Në ditën e demokracisë, Kosova pa Demokraci!

Nga Argjend Zejnaj:

Kosova nuk është në ditët e saj që politikanët të bëjnë vetëm politikë me të.

Vendit tonë po i kanoset dhuna nga një politikë e verbuar e cila mund të lërë njolla për jetën e secilit prej nesh, për gjenerata të tëra. Kjo nuk ka të bëjë me koncepte individuale të dikujt, sepse me kete logjike viktimat nuk do të jenë individuale por do të jemi të tërë, si shoqëri, të tillë.

Askush nga ne, pa marrë parasysh se në cilin qytet jeton, ose se a punon apo çfarë punë bën, nuk është i sigurt, për të ardhmen e tij, në këtë logjikë të dominimit matematikor të pushtetit, “…i kemi votat, e na takojnë t’i kemi të gjitha”.

Shume shpesh na ka ndodhë që të “nderojmë” djajtë duke i menduar si engjuj, nuk kemi dashur ta pranojmë arrogancën e tyre dhe përdorimin e forcës, shume shpesh i justifikojmë ata që janë të gatshëm për të ndërtuar pushtetin e tyre mbi vuajtjet dhe ëndërrat e prishura të të tjerëve.

Disa që sot janë në pushtet (por edhe opozitë), që thërrasin kundër dhunës e gjakderdhjes jashtë Kosovës, nuk e bëjnë të njëjtën gjë për këtu brenda vendit.
Disa të pushtetit (që rrinë gjithë kohës duke “zhbiruar” veshët e ndërkombëtarëve) që akuzojnë të tjerët për nxitje të dhunës, i kanë nxitur ato vetë me sjelljen e papërgjegjshmë të tyre.

Këta të pushtetit (bashkë me disa të opozitës) kërkojnë për “koka turku”, e për komplote, por një gjë harrojnë, dhuna shtynë në dhunë, trysnia sjell hakmarjen dhe pastaj, vetëm një mrekulli mbinjerëzore në mes të shoqërisë, një ndryshim fundamental i saj mund ta largonte këtë kompleks nga mendjet tona atëherë kur do të jetë vonë.

Një lloj tjetër dhune, që është më e ngadaltë për t’u kuptuar, por është po aq shkatërruese sa shperthimi i disa bombave, është dhuna e institucioneve, inferioriteti, mos veprimi i tyre, ose veprimi i pamenduar, qe po na dërgon drejt dekompozimit shoqërorë, kjo dhunë po i prek të varfërit, po e rritë edhe me shumë numrin e po thellon edhe me tepër varfërinë e tyre, kjo një ditë do të helmoi fortë mardhëniet midis njerëzve të Kosovës, për padrejtësinë ekonomike që egziston.

Dallimi për arsye ekonomike, shkatërrimi i ngadalshëm i një fëmije nga uria, kur i shtojmë sëmundjet, (që në 90 përqind te rasteve, nuk shërohen brenda vendit), shkollat milionëshe e pa libra dhe shumë familje pa shtëpi, edhe kur i kanë, janë pa ngrohje në dimër, këto do të duhej ta thyenin në shpirt njeriun e pushtetit i cili ia mohon qytetarëve mundësinë për të qëndruar si njerëz, në mes te njerëzve dhe kjo ndikon tek të gjithë ne pastaj, e na bënë që të jemi urryesit me të mëdhenj ndaj këtij pushteti, të individit, jo i institucioneve.

Kur pushteti i lajmërohet qytetarit vetëm atëherë kur duhet ta ketë frikë, kur pushtetarët i thonë se njeriu nuk mund të quhet i tillë, për shkak të bindjeve politike, kur pushteti deklarohet çdo ditë përmes atij dreq Facebook-u, se ata që ndryshojnë nga ti, kërcënojnë lirinë, punën ose familjen tënde, atëherë ti je ka e mëson qytetarin t’i shohë të tjerët jo si bashkëqytetarë me të cilët duhet të jetoje e të bashkëpunojë, por si kundërshtarë, që duhet t’i nënshtrojë.

Na “verboni” duke i ngritë disa fletushka që ju i quani programe gjatë zgjedhjeve, por kur ne kërkojme që t’i zbatoni ato, ju arsyetoheni me mos pasje të buxhetit. Po a nuk e keni ditë që zhvillimi nuk bëhet me një program e më disa fletushka?

Pse nuk ndaleni një moment, me ata xhipat e zi e të blinduar, e të shikoni për rreth ata që jetojnë “barabartë” me juve vetëm në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë, por jo barabarsisht edhe në “sofër”, edhe ata njerëz që ju rrethojnë kanë dëshira e besa edhe kërkojnë që të jetojnë në lumturi e në paqe, pa diferenca, ashtu si ju.

Zbrisni me këmbë në tokë, t’iu lidhë fati i përbashkët, synimet e përbashkëta me njerëzit tuaj, me njerëzit e Kosovës, sepse ajo do t’u mësojë më së miri diçka, iu mëson t’i shihni ata që iu rrethojnë, si miq, me të cilët duhet punuar që të mos i hapen plagë vendit, e të mos i lëmë trashëgimi të keqe gjeneratave për të ardhmen.

Urime Dita Ndërkombëtare e Demokracisë!

Autori është Koordinator i Grupit Parlamentar të AAK-së