Njeriu dhe shteti me integritet mbrohen vet

Nga Jakup Krasniqi

Në mediat e djeshme lexova, shkrime e prononcime, ku shumë kush ishin hedhur si “skifterë” në “mbrojtje” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kundërshtim të një peticioni. Pas leximit të shumë emrave, thënieve të tyre të “arta”, u ndala dhe mendova gjatë në orët e mbrëmjes. Ku ishin këta trima këtu e 30 vjet, ku ishin edhe para 18 vite, a kish Kosova e qytetarët e saj mbrojtjen e tyre? Po flas për ata që e kishin moshën, e për ndonjërin e moshës sime, e shumë të tjerë, të një moshe më të favorshme se të moshës sime? Nuk munda pa thëne: Oh, sikur t’i kishim këta “skifterë”, në vitet 1998/99 e më herët, po ku t’i gjenim atëherë ata se! Luftën do ta kishim kapërcyer shumë më lehtë! Ndonjëri aso kohe, ( i moshës sime mund të jetë edhe Kryeministri trimosh, i sotmi), i cili jo vetëm që nuk i jepte mjetet e mbledhura për luftën por edhe kërkonte, që mos të financohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës?! Dhe shih, për ketë, bashkëpunëtori i tij, i dyti me radhë, e quante atë Qeveri, kriminale (fjala është për Qeverinë në egzil të Bujar Bukoshit). Kriminale pse e sabotonte luftën çlirimtare. E sot janë bërë bashkë, si Hasa e Hysa në tregimet boshnjake. Dje me Bukoshin e sot me ministrin e tij.

Nuk mund të flas në emër të 100% të shqiptarëve të Kosovës, por mund të flas, në emër te një shumice dominonte të qytetarëve shqiptarë në Kosovë, të cilët, nuk janë as kundër SHBA-së, madje as kundër Ambasadorit të sotshëm Delawie, as kundër BE-së, përkundrazi, si ata dhe unë jemi 100% me vlerat euro-atlantike, pse jemi edhe 100% me vlerat kombëtare. U jemi më shumë se mirënjohës për partneritetin që kemi pasur në të gjitha periudhat (nga viti 1998 e më herët, për çka kam dhënë një kontribut të vogël), që na kanë sjellë te shpallja e Kosovës, Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik, më 17 shkurt 2008. Bile nuk dyshoj as në veten time as në shumicën e qytetarëve, se ne jemi shumë më shumë pro amerikanë, të shtetit e të zyrtarëve të tij në Kosovë, se sa shumë nga ata që e përdorin dhe e keqpërdorin emrin e SHBA-së e të zyrtarëve të saj, si dje ashtu edhe sot, kryekreje e përdorin për interesa të tyre meskine mbase edhe kriminale ndaj Kosovës. Ne i dojmë dhe i respektojmë vlerat euro-perëndimore për Kosovën e jo për t’i mbuluar paudhësitë tona në shkatërrimin e vendit.

As peticionin e nisur nga shoqëria civile, e cila ndihmohet shumë nga SHBA-ja, nuk e shoh si antiamerikanizëm, e shoh si një besim të fuqishëm te qytetarëve të Kosovës në SHBA-të, në Demokracinë Amerikane, në vlerat e asaj bote, që e ruan Botën nga regjime diktatoriale e despotike. Sikur ata mos ta kishin atë besim, në ato vlera, fare nuk do t’i a nisshin asaj pune, e cila nuk them se është e menduar më se miri e as që do të duhej të ndodhte. Ata nuk e kanë asnjë arsyeje të ankohen në Ambasadorin e SHBA-ve, Delawie në Kosovë. Ata i ka mbushur vrer e helme, jo apostrofimi i opozitës si “neveritëse”, sa dyshimi i marrjes në “mbrojtje” i njerëzve më të urryer të Qeverisë së Kosovës, besimi i të cilës ka renë nën 15%. Sidomos mllefi i njerëzve është rritur pas Konferencës fantome te dy Kryeministrave, pas Protestës së mijëra qytetarëve në sheshet e Prishtinës më 17 shkurt 2016. Të cilën protestë Ambasadori e ka vlerësuar lartë! Por atë vlerësim nuk e bënë të paret e shtetit, ata, të parët duhej të reflektonin pozitivisht. Jo vetëm ajo Konferencë para gazetarëve e Kryeministrave tanë, por i gjithë komunikimi i këtyre njerëzve është bërë më shumë se i neveritshëm dhe arrogant për qytetarët e Kosovës. Madje përpjekja për t’i lidhur nënshkruesit e peticionit me opozitën nga këta njerëz (edhe pse opozita në ndonjë rast mund të jetë e pa pjekur), është përpjekje e kotë me qellim të fshehjes se antiamerikanizmit të vërtetë.

Ketë reagim nuk e bëjë për ta mbrojtur as një njeri, se gjatë këtyre 18 viteve (nga viti 1998), kam pasur takime të shumta me zyrtarë edhe të niveleve më të larta të SHB-as, në Kosovë e në SHBA dhe ata kanë informacione më shumë sesa duhet, për aktivitetin dhe qëndrimet e cilitdo njeri që duhet, për Kosovën, shqiptaret, por edhe për SHBA-në. Unë se shoh të nevojshme të lahem e as të përbetohem si pro amerikan a evropian, por se paku ata, që më të gjitha veprimet e tyre të përditshme, janë duke ecur në drejtim të kundërt më vlerat euro-amerikane, mos t’i akuzojnë të tjerët për antiamerikanizëm. Tek e fundit, prej nga ata që nuk i mbrojnë vlerat e tyre kombëtare, nuk e mbrojnë vendin e tyre, do t’i mbrojnë vlerat amerikane dhe Amerikën? Njerëzit me integritet mbrohen vet kudo që janë e jetojnë!

Ta e përfundoj. Jam i bindur se SHBA-së nuk ju duhet mbështetja e njerëzve që i servilosen këtij e atij qeveritari a zyrtari, por ju duhen njerëzit me integritet, se njerëzit me integritet qëndrojnë në themelet e shtetit e të Demokracisë Amerikane. SHBA-të, në Kosovë kanë nevojë për njerëz st abil, për njerëz me integritet, për njerëz që ndërtojnë shtetin e së drejtës, për njerëz të besueshëm e jo mashtrues, për njerëz që zhvillojnë e përparojnë Kosovën, për njerëz që dinë t’i marrin vendimet e duhura në kohë të duhur. Ndërsa nuk kanë aspak nevojë për mashtrues, të pa besë e të korruptuar siç janë: qeveritaret tanë, por edhe njerëzit e pushteteve të tjera. Eh, sikur të ishin vetëm qeveritaret! Ndoshta, mbështetja (në dukje) e këtyre njerëzve, instinktivisht ka prodhuar reagimin e shoqërisë civile ndaj Ambasadorit! Kështu besoj unë! Përndryshe, rryma të ndryshme fetare, që nuk lidhen me vlerat e kulturës sonë kombëtare, i gjejmë në radhët e koalicionit qeverisës. Bërja më gisht në drejtime të tjera është mashtrimi i radhës!

Ky “orkestër” i çakorduar njerëzve të pa dinjitet e integritet, vendit dhe popullit tonë nuk i ka munguar, se paku jo që nga viti i largët 1468. Pse të na mungojnë edhe sot? Të tillë njerëz ka në secilin komb, dallimi është në krahasim me kombe të tjera, se këta njerëz i kemi në krye te shtetit! Dhe pastaj ec e bënë shtet kredibil me të tillë njerëz!