Pandemia e frikës e Perëndimit

Pandemia e COVID-19 po forcon një kulturë tashmë ekzistuese frike në Perëndim dhe po zbulon çarje më të thella, si brenda Europës ashtu edhe midis Europës dhe SHBA-së. Por historianët e ardhshëm mund ta konsiderojnë krizën e koronavirusit si një episod që ndryshoi lojën që ndaloi rënien e fuqisë së Perëndimit.

Autor: Dominique Moisi

Nuk është e lehtë të përmbash ndjenjat. Ato na kontrollojnë shumë më tepër sesa mund t’i kontrollojmë ne ato. Dhe gjatë një pandemie, ndjenja mbizotëruese është natyrisht frika.

Të gjendur përballë një bote që duket më e rrezikshme, komplekse dhe e paparashikueshme me çdo ditë që kalon, njerëzit duan të mbrohen dhe sigurohen me çdo kusht. Por ka një vijë ndarëse shumë të hollë midis të qenit të mbrojtur në aspektin shëndetësor dhe një evolucioni të rrezikshëm drejt një Big Brother – me anë të së cilës ne përfundojmë duke hequr dorë nga të gjitha liritë tona të dashura për të mbrojtur shëndetin tonë.

Në përgjithësi, frika është e kundërta e shpresës. Në një botë shprese, njerëzit mendojnë se nesër do të jetë më mirë sesa sot. Por në një botë frike, ata mendojnë se do të jetë më keq. Nga ky këndvështrim, Azia sot duket se është kontinenti i shpresës, ndërsa Europa dhe Amerika e Veriut janë kontinentet e frikës.

Kini parasysh pamjet tepër të ndryshme që vijnë tani nga Italia dhe Kina. Në Itali, pandemia e COVID-19 po shkakton vuajtje të pafundme, deri në atë pikë saqë italianët tani po e flasin për krizën si të ishte 11 shtatori i tyre (referuar sulneve terroriste të 11 shtatorit në SHBA). Në Kinë, nga ana tjetër, ditët e para të pranverës i kanë rikthyer njerëzit në rrugë. Edhe pse akoma me maska, ata po shijojnë ajrin e pastër dhe diellin njësoj si ta kishin fituar luftën kundër virusit.

Është më mirë të jesh i kujdesshëm, sigurisht, sepse COVID-19 mund të rikthehet në Azi, ose mund të mos jetë zhdukur plotësisht nga rajoni. Por Azia sot – dhe veçanërisht Kina, Tajvani, Koreja e Jugut, Hong Kongu, Singapori dhe Japonia – është një burim shprese dhe një model i asaj që Perëndimi mund dhe duhet të kishte bërë shumë më herët për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Liderët e Kinës kanë pretenduar prej kohësh se sistemi i tyre politik autoritar dhe i centralizuar është superior ndaj demokracisë liberale perëndimore. Dhe tani, për herë të tretë në pak më shumë se një dekadë, ata po i tregojnë Perëndimit se sistemi ynë vërtet nuk funksionon.

Pas krizës financiare globale të vitit 2008, Kina u tregua e shpejtë për të denoncuar dështimet e kapitalizmit të stilit perëndimor. Dhe në vitin 2016, referendumi për Brexit i Mbretërisë së Bashkuar dhe zgjedhja pasuese e presidentit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara përforcuan bindjen e Kinës se demokracia funksiononte njësoj keq.

Tani, me pandeminë COVID-19, qeveria kineze po ofrohet të ndihmojë Europën dhe duke bërë këtë, ajo rrit pushtetin e butë të Kinës. Kina në këtë mënyrë nuk e shtrin vetëm ndikimin e saj global përmes tregtisë dhe investimeve, por gjithashtu po shtrin mbrojtjen e saj në një Europë të ndarë dhe të hutuar.

Pandemia është gjithnjë e më destabilizuese për Perëndimin sepse po akumulon një pasiguri të madhe. COVID-19 po forcon një kulturë tashmë ekzistuese frike në Perëndim dhe po zbulon çarje më të thella, si brenda Europës ashtu edhe midis Europës dhe SHBA-së.

Ndërsa Kina dërgon ekspertë mjekësorë, maska ​​mbrojtëse dhe respiratorë në Itali dhe Francë, Amerika nuk po e bën këtë, ndoshta për shkak të mohimit të rrezikut më herët nga ana e Trump. Ndërkohë, Europa i ka kthyer shpinën Italisë për herë të tretë në pak më shumë se një dekadë – në fillim gjatë krizës ekonomike dhe financiare të vitit 2008 që preku seriozisht vendin, pastaj me krizën e emigrantëve që filloi në vitin 2014 dhe tani duke kufizuar eksportet emergjente të mallrave të nevojshme mjekësore.

Por për çfarë na duhet Eruopa nëse ajo nuk mbron qytetarët e saj? Në fakt, zhgënjimi dhe distanca në rritje e Italisë nga Bashkimi Europian është ndoshta shumë më serioze për të ardhmen e projektit Europian sesa vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE-ja. Ndërsa Europa tradhton Italinë dhe Amerikën tradhton Europën, solidariteti europian dhe transatlantik duken gjithnjë e më shumë si pjesë të së kaluarës gati të harruar.

Ndryshe nga kjo, shoqëritë aziatike mund të jenë më të përgatitura për të luftuar pandemitë, sepse ata kanë gjetur një ekuilibër më të mirë midis individit dhe kolektivit. Kjo nuk është çështje regjimesh politike. Mbi të gjitha, vendet aziatike që deri më tani e kanë menaxhuar më mirë pandeminë përfshijnë demokraci si Koreja e Jugut, Tajvani dhe Japonia, një vend me institucione demokratike dhe sundim të ligjit (Singapori) dhe një shtet autoritar (Kina).

Ndryshimi kryesor është praktika spontane (ose në rastin e Kinës e detyruar) e vlerave qytetare në këto shoqëri aziatike. Vendosja e një maskë mbrojtëse është shumë më e zakonshme në Azi sesa në Perëndim, jo vetëm sepse maskat janë më të disponueshme, por edhe sepse ata që i vendosin ato vlerësojnë konsideratën dhe respektin për shëndetin e të tjerëve. Demokracia pa një kulturë qytetare, një fenomen i zakonshëm në Perëndim, është një recetë për katastrofë në rast të një pandemie.

Megjithatë, kriza e COVID-19 përfundimisht mund të ketë një ndikim pozitiv në demokracitë perëndimore duke forcuar besimin te ekspertët dhe duke ekspozuar dhe skualifikuar sharlatanët. Nëse frika e përhapur nga virusi inkurajon sjelljen e përgjegjshme dhe diskrediton zërat populist, ky do të ishte një lajm i mirë për liderët si presidenti francez Emmanuel Macron dhe një lajm i keq për ata si Trump.

Pandemia e koronavirusit vazhdon të shkaktojë një numër të madh viktimash në të gjithë botën. Por historianët pas një shekulli me shumë gjasa do ta konsiderojnë atë si një moment ku loja ndryshoi, i cili jo vetëm që konfirmoi ngritjen e Azisë, por gjithashtu, ndoshta, ndaloi edhe rënien e fuqisë së Perëndimit.