Me çfarë reformash mund të zgjidhen problemet e medieve në Kosovë

Funksionimi i medieve në vendin tonë duhet të jetë i ndërvarur nga standardet më të larta profesionale, etike dhe ligjore që janë në fuqi në këtë fushë në shtetet e Bashkimit Evropian, po gjithsesi edhe në bazë të specifikave që ka shoqëria jonë, si shoqëri që vuan pasojat e sundimit neokolonial, të instaluar si projekt i postkonfliktit. Në këtë kontekst, zgjidhje e mençur nuk është nëse kopjohet një model i një shteti të veçantë evropian, as nëse tentohet të bëhet një zgjidhje sui generis, siç është bërë për Bosnjën e Hercegovinën e edhe për Kosovën menjëherë pas luftërave, nga protektorët ndërkombëtarë, që kanë hartuar ligjet në këto dy shtete. Zgjidhje e duhur është nëse arrihet të bëhet kombinimi harmonik i disa standardeve, që janë treguar funksionale në shtete të ndryshme evropiane, e që mund të funksionalizohen në realitetin e shoqërisë sonë. Pra, do të duhej të përdorej mënyra e veprimit të bletës, që zgjedhë më të mirat nga një shumësi mundësish e zgjedhjesh të mira, duke përftuar një produkt të vlefshëm, e jo e veprimit të mizës, që ndotet që në mundësinë e parë e pastaj prodhon ndotje serike edhe vetë. Nëse do të ndiqej “rruga e bletës” për rregullimin e funksionimit të medieve në vendit tonë, qoftë dhe me vonesë kaq të madhe, gjasat janë që do të krijoheshin hapësira të reja të konsolidimit të tyre e bashkë me to edhe të lirisë e të demokracisë në vend.

Si mund të zgjidhet problemi i transmetuesit tonë publik (RTK)

Por, për këtë qasje konsoliduese me anën e rregullimit efikas ligjor, duhet vullnet politik në rend të parë. Partitë politike parlamentare dhe vetë Kuvendi i Kosovës, bashkë me qeverinë si sponsorizuese ligjesh, duhet të kenë vullnet politik që të fillojnë një proces të gjerë e rrënjësor reformash në fushën e funksionimit të medieve. Ligji për Radiotelevizionin e Kosovës është vetëm njëri nga ligjet që ka nevojë të ndryshohet që në themel, e jo që të arnohet. Me rishkrimin e tij nga e para, duhet të eliminohen prej tij konceptet dhe rregullimet me parashenjë neokoloniale të UNMIK-ut e OSBE-së, që kanë mbetur në të nga Rregullorja 2011/13 e deri sot. Pra, kurrsesi nuk mjafton amendamentimi i tij, por është i nevojshëm ndryshimi rrënjësor i ligjit për RTK-në, duke kombinuar standarde e zgjidhje të përshtatshme për realitetin tonë medial e shoqëror, nga praktikat e transmetuesve të ndryshëm publikë evropianë. Fjala vjen, nga praktika e televizionit publik slloven, mund të përshtatet mënyra e zgjedhjes së bordit (duke favorizuar përfaqësimin e grupeve të mëdha sociale në të, pensionistët, rininë, punonjësit, bashkësitë fetare, universitetet publike) e duke minimizuar përfaqësimin e shoqërisë civile, e cila ka dominuar deri sot në bordin e RTK-së. Ndërsa, lidhur me mënyrën e financimit mund të merret modeli kroat, sipas të cilit ndërmjet qeverisë dhe transmetuesit publik arrihet marrëveshje pesëvjeçare, për minimumin e financimit të shpenzimeve neto, ndërsa parapagimi realizohet në shumën 1. 5% të rrogës minimale në vend. Edhe modeli sllovak i financimit, me anën e parapagimit, granteve qeveritare, marketingut, sponsorizimeve, dhuratave etj., mund të shfrytëzohet në rastin e ligjit për RTK-në, ngase e thekson edhe funksionin edukativ e kulturor të transmetuesit publik. Nga ana tjetër, modeli kroat, po më shumë ai hungarez, janë të përshtatshëm për zgjidhjen e problemit të pronës së RTK-së, gjë që nëse nuk rregullohet si duhet me ligj, gjithnjë do ta mbajë RTK-në si në këmbë të drunjta. Për shembull, tre televizionet nacionale hungareze, e kanë me ligj të transferuar pasurinë në një fondacion, i cili qeveriset nga Këshilli i Medieve. Fondacioni që siguron pasurinë e tyre, është i proklamuar si garantues i pavarësisë së tyre editoriale. Pra, modele të mira ka dhe ato mund të kombinohen e përshtaten për nevojat specifike të RTK-së, por për ta aplikuar një ndryshim rrënjësor të këtij ligji, gjithsesi duhet vullneti politik. Jo vetëm ligji për RTK-në, po edhe ligji për Komisionin e Pavarur të Medies, edhe Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, Ligji për Digjitalizimin e Transmetimeve Radiodifuzive Tokësore e madje edhe Ligji për Qasje në Dokumente Publike, kanë nevojë urgjente të rishkruhen, për t’u dekontaminuar nga ndotjet neokoloniale e për përshtatur me standardet evropiane dhe me realitetet e reja mediale, teknologjike e shoqërore të Kosovës si një shtet i pavarur.

Kush ka pozitë monopoliste në tregun e medies në Kosovë?

Për t’u realizuar reforma rrënjësore në fushën e medieve e të gazetarisë, përveç vullnetit politik, është i nevojshëm edhe vullneti i vetë medieve, pronarëve dhe gazetarëve, në rend të parë. Edhe në këtë kontekst, do të duhej të aplikoheshin po ashtu standardet e larta ligjore, profesionale e etike, që dominojnë në shtetet e Bashkimit Evropian dhe nevoja e Kosovës që të çlirohet nga pozita pronësore monopoliste e disa medieve të saj elektronike (KTV dhe RTV 21) që kanë marrë si dhuratë frekuencat nacionale nga protektorët ndërkombëtar. Në rend të parë do të duhej të ofrohej një kuadër ligjor adekuat, sado diskret, që do të siguronte qëndrueshmërinë financiare të medieve komerciale (krahas qëndrueshmërisë financiare të transmetuesit publik). Meqë tregu i reklamave në Kosovë është i varfër, meqë një pjesë e reklamuesve janë profiterë të pasluftës dhe me ambicie problematike ekonomike e politike, meqë grupe të interesit të etabluara brenda partive politike kanë ambicie të ushtrojnë ndikim edhe mbi mediet komerciale, sa përmes ofertave, aq edhe përmes shantazhit, shteti do të duhej të çrrënjoste këto praktika, me ndërhyrjen e vet diskrete. Edhe për financimin e medieve komerciale-private nga shteti, ka modele në praktikat e shteteve evropiane dhe ato do të duhej të studioheshin e të kombinoheshin për nevojat tona. Fjala vjen, modeli belg i financimit të medieve, përfshinë edhe televizionet komerciale, po edhe gazetat e revistat. Ndihma diskrete ndaj medieve ofrohet me anën e lehtësimeve të shërbimeve postare, subvencioneve me bazë te gjuhët (flamane, frënge e gjermane), me dhënien në dispozicion të një fondi të caktuar parash, të cilin e ndajnë mes vetë mediet- gazetarët, në bazë të numrit të gazetarëve të punësuar në gazeta e deri te subvencionimi i udhëtimit të gazetarëve pa pagesë me tren dhe ofrimi i çmimeve më të ulëta në udhëtimet me avion. Po ashtu ka praktika, si ajo franceze, ku qeveria blen hapësira reklamuese në gazeta dhe me anën e kësaj forme e financon medien, ndonëse në mënyrë diskrete.
Krahas gjetjes së mënyrave të ndihmës diskrete edhe për televizionet komerciale, reforma ligjore, do të duhej të bënte çmontimin e pozitës monopoliste të pronarëve të vetëm në medie, të atyre që zotërojnë 100 % të aksioneve ose të pasurisë së një medie elektronike komerciale. Praktika e deritashme e KTV-së dhe RTV21, po edhe e gazetave ditore, ka dëshmuar se pozita monopoliste e një pronari të vetëm në një medie, ka implikime serioze jo vetëm në tregun e medies, jo vetëm në nivelin e ulët të gazetarisë që prodhon, po edhe në politikë e në shoqëri. Tashmë në rastin e Kosovës, është vërtetuar që një televizion me frekuencë nacionale dhe një gazetë me shtrirje nacionale që zotërohen nga vetëm një pronar, (Grupi Koha) dinë të vihen në shërbim të ambicieve politike të pronarit të vetëm dhe ashtu mund e instrumentalizojnë informimin. Grupi Koha është shembull i kësaj pozite monopoliste dhe i keqpërdorimit permanent të medieve të këtij grupi, për ambiciet politike të familjes pronare. Për të eliminuar pozitën monopoliste në tregun e medies në Kosovë, më së miri është nëse aplikohen elemente të standardeve e rregullimeve ligjore franceze, sepse janë më rigoroze në luftimin e pozitave monopoliste në tregun medial. Fjala vjen, ligji antimonopolist ndalon që një pronar të ketë 100% në pronësi një medie televizive me frekuencë nacionale. Maksimumi që lejohet është 49% e aksioneve të një medie të tillë në duart e një pronari. Kjo politikë antimonopoliste franceze e mbron konkurrencën e lirë po edhe shtetin e shoqërinë, nga ambiciet potenciale të pronarëve ambiciozë të medieve. Kosova ka nevojë urgjente për një kufizim të tillë të pronësisë mbi mediet nacionale, televizive e gazeta ditore, sepse ka vite që monopoli mbi disa medie, artikulohet si ambicie politike dhe shpesh herë e ka sjellë shtetin në prag të destabilizimit.
Nëse pronarët e dy televizioneve me frekuencë nacionale, (KTV dhe RTV 21) të cilat u janë dhënë dhuratë nga protektorët ndërkombëtar, nuk shprehin vullnet për bashkëpunim në reformën ligjore antimonopoliste, atëherë shteti me instrumente e veta ligjore, me Komisionin e Pavarur të Medieve, mund të shpall frekuencat në tender dhe të imponojë rregullat që i konsideron të përshtatshme, si antimonopoliste.

Gazetarët dhe publiku si “dëm kolateral” i tregut të çrregulluar

Përderisa disa pronarë mediesh që kanë pozitë monopoliste në treg, me siguri janë kundër çfarëdo reforme, sepse i kanë shfrytëzuar donacionet e sponsorizimet që janë dhënë si ndihma për Kosovën, për të krijuar biznese private, gazetarët mund të jenë më të disponuar për ndryshimin rrënjësor të ligjeve, standardeve dhe praktikave të punës. Shumica e gazetarëve në mediet tona punojnë në kushte të rënda, për rroga shumë të ulëta, pa mbrojtje sindikale e shumë herë edhe pa ua paguar kontributet në fondin pensional, me presione që të zbatojnë vullnetin klientelist të pronarëve, shumë herë në kundërshtim me gjetjet dhe me bindjet e veta. Nëse shoqatat për arsyet e veta kalkulojnë, e sigurt është që vetë gazetarët do të jenë aleatë të një reforme të gjerë, e cila do t’ua rregullonte statusin profesional, sindikal e shoqëror dhe do t’ua mundësonte ta përjetojnë dinjitetin që mund të ofrojë ky profesion i mrekullueshëm.
Faktori i tretë për një reformë rrënjësore me siguri që është ndërgjegjësimi i publikut për nevojën që të ketë një ofertë më të mirë nga ana e medieve. Me këtë strukturë që kanë mediet sot në vendin tonë, publiku është i përjashtuar nga çfarëdo mundësie e ndikimit mbi politikat editoriale të medieve, madje edhe të transmetuesit publik(!) dhe të respektimit të një minimumi të etikës dhe ligjit prej tyre. Mediet e kreshpëruara nuk ua kanë ngenë shijeve të publikut. Po pse mediet tona janë kaq të kreshpëruara?

Si mund të zgjidhet kriza e gazetave ditore?

Besoj se mediet në vendin tonë janë egërsuar jashtë mase, ndër të tjera, edhe për një arsye utilitare: duke vepruar në një ambient pa rregullim efikas ligjor dhe pa pasur asnjë përkrahje nga shteti, ato janë detyruar të luftojnë pa zgjedhur mjete, vetëm e vetëm që të mbijetojnë. Kjo luftë shpeshherë i ka detyruar dhe po i detyron disa prej tyre që t’ia shesin shpirtin djallit, si Fausti. Klientelizmi, shantazhi, vullgarizmi, mujsharia, janë bërë parashenja e disave prej tyre. Prandaj, mënyra e duhur që të shkëputet kontrata e këtyre medieve me djallin, që në këtë rast identifikohet me klientelizmin, senzacionalizmin, shantazhizmin, partizmin dhe tradhtinë, është të fillojë një proces i ri dhe rrënjësor i rregullimit të tyre ligjor dhe financiar, në një raport të ri me shtetin. Gazetat ditore në rend të parë. Pse? Sot për sot askush nuk e di saktësisht se si arrijnë gazetat ditore të mbahen në treg, kur çmimi nuk ua mbulon shpenzimet dhe kur tirazhet e shitura janë më se modeste. (Në kioskën përballë hyrjes kryesore të Mensës së Studentëve, ku kalojnë mijëra njerëz brenda ditës, shumica studentë, marrin nga pesë ekzemplarë të Kohës Ditore dhe Kosova Sot, tre ekzemplarë të gazetës Zëri dhe nga një ekzemplar të gazetave Bota Sot dhe Epoka e re!) Nëse ky është trendi i shpërndarjes, edhe me kushtin që të shiten të gjithë ekzemplarët, e sigurt është që asnjë gazetë nuk do të mbijetojë në treg nga shitja. Meqë në Kosovë nuk ka gjasë që të ndodhë modeli i disa shteteve evropiane, ku gazetat ditore në tërësi janë në duart e pronarëve të huaj, (si fjala vjen në Hungari) atëherë shteti duhet të gjejë mënyra të financimit diskret të tyre, në mënyrë që ato të mos shuhen dhe që vendi të mos mbetet pa gazeta ditore, gjë që realisht mund të ndodhë. Gazetat ditore fare mirë mund të financohen nga buxheti shtetëror me forma të ndryshme (p. sh. sipas disa elementeve te modelit belg, po edhe të blerjes së hapësirave reklamuese më të mëdha, sipas modelit francez, lirimi nga TVSH-ja po e po, subvencionimi i reklamave të përmbajtjeve të gazetave në transmetuesin publik, dhënia e subvencioneve sipas numrit të gazetarëve, subvencionimi i gazetarisë kulturore, subvencionimi i korrespondentëve jashtë vendit, subvencionimi i transportit të distribuuesve, me çka do të ulej përqindja që marrin ata nga shitja etj. Shembull interesant dhe frymëzues në këtë mes mbetet Franca, e cila në vitet 2008-2011, pra, në kulmin e krizës financiare globale, ka dhënë për mediet e shkruara rrafsh 600 milionë euro, nën pretekstin e blerjes së hapësirave reklamuese dhe të zbritjes së tarifave postare. Nga ana tjetër, pas zbulimit të madh nga ana e gazetave ditore “Zydojçe cajtung” dhe konsorciumit rreth saj të skandalit të “Letrave të Panamasë”, është e qartë se rëndësia e gazetave ditore mbetet strategjike, posaçërisht në sferën e gazetarisë hulumtuese. E pra, Kosova si shtet në tranzicion, me një trashëgimi të rëndë të paskonfliktit, me një proces ende të pambyllur të shtetndërtimit, me procese të rënda përpara siç janë ndriçimi i krimeve të luftës dhe krimeve të pasluftës, ka nevoje si për oksigjen për gazetarinë hulumtuese, që kultivohet në gazetat ditore. Për këtë arsye edhe shteti duhet të adoptojë modelet e përshtatshme të financimit të tyre, një financim signjifikant, por diskret, që ato ta kryejnë funksionin e tyre në mënyrë të duhur, e jo t’i lërë si në gojë të ujkut, në një garë jolojale, të paketuar si gjoja lojë neoliberale.

Rikthimi i dy medieve shtetërore. Pse?

Pas përvojës tashmë shtatëmbëdhjetëvjeçare me medie të ngritura për nevojat e UNMIK-ut /OSBE-së dhe në shërbim të protektorëve të tjerë ndërkombëtarë, është koha e fundit që mediet dhe gazetaria shqipe në Kosovë të vihen në funksion të plotë të kësaj shoqërie e të këtij shteti. Rehabilitimi dhe shërimi nga letargjia neokloloniale do të ishte mirë të fillonte nga mediet e nga gazetaria, sepse një medie dhe gazetari e shëruar nga kjo sindromë dhe e përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës dhe të vlerave kombëtare e njerëzore, do të shndërrohej në lokomotivë të transformimit të shoqërisë mbarë. Por, kjo nuk mund të bëhet pa e qëlluar skemën neokoloniale në zemër, duke rikthyer në funksion dy mediet tona nacionale, gazetën “Rilindja” dhe krahas saj një agjenci shtetërore të lajmeve, mbase ish”Informatorin” e Qendrës për Informim të Kosovës.
Gazeta “Rilindja” do të duhej të aktivizohej urgjentisht, sipas modelit të gazetës kroate, “Vjesnik”, e cila botohet vetëm në versionin onlajn dhe si e tillë financohet nga shteti, duke ruajtur traditën e saj të madhe. E dyta, Kosovës në rrugën e saj të afirmimit ndërkombëtar si shtet i duhet një agjenci lajmesh shtetërore, e cila do të ishte në shërbim të afirmimit të shtetit e të shoqërisë sonë. Edhe në këtë rast si shembull mund të mbahet Kroacia, e cila e ka mbajtur në funksion agjencisë e vet shtetërore, HINA.
Besoj se në këtë kontekst shteti që më së shumti na duhet si model pëe politikat tona mediale është Kroacia. Kjo për shkak të përvojave të ngjashme dhe të problemeve ende të pazgjidhura me të njëjtin armik, Serbinë. Pra, kurrsesi Bosnja e Hercegovina, mbi modelin e së cilës është ngritur fillimisht nga UNMIK-u/OSBE-ja infrastruktura ligjore mediale në Kosovë! Ndërsa, më vonë, në stilin e punës së mizës që duke qenë e ndotur, ndot çfarëdo që prekë, ajo mendësi neokoloniale ka ndotur gjithçka para vetes. E fundit: Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet t’i fillojë procedurat edhe për miratimin e një ligji të veçantë për mediet onlajn. Si fillim do të mjaftonte të adresohej problemi i të drejtave të autorit, që në mediet on lajn po abuzohen masivisht, gjuha e urrejtjes, e cila në shumë nga këto kuazimedie ka vërshuar si ujë kanalizimi dhe po e kontaminon komunikimin medial e publik, si dhe hartimi i një kodi të mirësjelljes, që do të vlente si vetërregullues për këto medie. (Botimi premierë “Shenja”)