Narkoza e vizave – mit apo realitet (14)

Shkruan: Agron Hoti

Lufta për tregje dhe fuqi punëtore

Kur sheh firmat e BE-së që investojnë miliarda dhe zhvendosin zinxhirë fabrikash nëpër vende me popullsi të mëdha, të cilat vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, atëherë a mund ta mohojë dikush të qëndruarit e qeverive të vendeve të BE-së mbrapa këtyre firmave të mëdha?! Tekefundit, janë qeveritë ato që promovojnë politikat e tyre për t’i rritur eksportet dhe investimet nëpër vende të ndryshme të botës dhe kjo nuk mund të jetë ndryshe.

Pra, kjo do të thotë që çdo establishment politik, pa marrë parasysh se ku në glob, është në shërbim të firmave që janë të interesuara të investojnë nëpër vende të ndryshme në botë. E shtetet e varura nga eksporti i prijnë valles për të pasur qasje në tregje të reja, fatkeqësisht jo gjithmonë brenda rregullave të lejuara. Ndërkaq, rregullat e palejuara në Kosovë quhen korrupsion dhe krim i organizuar, diku tjetër quhen partneritete, lobingje, interes i përbashkët etj.

Vendet e fuqishme tashmë kanë një sfidë të madhe para vetes. Të robotizojnë prodhimin për aq sa munden dhe të sigurojnë fuqi të re punëtore për t’i mbajtur gjallë ekonomitë siç është rasti me Japoninë, Gjermaninë, Korenë Jugore, SHBA, etj. Nëse Kosova dhe rajoni nuk marrin masa nxitëse të mjaftueshme nga BE për zhvillim ekonomik, atëherë është e vetë-kuptueshme që fuqia e re punëtore, më saktësisht ratat e emigracionit, do të rriten kryesisht drejt tregut të BE-së. Për pasojë ikja e fuqisë së re punëtore do të jetë dërrmuese për ekonomitë e Kosovës dhe të Ballkanit.

Në anën tjetër as edhe një qeveri e vendeve të BE-së nuk ka arritur deri më sot që të bindë qytetarët e saj lidhur me nevojën imediate për fuqi të re punëtore, e cila duhet siguruar nga vendet e treta (vendet jashtë BE-së), e në rastin konkret nga Ballkani, sepse ka një perceptim që njerëzit nga Ballkani, duke qenë se jetojnë në Evropë, janë shumë më lehtë të integrueshëm dhe pse jo më të pranueshëm në tregun e punës së BE-së.

Qytetarët e vendeve të ndryshme të BE-së, sidomos atyre vendeve që tashmë hapur po kërkojnë fuqi të re punëtore, nuk duan ose nuk janë ende të gatshëm të shohin të kenë në zyrën e tyre kolegë pune që janë nga vendet kryesisht aziatike apo afrikane. Ka shumë studime që flasin për këtë refuzim. Dhe kjo qasje e ngurtë përbën sfidë për ekonomitë e vendeve që kanë nevojë për fuqi punëtore.

Ndërkohë që politikat e këtyre shteteve – edhe pse të vetëdijshme për nevojat dhe projeksionet e shtetit – nuk ja kanë dalë që të bindin qytetarët e tyre për rritje të imigracionit, sepse një ndërmarrje e tillë vetëm sa është duke e rritur të djathtën ekstreme, efektet e të cilës tashmë janë duke i ndier në tërë BE-në, diku më shumë e diku më pak. Japonia është rasti më tipik i shtetit që për të mbajtur gjallë ekonominë nga viti 2019, ndër të tjera, do të fillojë të pranojë fuqi punëtore të pakualifikuar, diçka për të cilën opinioni publik japonez nuk është fare i përgatitur.

Gjermania, edhe pse pati rritje ekonomike nga refugjatët sirianë (kjo sipas Ruchir Sharma në librin e tij “Ngritja dhe rënia e kombeve”), establishmenti politik në ekonominë gjigante të BE-së pagoi çmimin, pra kriza e refugjatëve e dëmtoi rëndë reputacionin e Kancelares Merkel, fuqizoi forcat e djathta dhe dobësoi dukshëm partitë tradicionale gjermane (SPD, CDU, CSU). Ndërkohë që sipas Ruchir Sharmas, Gjermanisë deri në vitin 2030 i duhen nga së paku 1 milion fuqi punëtore e re në vit, diçka që publiku gjerman as që është i gatshëm ta pranojë, edhe pse ekonomia gjermane e kërkon sa më shpejtë fillimin e një veprimi të tillë.

Vetë rezultati i zgjedhjeve në Bavari në tetor 2018 ishte indikatori më i qartë i dobësimit të pozicionit të Zonjës Merkel në politikën gjermane. E një dobësim i pozicionit të Zonjës Merkel do të zbehë rolin e saj edhe në shtyrjen përpara të rend-ditës evropiane. Ngecja e kësaj rend-dite do të jetë me pasoja për të ardhmen e BE-së, pasi zërat kritikë ndaj Brukselit janë duke u rritur gjithandej brenda BE-së e sidomos në vende që kanë probleme me borxh publik dhe vende tjera që janë duke flirtuar haptazi me Rusinë dhe Kinën.

Por, nuk duhet harruar se kriza e refugjatëve, pikërisht nga kjo mospërgatitje e qytetarëve të BE-së, solli buzë greminës projektin evropian. Rasti i Brexit-it është më tipiku që doli si rezultat i krizës financiare, krizës së refugjatëve dhe nga kokëdhimbja kronike britanike për të mos qëndruar nën juridiksionin e Evropës Kontinentale, që praktikisht i bie juridiksioni gjermano-francez.

Vakumi në BE

Por nuk duhet harruar që BE do të lëngojë për një kohë të gjatë nga nevoja për fuqi të re punëtore nga jashtë dhe sa më shpejtë që qeveritë e vendeve të BE-së e kuptojnë këtë fakt dhe ua ‘shesin’ sa më mirë qytetarëve të tyre, aq më mirë do të jetë për ekonomitë evropiane. Çdo devijim nga ky kurs, p.sh. fuqizimi i mëtejmë i partive me orientime ekstreme të djathta, do të krijojë edhe më shumë probleme brenda BE-së ashtu sikundër që do të dëmtojë dhe dobësojë rolin e BE-së si akter global.

Çdo vakum politik dhe ekonomik që do të mund të ndodhë brenda BE-së do i hapë rrugë Rusisë, e cila me invazionin e saj në Ukrainë, e Gjeorgji, aneksimin e Krimesë dhe përdorimin e energjisë si instrument të politikës ekspansioniste, do të mundohet të çajë “rrethimin” nga perëndimi, të cilin Rusia e sheh si kërcënim të interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Fundja, Rusia me ndërhyrjet në sisteme elektorale të vendeve të ndryshme të BE-së është e interesuar që projekti evropian të dështojë, në mënyrë që të fillojë ndonjë projekt tjetër Evroaziatik ku Rusia do të kishte rolin kryesor, diçka që është në kundërshtim të plotë me doktrinën amerikane që Euroaziamos të bie nën asnjë hegjemon, sepse kjo do të sfidonte seriozisht interesat e SHBA-së si fuqi globale.

Çdo vakum politik dhe ekonomik që do të mund të ndodhte brenda BE-së, sigurisht që me shumë maturi dhe precizitet do të mund të përdorej edhe nga Kina, e cila përmes investimeve të mëdha në shkallë globale, përfshirë BE-në, është duke u munduar që t’ia kthejë namin vetes pas asaj që kinezët e quajnë “shekulli i poshtërimit” të periudhës prej vitit 1839 deri 1949 ku fuqitë imperiale dhe Japonia patën pushtuar Kinën. Ky është kursi i Kinës, i cili ka filluar të tregojë frytet e para, e i cili është po ashtu në kundërshtim me interesat amerikane në shkallë globale, e sidomos me rritjen e ndikimin kinez në kontinentin e Azisë.

Fakti që Kina është duke investuar në Ballkan pa pyetur fare për korrupsion dhe krim të organizuar, është tejet sfiduese për BE-në, edhe për faktin se investimet masive kineze, kryesisht përmes kredive, janë duke rritur borxhet publike të vendeve të Ballkanit dhe kjo sigurisht që do rrisë varësinë e rajonit ndaj Kinës dhe firmave të saj të lidhura ngushtë me qeverinë kineze. Për më tepër, investimet kineze kryesisht janë të orientuara në përmirësimin e infrastrukturës së transportit të rajonit të Ballkanit në favor të përshpejtimit të qarkullimit të mallrave kineze drejt Evropës Qendrore (zemrës së Evropës) dhe nuk janë duke mbështetur prodhimin si diçka që do të gjeneronte vende pune, diçka për të cilën – krahas përmirësimit të infrastrukturës – ka nevojë më së shumti Ballkani dhe çdo shtet në botë.

Prandaj, shikuar sfidat nga jashtë që ka BE dhe ato gërryese nga brenda nuk do mend që kërkon një rimobilizim të forcave pro-evropiane për të mbajtur gjallë frymën evropiane, e cila solli BE-në ku është sot. Logjika e përjashtimit nuk do ndihmojë në këtë proces. BE duhet të bindë qytetarët e vet se bashkimi bën fuqinë, çdo fragmentim i BE-së do të jetë fatal për të ardhmen e kontinentit.

S’merituam regjim të vizave

Prandaj liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës as që ishte dashur të ishte temë brenda BE-së, krahasuar me problemet me të cilat është duke u përballur BE. Projekti evropian nuk ishte izolimi, por zgjerimi, sepse duke u zgjeruar BE arriti këtu ku është sot.

Sigurisht që kushte duhet të ketë, por kur vetë institucionet e BE-së siç është Parlamenti dhe Komisioni thonë që keni plotësuar kushtet dhe nuk veprojnë konform deklaratës, atëherë kjo ul seriozisht kredibilitetin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Nëse ka ndonjë popull në Evropë që nuk është dashur fare të ketë regjim të vizave, atëherë qytetarët e Kosovës ishte dashur të jenë të parët, pra vizat është dashur të hiqen menjëherë pas luftës në vitin 1999.

Pavarësia e Kosovës i solli paqe Evropës dhe kjo është fakt. E sjellja e paqes dhe stabilitetit në një rajon të trazuar siç ishte dhe ende është Ballkani Perëndimor është gjesti më fisnik dhe human që një popull mund t’i sjell njerëzimit. E Kosova e bëri këtë me shumë mund e sakrifica, prandaj jo vetëm që e kemi merituar qysh moti liberalizimin e vizave, por e meritojmë të futemi në BE para çdo vendi në rajon. (Fund)