Në kurrizin e SHBA-së

Shkruan: Linda Gjokaj

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën asnjëherë nuk ka munguar. Ndonëse ka pasur modifikime dhe luhatje me ndërrimin e politikave globale dhe krizave në Lindjen e Mesme, kjo marrëdhënie nuk është shkëputur as sot. Përkrahja që iu dha shpalljes zyrtare të kandidaturës për presidente Hillari Klinton-it, konfirmoi edhe një herë fuqishëm qasjen pro amerikane që Kosovarët e kanë kultivuar me vite. Kosova padyshim që fitoren potenciale të kandidates demokrate e sheh si mbështetje të fuqishme që do të kontribuoj në fuqizimin e rolit të Kosovës në sferën ndërkombëtare, e sidomos në raportet e Kosovës me vendet e BE-së. Por, përkundër kësaj miqësie të përjetshme dhe tentativat për përforcime diplomatike, është e rëndësishme të kuptojmë se përse euforia jonë karshi ngjarjeve në SHBA-ve duhet të rishikohet. Intervenimet diplomatike të SHBA-së në Kosovë mund të jenë të rëndësishme por jo edhe vendimtare, sepse performanca e Kosovës si shtet, është në duart tona, e jo në mëshirën e ndërkombëtarëve.

Është konfirmuar shumë herë se tashmë Kosova hyn krejtësisht në radhën e çështjeve evropiane e jo në ato globale, prandaj është mirë të rikujtojmë angazhimet e SHBA-ve në vendet e lindjes së Mesme dhe rolin e saj dominant në botë. Një shtet i vogël siç jemi ne, nuk duhet të pretendojmë më shumë vend në sferën ndërkombëtare sesa disa anëtarësim në strukturat euroatlantike. Rrjedhimisht, roli i Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim është dukshëm më i vogël krahasuar me rolin e BE-së. Prandaj, ndoshta do të ishte më mirë që Kosova të favorizonte Frederika Mogherinin në vend të Hillarit, mbase kjo do ta fuqizonte rolin dhe imazhin e Kosovës në botë, e mbi të gjitha të përshpejtonte proceset e integrimeve të shumë pritura euroatlantike.

Angazhimi i miqve amerikanë në ndërtimin e një shteti stabil dhe demokratik, që nga paslufta ka qenë i jashtëzakonshëm. Pavarësisht luhatjeve të brendshme ekonomike dhe ndërrimet e qeverisjeve, qëndrimi i SHBA-së për Kosovën ka qenë i prerë. Prandaj, debatet e fundit mbi atë se partia demokratike, gjegjësisht kandidatja për Presidente Hillary Klinton, do e mbështesë diplomacinë Kosovare më fuqishëm se qeverisja republikane është i gabuar. Qasja pozitive e SHBA-ve dhe mbështetja e tyre, ka qenë evidente gjithmonë në Kosovë. Për sa kohë që Kosova nuk do arrijë fuqizimin e nevojshëm politik dhe ekonomik, do të kemi mbështetjen e vazhdueshme, prandaj mendoj se pak qon peshë se a janë demokratët apo republikanët në pushtet, kur dihen tashmë qëndrimet dhe rrjedha e marrëdhënieve në mes të këtyre dy vendeve.

Miqësia me SHBA-të duket të jetë e përhershme, por me familjen Klinton, filloi qysh nga lufta e fundit në Kosovë, duke u fuqizuar pastaj me vizitat e Hillarit dhe Bill në Kosovë që gjithherë kanë sinjalizuar mbështetje dhe bashkëpunim. Shpejtë u familjarizuam me Klintonët, i nderuam me statujën e Bill Klintonit në sheshin që mbanë emrin e tij dhe me dyqanin që mban emrin e “Hillary-t”. Megjithatë, këto dhurata nuk sigurojnë domosdoshmërish mbështetje dhe diplomaci më të fuqishme nga ana e SHBA-së. Statusi demokratik i shtetit të Kosovës dhe gjendja relativisht e mirë krahasuar me vitet e 90-ta  është një përmbushje e miqësisë së  çiftit Klinton me Kosovën. Pa e zbehur a harruar historinë e viteve të 90-ta, ku intervenimet e SHBA-së  ishin vendimtare për ekzistencën e Kosovës, mendoj se falënderimi më i mirë për amerikanët do të ishte puna për një shtet Kosovar zhvilluar dhe një demokraci multietnike, e jo të merremi me punët e tyre.

Prandaj, duhet të sjellim ndër mend se çështjet politike gjithmonë shkojnë përtej raporteve miqësore, ato udhëhiqen nga interesa të caktuar të secilit vend. Këndej zhvillimet në SHBA nuk mund dhe nuk duhet të jenë prioritet karshi problemeve politike, ekonomike e sociale që ka Kosova çdo dite. Gjithnjë e më shumë po minimizohen ndërhyrjet ndërkombëtare në Kosovë, ndoshta duhet të jemi gati një ditë të ecim pa SHBA-të ngase interesi i saj për ti qëndruar pranë Kosovës normalisht që nuk është i përjetshëm.