna janë formuar dhe kanë punuar  komisione profesionale. Kryesisht ishin në pyetje malet.

Asokohe me Kushtetutë ishte paraparë maksimumi i sipërfaqeve të pronave deri 10ha/për familje.

Duke respektuar këtë parim nuk ka ekzistuar mundësia e pranimit të tërë pronës (10h).

Familjet tona patriarkale, sidomos në viset malore, siç është Rugova kanë poseduar më shumë prona dhe pronarët nuk kanë hequr dorë nga pronat e veta, por në kadastër janë evidentuar vetëm ato që u kanë pranuar komisionet.

Pra, këtu qëndron mos përputhje e shënimeve katastrale me pronat që defakto që i mbajnë pronarët.

Tani, sipas parimit katastralë: “Aq sa i ke të evidentuara pronat, ke edhe  terren “(okej). Kështu një pjesë e pronave që komisionet nuk ia kanë pranuar pronarve kanë ndenjur pezull në pikëpamje juridike.

Pra,  hartat katastrale nuk përputhen me gjendjen faktike dhe në këtë mënyrë ka ardhë deri të tëkurrja e sipërfaqes toksore të Kosovës.

Në këtë rast ka ardhë në shprehje parimi: “Çka nuk e keni të evidentuar ju,  është e jona”.

Kështu që,  kufiri i Malit të Zi ka zbritur nga Çafa e Çakorrit në Kuçishtë dhe nga Kulla në pronën Savine – Vode, që është absurde dhe për t’u befasuar?!!.

Përdorimi i parimit katastral pa i shqyrtuar paraprakisht çështjet pronësore  pronësore – juridike ka lënë një pjesë të pronave jashta hartave katastrale dhe tani një pjesë e pronave të Kosovës po kalon në shtetin tjetër. Tani,  pronarët kanë ankesa se malet, stanet, kullosat po u tjetërsohen, por udhëheqësija nuk po përpiçet që t’i kuptojë.

Për tejkalimin e kësaj gjëndje delikate propozoj:

-Puna e Komisionit “Meha” duhet anuluar;

-Të shënohet kufiri sipas objekteve të infrastrukturës që ka ekzistuar më se 70 vite;

-Nëse duhet përcaktuar vija kufitare rishtas, atëherë t’u përmbahen parimeve nga Libri i Dr.Z.Grudes e tjerë;

-Të kërkohet mirëkuptim nga Mali i Zi; si dhe

-Të kërkohet ndihma nga miqtë ndërkombëtar, pra që marrëveshja aktuale të mos ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

Ratifikimi është procedur e paraparë me Kushtetutë e Ligje.

Mosratifikimi nuk është kurrëfarë presedani botëror.

Marrëveshja ka defekte, prandaj për atë, apriori është paraparë që duhet të kuptohet si gjë normale e parlamentit dhe jo si diçka katastrofale.

Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me izolimin ndërkombëtar, as me ndaljen e proceseve integruese, as me viza, sepse as Marëveshja  e Kumanovës, as Plani i Ahtisaarit e as Amerika nuk janë që Kosova të humbë nga integriteti i saj teritorial.

Përkundrazi, me këtë veprim Kosova do të shiqohet si shtet serioz dhe politikisht i pjekur.!

(Autori është ish- kryetar i Pleçësisë së Fondit të Rrugëve dhe ish- drejtor i Sipërmarrjes së Rrugëve për periudhën e viteve ’70)