Mendësia e plaçkitjes dhe nevoja për reformatorë

Agron Halitaj

Para dy dekadash, disa druvarë të Rugovës ishin mbledhur në bjeshkë dhe kishin nisur t’ia qanin hallet njëri tjetrit. Nuk guxonin ta prisnin malin prej milicisë serbe dhe “shumarëve” shqiptarë dhe i luteshin zotit që Kosova të çlirohej një orë e më parë. Vetëm në Kosovën Republikë, ata besonin se do të prenin dru lirshëm dhe nga shitja e tyre do të pasuroheshin. Kështu, ata e konceptonin lirin e vendit me lirin për ta vjedhur “malin e shtetit”,  pa e ndjerë rrezikun e të ndëshkuarit nga dikush.

Druvarët, që asokohe e kanë bërë atë muhabet sot mund të jenë gjallë me ëndrrën e përmbushur. Vendi u çlirua dhe shumë druvar si ta iu sulen malit pamëshirshëm.

Ata pak roje pylli që u dolën në rrugë në përpjekje për ta mbrojtur pronën shoqërore, ose u rrahën, ose u lidhën për lisash, ose në rastin më të keq u vranë.

Ky është realiteti i sjellë nga mali i cili e shpërfaq edhe mendësinë urbane që  ka qenë dhe vazhdon të jetë e  mpleksur në kokat e një pjese të madhe të shoqërisë kosovare.

Nuk ka kategori të punëtorëve, duke nisur nga ata që merren me punë fizike e deri te ata që merren me punë shkencore, që kur është në pyetje paraja publike, nuk insistojnë t’i fusin duart në to.

Në autobus kur të hipësh, konduktori përpiqet të t’i marr parat e biletën mos të ta jap.

Në dyqan, shitësi insiston mos të ta shtyp kuponin fiskal.

Në ambulancë mjeku t’i shkruan katër pesë ilaçe përnjëherësh dhe të tregon se në cilën barnatore mund t’i gjesh. E bënë këtë për ta marr përqindjen e vet të interesit.

Nëse detyrohesh të shtrohesh në spital, në vend të trajtimit, merr rekomandime se te cili mjek privat mund ta gjesh shërimin.

Nëse e bënë një organizim në hotel apo restorant, pyetesh nëse dëshiron ta rrisësh artificialisht numrin e mysafirëve për të fryrë faturën në interes personal.

Nëse punon diçka në shtëpi, firma e kontraktuar t’i merr paratë dhe nuk e deklaron fitimin për ta paguar më pas tatimin.

Nëse banon me qira, pronari nuk të regjistron sepse nuk dëshiron t’ia jap asnjë cent shtetit nga fitimi që merr prej teje.

Në këso klime, vetëm në Kosovë ndodhë që kur institucioni hap tender për të blerë diçka me shumicë, e paguan më shtrenjtë se ai që blenë me pakicë me buxhetin vetanak.

Në këso klime, pakkush mund të kryej një punë të vlefshme pa iu kërkuar ryshfet dhe pa qenë në lidhje të forta politike. Kushdo që e refuzon ryshfetin, kërcënohet me dhunë ose e pëson me fatalitet, ndërsa kush nuk ka lidhje politike, bankroton.

Në këso klime, jemi bërë shteti që ka më së shumti  mekanizma për luftimin e korrupsionit, e më së paku bënë për luftimin e këtij fenomeni.

Ambasadorët e jashtëm, vijnë e largohen nga ky vend, me thirrjet drejtuar shoqërisë që të çlirohen nga “politikanët e korruptuar”, që të zhvishen nga ndjenja e të përvetësuarit paligjshëm të pronës publike dhe të mos e shohin asnjëherë shtetin si plaçkë.

Natyrisht se kjo mendësi nuk mund të ndryshoj brenda natës e aq më pak të ndryshoj nga politikanët milionerë të pasluftës. Por ndryshimi duhet të ndodhë.

Ndryshimin mund ta bëjë një klasë e re prej politikanësh reformator të cilët kanë koncepte perëndimore të të bërit shtet.

S’do mend që politikanët aktual do përpiqen që të infiltrohen në çfarëdo grupimi që potencialisht mund të shihet si faktor i ndryshimit të mendësisë aktuale.

Do të përpiqen që ta mbysin çfarëdo organizimi qytetar që për synim ka nxjerrjen e vendit nga kriza morale, politike, ekonomike e kulturore.

Politikanët aktual do të mundohen ta shuajnë çfarëdo fryme që nuk është e ndikuar nga grupe të caktuara të interesit, ashtu siç e kanë shuar në masë të madhe zërin e shoqërisë civile.

Vendi, vërtet ka nevojë për një parti të re politike. Edhe njerëz ka. Mungon vetëm iniciativa dhe guximi.

(Autori është drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)