Përballë “arrogantit”!

Shkruan: Agron Halitaj

Të jesh spektator nuk është njësoj sikur të jesh aktiv në lojë. Nga pozita komode e shikuesit, padyshim se mund t’i numërosh një nga një të metat e lojtarëve në fushë, e herë-herë edhe të mburresh se po të ishe në pozicionin e akëcilit lojtar do ta godisje fort topin dhe do të shënoje pikë për ekipin që i bën tifozllëk. Ja që këto pretendime mbesin në suaza të imagjinares dhe si të tilla janë tepër subjektive, pasi në përballje reale zor se do të mund t’i bëje të njëjtat driblime dhe rrjedhimisht do të ndaheshe shumë më keq se lojtarët që i gjykon nga bina apo nga ekrani. Krejt çka mbetet pas një loje të humbur është të bërit analizë me kokë të ftohur, se ku ishin ngecjet, cilat raste nuk u shfrytëzuan dhe ç’është më kryesorja çka duhet pasur parasysh në përballjet e radhës.

Në të njëjtën frymë do të mund të analizohej edhe humbja e analistëve/gazetarëve nga Kosova në terrenin e Klan Kosovës, në ballafaqim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. S’do mend që humbësit s’e patën të lehtë ta pranojnë me “sportivitet” dështimin në gjithë atë llum akuzash nga shikuesit, që në të shumtën ishin të papërmbajtje. Hapjes së një debati më cilësor mbi atë që ndodhi, i kontribuoi njëri nga panelistët, nga momenti kur nisi të arsyetohet se humbjes së ekipit i ka ndihmuar edhe drejtuesi i emisionit, duke e ulur Ramën më lart se ata, duke e lejuar atë që t’i ofendojë si dhe duke u dhënë edhe vetë “grushte” sa herë që i ishte dhënë rasti. Ç’është e vërteta, për një rrjedhë jo të mirë të debatit këta faktorë janë të pakontestueshëm, por assesi nuk mund të merren si përcaktues të humbjes. Humbja s’erdhi as për shkak të arrogancës së Ramës e as për shkak të mënyrës së udhëheqjes së emisionit nga Baton Haxhiu.

Humbja e gjashtëshes apo më saktë e shtatëshes (përfshirë moderatorin) përballë një politikani duhet të shërbejë si leksion jo vetëm për ta, por edhe për të tjerë gazetarë e analistë se në debate televizive, a në intervista nuk hyhet i papërgatitur. Ankesat se intervistuesi ishte arrogant, nuk merren si të mirëqena nga publiku. Gazetarët kanë arritur të lënë gjurmë në histori në përballje edhe me diktatorët më të mëdhenj të kohërave, e lëre më me shakaxhinj.

E ndjera, Oriana Fallaçi, ndonëse ishte detyruar të futej me kokë të mbuluar për ta intervistuar Aiatollah Khomeinin në Teheran, në momentin kur ai i kishte thënë se femrat si ajo nuk e kanë detyrim ta bartin shaminë, e kishte hequr atë dhe i kishte bërë një pyetje që sot e kësaj dite merret si shembull nga profesorët e gazetarisë. “Ja, e hoqa! Por ama më thoni, një grua që si unë ka jetuar mes burrave duke e lënë të zbuluar qafën, flokët dhe veshët, që ka qenë në luftë dhe ka fjetur në front me ushtarët, është sipas jush një imorale, një plakë e rrudhur edhe e pandershme?”. Padyshim se nuk kishte munguar as përgjigja e Khomeinit, por ajo nuk ka arritur të mbahet në mendje më shumë se guximi që kishte treguar Fallaçi përballë tij.

S’do mend se të gjithë nuk mund të jenë si Fallaçi, ama duhet llogaritur se një ditë mund të vijë shansi që ta dëshmosh guximin, dijen dhe profesionalizimin para figurave me ndikim, të cilët për aq sa janë arrogantë e të egër, dinë të jenë edhe kontrovers dhe manipulues. Të mos harrojmë se një përballje me një diktator që s’është më në jetë, e kanë pasur edhe një ekip i gjerë i politikanëve e gazetarëve nga Kosova, por ndryshe nga Fallaçi, ata nuk e kanë sfiduar atë me asgjë, por kanë kërcyer para tij derisa nuk u ka thënë mjaft. Për ironi, në mesin e atyre që kanë qenë brenda shatorëve të beduinit libian Muammar Al- Gaddaf, janë disa figura që edhe sot merren aktivisht me politikë e që synojnë të krijojnë parti apo që ta udhëheqin shtetin. Prandaj, esenca është se cilin model zgjedh ta marrësh: atë të Fallaçit apo të valltarit.

Ne s’mund të themi se tek shqiptarët s’ka aso gazetarë që mund ta “gozhdojnë” një personalitet me ndikim në jetën politike e institucionale. Mjafton ta kthejmë vështrimin vetëm për pak kohë prapa dhe gjejmë shembullin e gazetares së Zërit të Amerikës, Arduta Dunellari në përballje me kryetarin e tanishëm të Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kot u përpoq politikani që të sillej me arrogancë dhe ta ofendojë gazetaren duke i thënë se paska nevojë të nisë ta mësoj gazetarinë nga e para, sepse gjithçka i ra poshtë kur ajo e pyeti nëse ndihet i prekur me faktin se shumë shqiptarë kanë marrë rrugët e emigrimit, ndërsa ai dhe klasa politike në Shqipëri shfaqin një nivel jetese tepër të lartë, ndryshe nga popullsia në vend. Për të mos ngelur me kaq, ajo i dha edhe një shpjegim që ishte po aq me peshë sa edhe vetë pyetja. “Këtu jemi në SHBA dhe nuk ka pyetje të gabuara”.

Edhe Ramës, sado arrogant që është treguar, është dashur t’i bëhen vetëm pyetje. Gjashtë veta të përgatitur do ta djersinin jo atë por secilin politikan tjetër. Kushdo që ka pak përvojë në gazetari, e di që në intervistë nuk shkohet pa listë pyetjesh. Mund të rastisë që rrjedha e bisedës të marrë kah të paparashikuar dhe shumica e pyetjeve të mos mund të shtrohen fare, ama për sigurinë e gazetarit, pyetjet duhen ruajtur si “fishekë”. Kjo për faktin se një intelektual nuk e ka të vështirë ta nuhasë nëse ai që i ka dalë përballë është i përgatitur ose jo. Dhe, këtë, me gjasë e nuhati edhe Rama, tek panelistët. Ai i sprovoi me kundërpyetje për të parë nëse kanë njohuri për çështjet që i ngritnin e më pas nisi t’i shtojë ofendimet kur e pa se asnjëri nga ta nuk po ia kthen me të njëjtën monedhë. Pas kësaj përballjeje, të gjithë mund ta kenë kuptuar se s’ka modesti e respekt, kundrejt atij që të përbuzë e të tallë. Gjithçka është reciproke.

Ramës, sot dikush mund t’i japë të drejtë e dikush si Ben Blushi mund edhe ta gjykojë, ama konstatimi i tij se: “shqiptarëve u ka ardhur në maje të hundës jo vetëm nga politikanët që nuk i përfaqësojnë, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, po edhe nga analistët të cilët përfaqësojnë vetëm mikrobotën e tyre të mllefeve, padijes, thashethemeve, klikimeve e qëndrimeve krejt sipërfaqësore mbi problemet e sfidat reale të shoqërisë sonë”, është më se i qëndrueshëm.

Rama, me arrogancën e tij na i ka hapur sytë!.