Normalizimi i raporteve në regjion, i pa alternativë

Jemi dëshmitar të një realiteti të hidhur të krijuar në Ballkanin Perëndimor, ku popullizmi dhe tentativa për ta zbukuruar të kaluarën po e ngulfat ardhmërinë. Dua të besoj se rruga e daljes nga një situatë e tillë është dialogu, partneriteti dhe normalizimi i raporteve të fqinjësisë së mirë e në veçanti në Ballkanin Perëndimor.

Shkruan Safet Gërxhaliu

Ky dialog dhe bashkëpunim duhet të jetë në funksion të ardhmërisë, ardhmëri e cila duhet të ndërtohet në edukim, në ekonomi dhe zhvillim, në ambientalizëm, në inovacione, në ekonomi cirkulare, në frymë integruese Europiane e më gjerë dhe në veçanti në sundim të rendit dhe ligjit si garancë e arritjes së këtyre objektivave që janë të rëndësive multidimensionale. Më gëzon fakti që javën e kaluar në Berlin, është arritur një marrëveshje për aviotransport në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mbështetjen e SHBA-së dhe Gjermanisë.

Besoj se është një hap i rëndësishëm që në rend të parë duhet falenderuar miqët ndërkombëtar si SHBA dhe EU për mbështetje të marrëveshjeve të tilla që e tejkalojnë rëndësinë bilaterale dhe një marrëveshje e tillë gjeneron efekt pozitiv dhe rajonal, Europian dhe global. Kjo marrëveshje përveç rëndësisë së pakontestuar ekonomike ngërthen në vete edhe rëndësi politike, strategjike dhe mbi të gjitha psikologjike dhe sociale prandaj është një hap i cili do të kontriboj edhe në përmirësimin e imazhit të Ballkanit Perëndimor që është edhe objektiv i “CIF”. Duhet kuptuar që bashkëpunimi në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Serbisë në kohën kur isha në pozitën e kryetarit ka qenë prioritare.

Në këtë drejtim duhet të falenderohet kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, z. Marko Čadež, për gatishmërinë e tij që së bashku përmes një dialogu konsultiv të eleminohen barrierat e të bërit biznes dhe Ballkanin Perëndimor ta promovojmë së bashku nga një rajon i krizave në rajon të perspektivës dhe vizionit zhvillimor. Kemi bërë identifikimin e shtyllave ku duhet të jemi të orientuar që ta avancojmë bashkëpunimin ekonomik dhe në këtë drejtim kemi konstatuar se duhet gjetur mundësi për marrëveshje në fushën e aviotransportit, hekurudhave, postës dhe telekomit, agjencionit të veterinës, doganave, harmonizimin e dokumenteve dhe standardizimit të obliguar.

Në atë kohë kjo iniciativë ndoshta është pritur me skepticizëm por po e shihni që një orientim i tillë sot pjesërisht është realitet dhe dua të besoj që idetë e tilla që i kemi zhvilluar bashkarisht do të jenë realitet dhe obligim në të ardhmen.

(Shkruar nga Sekretari gjeneral i ‘Chamber Investment Forum – WB6’ . Safet Gërxhaliu )