Përse Xhon Kerry e viziton Tiranën?

Brenda pak javësh, krye-diplomati amerikan, Xhon Kerry viziton dy kryeqytetet shqiptare-Prishtinën dhe Tiranën. Ndonëse agjenda diplomatike e SHBA-se ka një zhvendosje të dukshme drejt zonave të krizave të sotme të sigurisë globale, serish vëmendja ndaj faktorit politik shqiptar mbetet e lartë në Uashington.

Bazuar në njoftimet publike, krye-diplomati amerikan ka në agjendën e tij bilaterale çështjet themelore të politikës shqiptare-reformën në drejtësi, dekriminalizimin e politikës dhe ecurinë e proceseve të integrimit në BE. Në këto aspekte Shqipëria po karakterizohet nga një ecuri e ngadaltë, kontradiktore dhe shpesh e paqartë. Prandaj mbështetja e SHBA-së në këto aspekte konsiderohet vendimtare për Shqipërinë.

Opinioni publik shqiptar vijon të ketë pritshmëri të larta tek SHBA-ja, sidomos në kushtet e rënies së dukshme të besimit tek politika dhe institucionet e brendshme. Shqipëria konsiderohet nga SHBA-ja dhe diplomacia e tyre edhe si faktor me peshë dhe influencë në qendrat e rëndësishme shqiptare në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Kosovë dhe Maqedoni. Diplomacia amerikane pret një rol konstruktiv shumë më aktiv të Tiranës zyrtare në mbarë hapësirat shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor.

Roli konstruktiv më aktiv i Shqipërisë në hapësirat shqiptare do t’i ndihmonte lehtësimit të zgjidhjes së krizës politike në Kosovë dhe të asaj politike e ndëretnike në Maqedoni me rrugë e mjete politike, diplomatike dhe demokratike. Tirana është shquar për rolin e vet konstruktiv në rajon, por kohët e fundit vërehet një pasivitet i dukshëm i saj ndaj krizave që kanë përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë. Vizita e Kerrit në Tiranë tejkalon marrëdhëniet bilaterale SHBA-Shqipëri dhe rolin e kësaj të fundit në Ballkanin Perëndimor.

Aktualisht kjo vizitë merr rëndësi gjeostrategjike për SHBA-në dhe NATO-në në kushtet e krizave serioze bashkëkohore. Përkeqësimi i marrëdhënieve Perëndim-Rusi, zgjerimi i krizës ne Siri, rritja e rrezikut nga terrorizmi islamik, valët e refugjatëve përmes rrugës ballkanike përbëjnë kërcënime shumë serioze për paqen dhe sigurinë në këtë krah të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në këto rrethana të konjukturës ndërkombëtare, rritet përgjegjësia gjeostrategjike e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe aleate e ngushtë e SHBA-së. Është momenti që Shqipëria të dëshmojë rol më aktiv dhe gatishmëri më të lartë për të marrë më shumë përgjegjësi dhe detyra konkrete në mbështetje të NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë si portal detar i NATO-s dhe BE-së e vendos atë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Kjo është karta më e fortë e Shqipërisë. Prandaj Shqipëria lypet ta luaj mirë këtë kartë në dobi të interesave të saj kombëtare dhe të bashkëpunimit me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.