Për një volejboll ndryshe…

Shkruan: Xhavit KAJTAZI

1.
Jam i ndërgjegjshëm se kjo qasje imja për volejbollin e Kosovës, do t’i prek tri lagje njerëzisht të këtij sporti: së pari, ata që do të jenë kundër, së dyti, ata që do të jenë “për”, dhe, së treti, edhe ata që do të qëndrojnë në “mesin e artë”, ose të strukur pas thënies “Fetah, as me ne, as me ata”… Kësaj radhe do të përpiqem t’i bashkoj që të tri lagjet e njerëzve të volejbollit (të paktën në letër) dhe t’ua shfaq disa pikëpamje, se si do duhej të funksiononte një asociacion sportiv pa epitetin e “konfliktit të interesit”…

Asnjë emër të përveçëm nuk do ta përmend… Thjeshtë po dua, që, të paktën kësaj radhe, të bëhem “i të gjithëve!”, që është iluzore, por më grish ta provoj!… Edhe ata që “e kanë mizën nën kapuç”, po dua të besoj, se, të paktën kësaj radhe, nuk do të hidhërohen, nuk do të mbajnë inate dhe nuk do ta shohin këtë qasje  me paragjykime…

2.
Edhe kur kam shkruar për praninë e dy shikuesve dhe të njëzet zyrtarëve, madje edhe të asnjë shikuesi dhe të njëzet zyrtarëve, ka pesëmbëdhjetë vjet që kisha paralajmëruar se volejbolli është në rrezik që t’i humb shikuesit dhe se kjo do të ishte prapakthim për këtë sport…

Por, nuk ka qenë dhe nuk mendoj se është gjithçka zi në volejbollin e Kosovës.  Rrethanat, jo vetëm historike, kanë bërë që ky sport, krahas sporteve të tjera në Kosovë, të ketë zhvillim dhe ecje përpara me hope, prore me synimin që fillimisht të mbijetojë, gjë që ia doli, dhe më pas edhe të bëjë përpjekje të lëviz përpara…

Pa marrë parasysh se ka pasur shenja ecjeje “me hap breshke”,  të arriturat lënë shumë për të dëshiruar… Shumë skuadra u shuan, sidomos ato në qytetet e rëndësishme të Kosovës, siç janë Gjakova, Mitrovica, Gjilani, Kamenica, Prizreni, Klina, që dikur ishin emër, si Vëllaznimi, Drita, Trepça, Dukagjini, Kalaja, Shpella e Mermertë, Bresalci…

3.
Që nga paslufta e deri sot federatën e drejtuan pothuajse të njëjtit njerëz, duke qenë ata njëkohësisht kryetarë, anëtarë të Këshillit drejtues, trajnerë, lojtarë, gjyqtarë, vëzhgues, anëtarë të komisioneve, të këshillave, të shoqatave e të tjera…  Duke vepruar kështu, volejbollit i është shkaktuar dëmi më i madh, sepse kjo formë e funksionimit e ka ngulfatur pjesën më kreative të këtij sporti, e cila në pamundësi që të ketë hapësirë veprimi, ose është larguar tërësisht nga volejbolli, ose ka mbetur e margjinalizuar; të nëpërkëmbur, të shpërfillur, duke ua pamundësuar prodhuesve të vlerave, që t’i gëzojnë frytet… Këtë e kanë shfrytëzuar pa të drejtë pikërisht ata që e përbënin grupin i cili  në njëfarë mënyre ka kontrolluar gjithçka, duke mos u brengosur se kjo një ditë do t’i bëjë shumë dëm zhvillimit dhe ecjes përpara të volejbollit. Për më shumë se njëzet e pesë vjet, ka parakaluar pothuajse i njëjti staf dhe për të gjitha rezultatet dhe ngecjet kanë pasur barrën dhe përgjegjësinë që të bëjnë analiza, raporte, projekte, programe, madje edhe studime…

Që nga viti 1991 e deri më sot Federata e Volejbollit e Kosovës pati gjashtë kryetarë, dhe secili ka pasur rastin që gjatë mandatit të vet të dëshmojë aftësitë e veta drejtuese… Megjithatë, gjatë gjithë kësaj periudhe me arsyetim se në këtë sport ka pak njerëz, është përsëritur forma e ngjashme e organizimit dhe funksionimit të të gjitha strukturave të këtij asociacioni… Pra, që një anëtar Këshilli ka mundur të jetë gjithçka: që nga trajneri e deri te vëzhguesi!…

4.
Po sot, si qëndron puna? A janë përsëritur të njëjtat forma të organizimit dhe të funksionimit të federatës?

Unë them se po… Madje, siç po reflektojnë një pjesë e Këshillit drejtues,  duket se janë shndërruar në mbrojtës së klubeve prej nga e kanë bazën deleguese dhe jo në mbrojtës dhe në përfaqësim të volejbollit të Kosovës… Ka madje edhe shembuj të tillë, që vazhdojnë të luajnë nëpër skuadra, vazhdojnë të jenë edhe gjyqtarë edhe trajnerë, që është edhe më e veçantë, të jenë nëpër sektorë të ndryshëm të federatës…

Kjo, pa asnjë dyshim, ka të bëjë me konflikt interesi… Si është e mundur që një anëtar  Këshilli apo komisioni të jetë edhe lojtar, edhe trajner, edhe gjyqtar, edhe vëzhgues?

Nëse deri më tash kanë mundur të funksionojnë të gjitha strukturat drejtuese të volejbollit të Kosovës, është mirë që tash e tutje kjo të ndërpritet dhe t’u jepet hapësirë zgjedhjeve dhe emërimeve të njerëzve që nuk do të kenë konflikt interesi…

5.
Kuvendi i Federatës së Volejbollit të Kosovës, që pritet të mbahet së shpejti, i pari duhet të ngrejë zërin kundër këtyre dukurive… Ç’është e vërteta, edhe delegatët e Kuvendit duhet të vijnë jo nga strukturat e trajnerëve dhe lojtarëve, por nga kryesitë e skuadrave dhe të jenë njerëz të pjekur intelektualisht dhe profesionalisht.

Që në asnjë strukturë drejtuese të federatës të mos zgjedhen ata që ende luajnë nëpër skuadra. Asnjë lojtar veprues (aktiv) të mos zgjedhet në asnjë forum profesional të federatës dhe që të mos jenë as gjyqtarë dhe vëzhgues të ndeshjeve zyrtare. Që asnjë lojtar veprues të mos zgjedhet trajner  i cilësdo grupmoshë të përfaqësueseve, sepse veprimi i tillë ia humb vlerat postit, dhe u japin hapësirë atyre që janë gjithçka dhe bëjnë gjithçka, ndërsa më së paku janë trajnerë…

6.
Pranimi në strukturat ndërkombëtare, ka sjellë një përvojë dhe obligime të reja, por edhe entuziazëm gjithandej… Entuziazmi ngadalë dhe me kohë duhet të zëvendësohet me angazhime serioze për ta çuar volejbollin e Kosovës përpara…

Janë bërë disa lëvizje të prekshme… Po funksionon (edhe pse me vështirësi) liga e të rinjve, po zhvillohen garat e paratërinjve dhe të pionierëve në të dy konkurrencat, skuadrat tona për herë të parë kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare, përfaqësueset e Kosovës U-19 dhe U-20 (femrat dhe meshkujt), morën pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, ndërkohë që na presin edhe angazhime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare… Ka pasur disa seminare për trajnerë dhe gjyqtarë, që poashtu ishin të rëndësishme…

7.
Pra, asnjë lojtar veprues (aktiv), një asnjë strukturë dhe komision drejtues të Federatës së Volejbollit. Asnjë trajner, apo lojtar të mos jetë delegat i Kuvendit të Federatës së volejbollit të Kosovës… Asnjë lojtar apo lojtare që janë veprues (aktivë), të mos emërohen në komisione, as të mos zgjedhen trajnerë të asnjë gruposhe të përfqësueses së Kosovës.

Rasti është sot… Nesër bëhet vonë…

(Autori është gazetar i sportit në televizionin “Tribuna Channel”)