Njeriu dhe Islami, si shkas Kosova dhe toleranca mes nesh!

Problemi kryesor i shqiptarëve dhe i popujve tjerë të rajonit nuk është varfëria, por toleranca dhe morali në kuptimin e përgjithshëm të tij. Kërkesa për tolerancë mes etnive mbetet fjalë boshe përderisa ne nuk jemi tolerantë në familje, në rrugë, në komunikacion, në punë, në lagje, në qytet dhe gjithkund ku jetojmë. Toleranca si problem zë fill në brendësinë tonë dhe nga aty mund të shërohet.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Njeriu është zotëruesi i vetëm absolut i natyrës, është i shpalluri zëvendës i Zotit në tokë, nga vet Zoti. Njeriut iu la në dorë menaxhimi i jetës në tërësi. Në dispozicion ka çdo gjë, për të qenë zëvendësi i denjë i Zotit, prandaj ai është përgjegjës për çdo gjë që ndodh rreth tij. Rregullimi material i jetës si dhe frymëzimi shpirtëror, janë gjithashtu në dorën e tij. Ai nuk ka të drejt ti ankohet askujt përse nuk ka dhe nuk mundet më shumë. Fati i tij, është në dorën e vet, sepse dora e tij është shkopi i dirigjentit të jetës, jo vetëm të tij.
Askush nuk mund të mohoj rëndësinë e të mirave materiale për lumturi dhe mirëqenie sociale. Vet përbërja biologjike jona është e kushtëzuar nga ato. Pa së paku minimumin e këtyre nevojave, jeta e njeriut nuk do të ishte jetë normale.
Gjithsesi, materialja nuk është e vetmja komponentë që e bënë të lumtur jetën tonë. Është dhe mënyra e krijimit të marrëdhënieve mes njerëzve e rëndësishme. Nëse marrëdhëniet ndër-njerëzore brenda një etnie, brenda një shoqërie apo mes popujve nuk bazohen dhe nuk funksionojnë mbi bazën e moralit, barazisë, drejtësisë dhe tolerancës, aty, e mira materiale sa do të jetë e madhe, nuk siguron mirëqenien e dëshiruar. Për shkak të marrëdhënieve jo të mira, si dhe për shkak të padrejtësive dhe shkeljeve të drejtave, në të shumtën e rasteve janë nxitur protesta, revolucione dhe luftëra të cilat për fat të keq kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë jo vetëm të mirat materiale por edhe jetën në përgjithësi.
Po të kishte mes njerëzve raporte vëllazërore dhe të shikohej në tjetrin, pa marrë parasysh fenë, fisin, etninë, përkatësinë politike apo racore, si vëlla dhe nëse popujt pranojnë të tjerët të barabartë në familjen njerëzore, luftëra nuk do të kishte. Kështu, edhe të mirat materiale do të ndihmonin për jetë më të mirë.
***
Islami, në mënyrë të përpiktë dhe shumë drejtë i qaset problemit të marrëdhënieve mes njerëzve. Duke prezantuar qëndrimet e veta në lidhje me këtë, Islami nuk ka mund dhe nuk mund të mos ketë parasysh faktorët social dhe të tjerë që ndikojnë në procesin e zhvillimeve shoqërore. Si rezultat i atyre dhe të asosh faktorëve, përgjatë historisë, janë paraqitur momente të ndryshme që në rrethana historike dhe gjeografike janë formësuar kategori të racave, popujve, shteteve, fiseve e familjeve, gjithsesi edhe ndryshueshmëri në ngjyrën e lëkurës dhe dallime tjera fizike.
Është gabim nëse këto kategori veprojnë si mure ndarëse apo si mundësi për privilegje. Ato nuk janë dhe as nuk bënë të konsiderohen perde ndasie mes njerëzve. Ato duhet pranuar si pjesë përbërëse të një tërësie unike të cilat, nëpërmes kohezionit interaktiv, me dashuri, tolerancë dhe moralshëm ndërlidhen ngushtë dhe plotësojnë njëra tjetrën.
Sipas mësimeve islame, pa marrë parasysh dallimet mes mashkullit dhe femrës, që në fakt, të dy këto kategori formojnë familjen që pa të nuk mund të ishte imagjinuar shoqëria njerëzore, njashtu edhe dallimet mes racave e popujve kanë po të njëjtin qëllim; formimin e një shoqërie si tërësi unike e cila gjithsesi vepron mbi marrëdhëniet e mira mes “pjesëve” të asaj tërësie. Këtu nuk duhet, dhe guxon të ketë dallime.
Është e natyrshme pra sipas këtij procesi biologjik dhe historik që njerëzit janë të ndarë dhe ndryshëm në raca, popuj, fise e familje. Islami si vizion që vepron paralelisht me ligjet e historisë, njeh këtë realitet dhe në atë drejtim orientohet. Sipas Islamit, është e panatyrshme që një rend natyror të jetë shkak për vrasje, eksploatime apo shkelje mbi të drejtat e të tjerëve. Eksploatime nuk guxon të ketë as të individit mbi individin e as të një shoqërie mbi shoqërinë tjetër. Kjo do të ishte në kundërshtim me arsyetimet biologjike, historike dhe natyrore. Të gjithë njerëzit, të bardhë dhe të zi, të varfër dhe të pasur, të arsimuar dhe të prapambetur i takojnë një shoqërie unike njerëzore e cila, domosdo duhet të funksionoj mbi bazën e marrëdhënieve të mira mes vete.
Muhamedi a.s., kur po themelonte shoqërinë e parë myslimane dhe rendin e ri islam, praktikisht përpunoi konceptin e Islamit mbi shoqërinë. Është i njohur fjalimi i tij në haxhin lamtumirës: “O njerëz, ju keni një Zot dhe një babë të vetëm. Të gjithë vini nga Ademi, ndërsa Ademi është prej dheu. Më i miri nga ju është ai që bënë më së shumti mirësi. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë dallime mes arabit dhe jo-arabit, s’ka përparësi i kuqi mbi të bardhin e as i bardhi mbi të kuqin. E vetmja gjë që ju dallon mes vete është vepra e mirë që bëni”.
Është shumë vështirë të mbetesh indiferent e të mos mahnitesh para këtij koncepti logjik dhe kaq konciz të profetit mbi shoqërinë. Kjo pikëpamje sot na duket edhe më e madhërishme kur kemi parasysh kohën kur është thënë. Edhe pas 15 shekuj nga ajo kohë, sot, shoqëri të tëra e miliona njerëz ende luftojnë për të drejtat e tyre themelore. Shekulli 21 është dëshmitar i hidhur për gjendjen faktike të njeriut. Diskriminimi, eksploatimi, nënshtrimi, gjenocidi e të tjera fjalë janë turpi i shoqërisë moderne. Shoqëria ditë e më shumë po humb domethënien e vet. Është i pakuptimtë fakti që në Ballkan këto terme ende janë vokabular i shumë politikanëve. Ata që bënë gjenocid, persekutime dhe vrasje mizore mbrohen, ndërsa dënohen ata që ishin viktima të gjenocideve të vazhdueshme nëpër shekuj. Në Lindje, gjendja është më tragjike. Njeriu atje nuk vlen as për pesë pare. Gati kudo, gjuha e butë e fesë, e shpallur butësisht nga Allahu, sot, thuajse tërësisht ka humbur kuptimin. Në vend të saj, shpesh herë fetarët dhe të tjerët flasin egër, egër transmetojnë fenë dhe egërsisht shtynë të tjerët në veprime të egra.
Me çfarë të drejte dikush merr guximin e shkel mbi hakun e të tjerëve?
Zoti të gjithë njerëzit i ka krijuar vëllezër, kanë një Krijues, një baba dhe vijnë nga e njëjta materie. Zoti Krijues, Ademi baba dhe materia nga e cila u krijuan dhe ku do të kthehet janë tri elemente të përbashkëta të familjes njerëzore. Kërkesa e parë e profetit ishte besimi në Zotin dhe barazi mes njerëzve. Është e njohur porosia e Muhamedit a.s. drejtuar shokëve të tij se: “Kush shqetëson jo-myslimanët dhe kush i dëmton ata, në ditën e gjykimit do të dëshmoj kundër tij dhe do të me ketë kundërshtar të hapur”.

Të frymëzuar nga nektari i mësimeve të profetit, halifët e drejtë pasuan rrugën e mësuesit të tyre. Edhe atëherë kur shteti islam ishte në kulminacionin e fuqisë së vet, marrëdhëniet ndër-njerëzore ruheshin si sytë e ballit, sepse, fuqia e shtetit bazohej pikërisht mbi marrëdhëniet e mira mes njerëzve. Myslimanët e atëhershëm e ruanin shumë këtë thesar të Islamit. Kur Aliu r.a. vendosi të dërgojë Malik ibn el-Harisin për guvernator të Egjiptit, në letrën kredenciale i shkroi: “Zemra yte të jetë e mbushur me mëshirë dhe dashuri ndaj njerëzve. Bëhu i butë ndaj tyre. Mos u bë si bisha që mbanë viktimën nën kthetra e veta. Pakicat pranoj si vëllezër ose nga feja, nëse janë mysliman, ose nga krijimi, sepse janë njerëz. Nëse dikush gabon ndaj teje, me qëllim apo pa te, fale njëjtë sikur Zoti të falë ty kur ti gabon ndaj Tij. Ti je kujdestari i tyre. Mos harro, se edhe ti ke një kujdestar. Mbikëqyrësi dhe kujdestari yt është Krijuesi i Madhërishëm.”
Është fakt që njerëzit i kanë takuar dhe vazhdojnë ti takojnë besimeve të ndryshme, që mbështesin ideologji të ndryshme dhe që kanë pikëpamje tjera nga të tjerët. Njerëzit kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk mund të jenë të njëjtë në mendimet e tyre. Kjo, as nuk duhet kërkuar e as është e dobishme. Progresi në fakt është rezultati i mendimeve ndryshe, i qëndrimeve ndryshe dhe i qasjeve ndryshe të zgjidhjes së problemeve.
Është gjithashtu fakt i pamohueshëm se, meqë njerëzit i takojnë një të vetmes familje njerëzore, të gjithë duhet ti gëzojnë të drejtat themelore. S’ka dhe nuk guxon të ketë njerëz me privilegje, përveç privilegjeve mbi bazën e vlerave personale të individit. Vlera individuale është masa kryesore dalluese të cilën e pranon Islami. Islami vlerëson cilin do individ, pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Besimi në Zotin është thjeshtë çështje me Zotin, ndërsa vlera e individit është edhe për njeriun. Islamit asnjëherë nuk i ka penguar dhe nuk i pengon kooperimi i ndërfetarë. Bartësit e vlerave islame, në kohë të ndryshme promovuan këtë vizion të Kuranit në mënyrën më besnike. Udhëheqësi mysliman Harun el-Rashidi ia kishte besuar arkën e shtetit Novan Masuit, një i krishter i rryer. Është e pamundur të numërohen të gjithë të jo-muslimanët të cilët kishin pozita të larta në historinë e shtetit islam. Bahtisi i krishterë ishte mjeku personal i Mensurit, Jovani autorizohet nga Memuni të përkthejë thesarin e filozofisë dhe mjekësisë, Selmoni ishte mjek në pallatin mbretëror të Mutesimit, Hunejni përkthyes i filozofisë së Aristotelit në kohën e Mutevekilit, Matia bin Junusi, një klerik i krishterë dhe Kosta Balebeku ishin mësues të fëmijëve të halifit. Këta dhe shumë të tjerë ishin pjesë e elitave të shoqërisë myslimane, ani pse mbetën të krishterë dhe ruanin fenë dhe traditat e tyre. Po sot, cila bashkësi fetare nën qiellin ku po jetojmë punëson ndonjë nga fetë tjera dhe përse Bashkësia Islame e Kosovës, në këtë kontekts nuk mendon të jetë model i mirë edhe për të tjerët?
****
Historikisht, e kaluara jonë kombëtare është e ngjeshur me ngjarje dhe emra që mund ti shërbejnë për të mirë të tanishmes sonë. Edhe pse aty këtu disa herë kemi pasur momente të hidhura, pikërisht për shkak të pikëpamjeve dhe individëve që i kanë shërbyer të ligës më tepër se që duhej të ishin në vijën e kontributit për tolerancë, shqiptarët megjithatë janë shembull i mirë për jetë të përbashkët mes njerëzve. Shqiptarët myslimanë shumicë, nëpër histori kanë ruajtur bashkëkombësit e tyre, por edhe të tjerët. Edhe më tutje jemi të tillë. Edhe gjeneratat e reja duhet të frymëzohen me ide përparimtare, tolerante dhe bashkëpunimi mes njerëzve. Gjuha e urrejtjes duhet larguar nga fjalori i fesë, politikës dhe jetës sociale. Duhet të krijojmë gjeneratën e dashurisë, humanizmit, gjeneratën e cila donë dhe respekton njeriun, pa marrë parasysh si quhet ai njeri, cilës fe i takon, cilës etni, cilës pikëpamje apo ideologji. Duhet krijuar një gjeneratë politikanësh qe mendon për të mirën e njeriut të këtij nënqielli e jo që shkelë mbi vlera, që shfrytëzon pozitën për interesa të ngushta. Jeta, sa do e gjatë të jetë për nga vështirësitë, ajo është e shkurtër sa për ti dalë Allahut përpara dhe ti përgjigjemi për të bëmat tona në ketë botë. Ideja për koegzistencë duhet të mbushë jetën e gjeneratës së re, ta përcaktoj kahen dhe mënyrën e aktivitetit entuziast, ambicioz dhe me frymë demokratike. Duhet të jetë i mbushur me dashuri, humanitet dhe ti shërbej njeriut, cilit do qoftë, me rëndësi të jetë njeri.
Mos të harrojmë, lufta sektare ne Lindje te Mesme, thuajse të gjithë kundër të gjithëve duhet të merret si leksion për ne dhe për popujt e Ballkanit. Betejat e përgjakshme, shumica e tyre për pushtet, hajni dhe pushtet të përjetshëm janë të neveritshme dhe si të tilla të kuptohen edhe nga ne. Institucionet përkatëse të Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të jenë edhe më vigjilent karshi individëve të cilët, ose për shkak të injorancës së tyre në lidhje me fenë, ose për shkak të interesave të ngushta, herë pas herë, në mjete sociale, televizione, gazeta e revista, aq më shumë nëpër tubime e ligjërime të ndryshme po mbjellin dhe ujitin përçarjen mes nesh, që do të ishte shumë e rrezikshme. Feja, në asnjë mënyrë nuk duhet përdorë për qëllime të këqija, ajo është larg çdo veprimi të lig që bëhet në emër të saj. Nga ana tjetër, edhe ata që sulmojnë fenë për qëllime të caktuara janë po aq të dëmshëm, nëse jo më shumë. Shija e individit karshi fesë nuk guxon të ekspozohet si imponim ndaj të tjerëve. Nuk është vështirtë ta manipulosh një popull me një papunësi të madhe, në një varfëri të skajshme, ku pjesëtarët e atij populli kanë nevojë për punë dhe për një jetë më të mirë.
Bindshëm besojmë se raportet e mira ndër-njerëzore janë bazë për zhvillimin e gjithëmbarshëm edhe të vendit tonë. Radhazi kemi folur dhe shkruar se xhamitë e Kosovës munden dhe duhet të luajnë rol me rëndësi në shpjegimin e drejtë të fesë, me një gjuhë tolerante, ashtu siç porositë Allahu i Madhërishëm. Imamët që nuk janë të prirë të bëjnë këtë, duhet tu përgatiten seminare, tu shpjegohen metodat e ligjërimit të nevojshëm për nënqiellin ku jetojmë. Jo çdo gjë që mësohet në tokat arabe bënë të thuhet këndej, sikur jo çdo gjë që e lexojnë mund ta thonë nëpër xhami. Bashkësia Islame e Kosovës edhe më tutje po mbetet në margjina pikërisht për shkak të veprimeve destruktive sidomos në dhjetë vitet e fundit. Udhëheqësit e saj, kanë përgjegjësi morale dhe ligjore të lëvizin në drejtim të duhur. Vetëkënaqësia që i ka kapluar udhëheqësit e saj i ka mbyllur në vete dhe janë shumë larg rolit që duhet ta kenë. Ata janë përgjegjësit kryesor, nëse jo të vetmit për gjendjen e rëndë të fesë, për indoktrinimet e të rinjve tanë dhe për shpjegimet shumë herë të gabueshme që i bëjnë fesë islame. Edhe pse krerët e Bashkësisë Islame të tanishme të Kosovës janë zhytur në betejën e tyre për pushtet të paligjshëm, fatmirësisht institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës ka qenë dhe ende vazhdon të jetë kullë e mbrojtjes së dinjitetit shqiptar.
Konferenca ndërfetare me përmasa ndërkombëtare e mbajtur këtyre ditëve në Prishtinë ishte një fillim i mirë, mbase me refleksione pozitive që mund ti prezantohen shoqërisë kosovare. Në këtë konferencë pati më shume se 200 pjesëmarrës nga e gjithë bota. Ndërkohë, Twitter njoftoi se Konferenca Ndërfetare në Prishtinë ishte aktualisht në mesin e dhjetë ngjarjeve më të ndjekura në këtë rrjet social.
Inspiruar nga kjo konferencë, marrim guximin ti drejtohemi hoxhallarëve, priftërinjve, pastorëve dhe të tjerëve të bëjnë edhe më shumë për të mirën e përgjithshme të kombit tonë. Njerëzit e fesë, të frymëzuar nga brumi hyjnor munden dhe kanë për detyrë të jenë me vigjilent karshi ngjarjeve të kohës dhe hapësirës ku po jetojmë. Kjo tokë është jona, aty korrim atë që ne e mbjellim. E pra, të gjithë se bashku duhet mbjellë mirësinë, për ta gëzuar të tashmen dhe kohët që po vijnë.