Misionari e çobani!

Agron Halitaj

Një çoban e kishte traditë që në tufë të mos i mbante as më shumë e as më pak se 100 dele.

Një ditë, teksa po i kulloste ato në fushë, pranë tij ndalon një veturë e zezë prej të cilës del një zotëri i kollarisur. Pasi e pyet çobanin se si është me shëndet, ia bënë një propozim.

“Nëse ia qëlloi sa dele i ke, a ma jep një?”, e pyet zotëria.

Çobani nuk hamendet fare dhe pranon.

“Në kullos i ke rrafsh 100 dele”, thotë zotëria.

“E vërtet”, ia kthen çobani dhe i ofron ta zgjedh cilën dele të dëshiron.

Zotëria bënë me gisht nga njëra dhe shoferi i tij e kap përnjëherësh për këmbësh.

Duke e futur delen në makinë, çobani i thërret zotërisë.

“Po nëse e dijë unë se çka punon ti, a ma kthen delen?”

Zotëria, i sigurt se nuk ishte dukur asnjëherë në atë anë e pranon kushtin.

“Je këshilltar në Qeveri”, i thotë çobani.

Zotëria befasohet nga përgjigja e saktë dhe ia kthen delen.

Por kureshtja nuk e lë të largohet pa e pyetur çobanin se si e diti që është këshilltar?

“Po veç këshilltarët i thonë gjërat që i dinë e gjithë nahija”, i përgjigjet çobani duke e kthyer delen sërish në tufë.

Kjo barsoletë ka qarkulluar në vitet e para të pasluftës kur liderët institucional patën angazhuar staf të madh këshilltarësh, të cilët as për nga mosha e as për nga përvoja nuk ishin të denjë për ta këshilluar dikë.  Dhe, duke qenë të këtij niveli, shpeshherë kur paraqiteshin në media nuk thoshin asgjë të re, pos atyre që i dinin të gjithë.

Pas kaq vitesh, njëjtë si ta, veproi edhe shefi i EULEX-it, Gabrielle Meucci.

Misionari evropian këto ditë e shpërndau një opinion për media për t’u treguar qytetarëve se në Dubravë ka të burgosur që hyjnë e dalin nga burgu dhe i marrin udhëzimet e mjekut për të shkuar në QKUK aq lehtë, sa mund të blihet një espreso?

Qytetarët e kanë ditur këtë gjë kaherë, ashtu siç e dinë edhe të vërtetën tjetër se strukturat joformale i kontrollojnë partitë, e përmes tyre e kontrollojnë vet shtetin.

Qytetarët nuk është se nuk e dinë që “nëntoka” i  mban vulat me të cilat jetësohen marrëveshjet e  dyshimta afariste.

Ata e dinë se pushteti është mekanizëm i shpërndarjes së parasë publike për interesa grupore.

E para së gjithash, qytetarët e dinë se një pjesë e komandantëve të luftës sot janë “zotërues të  paqes” dhe si të tillë janë mbi ligjin.

Po të mos e dinin se çka po ndodh rreth tyre, qytetarët nuk do t’i mirëpritnin misionarët evropian në vitin 2008.

Qytetarët besuan verbërisht në EULEX-in, nga bindja se misionarët e rinj vinin nga shtetet evropiane ku vërtet sundon rendi e ligji.

Qytetarët iu ofruan vet këtij misioni. Dhanë dëshmi, denoncuan raste dhe kërkuan mbështetje në EULEX-i.

Por, misionarët që paguhen nga taksat e europërendimorëve, me mosefikasitetin, neglizhencën dhe qasjen jo të drejtë në procese të drejtësisë, tradhtuan shpejtë këtë besim, ashtu siç e patën humb para tyre edhe misionarët e UNMIK-ut.  Zyrtarëve evropian më lehtë u doli që të bashkëjetojnë me krimin e të përfshihen edhe vet në kontraband e korrupsion se sa t’i luftojnë këto fenomene.

Shefi i EULEX-it, s’ka pse u tregon sot qytetarëve të Kosovës se janë ata që duhet t’i thonë rendit aktual pushtetor se janë ngopur së qeni pjesëtar të një vendi me më së paku demokraci në Ballkan.

Meucci nuk është këtu që t’i udhëzoi e t’u bëjë apele.

Ai është këtu për të vepruar dhe për ta ndryshuar gjendjen për të cilën thotë se është dëshpëruese. Siç tha njëri nga avokatët vendës, ai është këtu mysafirë me kompetenca e me imunitetit.

Meucci s’ka pse i qon duart përpjetë dhe i shmanget përgjegjësisë që sot Kosova klasifikohet si “regjim autoritar gjysmë i konsoliduar”.

Komisioni Evropian është dashur ta marr shumë seriozisht opinionin e tij dhe ta rishqyrtoj me urgjencë çështjen e mandatit të EULEX-it.

Qytetarët e Kosovës nuk preferojnë të mbesin në të kaluarën, në burgun e strukturave joformale të pushtetit, duke e pranuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe duke pritur që ndryshimi të vijë nga jashtë.

Prandaj, misionarët e EULEX-it s’kanë pse na tregojnë se “regjimi autoritar gjysmë i konsoliduar” është regjimi i cili përpiqet “ta maskojë autoritarizmin ose mbështetet në strukturat joformale të pushtetit duke pasur respektim të kufizuar për institucionet dhe praktikat e demokracisë”.

Me këtë logjik, Meucci nuk do të mund ta fitonte kurrë delen nga çobani.

(Autori është drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)