Nostalgjia…

Nga: Xhavit Kajtazi

1.

Ende pa pushuar plagët e luftës, palët ndërlufutese, më saktë përfaqësuesit e tyre, të kapluar nga nostalgjia e ish-krijesës së shpërbërë RSFJ, kohë pas kohe kanë bërë përpjekje që të shpikin një veprimtari sportive, e cila do t’i gjente tok serbët, sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe maqedonët, prore duke u thirrur në domosdonë e themelimit të një të ashtuquajture ligë rajonale, e cila do të grumbullonte skuadrat  e këtyre shteteve. Arsyeja se përse u duket e rëndësishme dhe e domosdoshme përfaqësuesve të futbollit të këtyre shteteve, sipas tyre është një dhe e vetmja: humbja e shikueshmërisë, pas së cilës dalin edhe një varg nënarsyesh të tjera, që, gjithnjë sipas tyre, kanë ndikuar në humbjen e interesimit të shikuesve për të shkuar në stadiume dhe për të parë ndeshjet, që, pos rezultatit, nuk kanë prodhuar as cilësi, pos dobësi nga më të ndryshmet.

2.

Nuk janë vetëm arsyet dhe nënarsyet,që qartazi dëshmojnë dështimin e ligave të këtyre shteteve veç e veç. Gjendja e vështirë ekonomike ka bërë që shumë skuadra të mos arrijnë ta lidhin muajin me muaj, duke u detyruar që të shesin lojtarët jashtë, për pak para.

Këto ditë, në Opati u takua e ashtuquajtura “Jugosllavi futbollistike”, ku u mendua të debatohet për ligën rajonale, por e gjithë kjo u mbyll me shtyrjen e debatit. Ishte kjo mbledhja e dytë rajonale e federatave të futbollit të Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë,  Serbisë dhe Kroacisë, duke vazhduar kështu jetësimin e memorandumit të bashkëpunimit që ishte nënshkruar në mbledhjen e parë në Lubjanë, gjatë këtij viti.

Madje u tha në këtë takim, se bisedimet për ligën rajonale do të zhvillohen në shtator. Në këto bisedime, gjithnjë sipas tyre, do të përfshihet edhe UEFA… Ky grup njerëzish, thuhet më tej, do të paraqiten bashkarisht brenda FIFA-s dhe UEFA-s… Shtrohet pyetja, sa do të zgjasë kjo dashuri, pasi Federata kroate e futbollit dhe Federata serbe e futbollit kanë tashmë qëndrimet e kundërta lidhur me Kosovën; që Shukeri dhe Mamiqi tashmë i kanë premtuar Kosovës ndeshje miqësore, ndërkohë që Serbia vazhdon të bëjë luftë kundër pranimit të futbollit të Kosovës në të dy organizmat ndërkombëtarë të futbollit.

3.

Futbolli i Kosovës, vazhdon të mbetet i izolur. Futbollistët , trajnerët, drejtuesit e klubeve dhe i gjithë opinioni futbolldashës është i zhgënjyer me qëndrimin shpërfillës së FIFA-s dhe UEFA-s, duke e mbajtur të izoluar, pothuajse tërësisht ndërkombëtarizimin e plotë, që po kërkohet nga Kosova me të drejtë dhe me këmbëngulësi që nga viti 1991.

Nisma e disa punëtorëve të futbollit që të krijohet Liga e përbashkët Shqipëri – Kosovë, tashmë del edhe si domsdoshmëri, duke e parë se realiteti i futbollit në këtë rajon tregon se gjithçka po veprohet në dëm të futbolli të Kosovës.

Shtohet sërish pyetja: nëse serbët dhe të tjerët mund të organizojnë ligën rajonale, ku Kosova nuk figuron fare, atëherë pse edhe Kosova nuk ka të drejtë që ta bëj këtë duke kërkuar që të nis realizimi i projektit të Ligës rajonale, ku do të paraqiteshin skuadrat nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali  Zi…

Liga do të ketë kosto shpenzimesh, por edhe përfitime… Cilësia e skuadrave do të ishte shumë më e madhe, dhe interesimi i medieve, sidomos i atyre televizive do të prodhonte një fryt cilësor që në asnjë mënyrë nuk do të shkonte në dem të futbollit rajonal… Përkundrazi, do të rritej cilësia, shikueshmëria, investimet e donatorëve… Madje skuadrat në përbërjet e tyre do të kishin emra të njohur të futbollit, qoftë lojtarë, qoftë trajnerë.

Nëse kjo u lejohet ta bëjnë të tjerët, pse nuk na lejohet dhe nuk mund ta bëjmë edhe ne. Dhe, jo vetëm në futboll, por edhe sportet e tjera. Futbolli, pra sporti përgjithësisht tashmë është shndërruar në një industri, më saktë në një veprimtari përfituese…