Mbrojeni artin nga “artistët” e Kosovës

 

Nga: Agron Shala

Kur presidenti amerikan, Lyndon B. Johnson, më 1965 jetësoi NEA-n (National Endowment for the Arts) – agjencinë e pavarur që mbështet projektet artistike – ndër të tjera tha: “Arti është trashëgimia më e çmuar e një kombi. Sepse, përmes veprave tona të artit shfaqim tek vetja jonë dhe tek të tjerët vizionin e brendshëm që na udhëzon si komb. E, aty ku nuk ka vizion, populli mbaron”!

Arti dhe artistët e Kosovës janë pasqyrë e kësaj shoqërie dhe këtij shteti pa vizion: shterp si ekonomia, të korruptuar si drejtësia, pa moral si politika. Ky është realiteti që imponohet nga shumë “artistë” të “mëdhenj” që jetojnë këtu e që kanë krijuar monopol mbi të vërtetën rreth artit të tyre, sepse askush nuk e merr mundin të flasë për “artin e madh” të tyre!?

Gënjeshtra është e vërteta e vetme që i identifikon ata. Asgjë më shumë!

Janë këta, “artistë” të të gjitha zhanreve, që aksidentalisht hynë në botën e artit, nga vitet ’90 e tutje. Sepse, dikush në lagje u tha dikur “ke talent” e ke me mbërri shumë! Të parën kurrë nuk e kishin, e të dytën e arritën dhe do të vazhdojnë ta arrijnë, sepse kriteret dhe vlerat sot kanë vdekur.

“Çdo mrekulli zgjat vetëm tre ditë”, thotë një proverb i vjetër, që vetëm në El Doradon kosovare e ka humbur kuptimin!

Kompozitori i njohur amerikan, Stephen Sondheim – fitues i shumë çmimeve prestigjioze, përfshirë Oscar, Tony dhe Pulitzer – thoshte se “arti, në vetvete, është tentimi për të sjell rendin nga kaosi”. Në fakt, shumica nga këta “artistë”, nga rendi artistik që dikur ekzistonte, e thelluan edhe më shumë këtë kaos, pasi kjo ishte mënyra e vetme e tyre për të mbijetuar me delirin e tyre të madhështisë – duke shkelur çdo parim e çdo normë që e karakterizon artistin e njëmendtë.

Këta nuk janë amatorë, sepse kjo fjalë ndërlidhet me dashurinë dhe abstrahon maninë për paranë. Këta në shumicë janë diletantë, që dinë vetëm të shkruajnë komunikata për shtyp e të japin deklarata të rrejshme, për çka lakmi do t’ua kishin edhe mjeshtrit më të mëdhenj të propagandës

Shkruajnë e krekosen kafeterive për suksese që nuk ekzistojnë, për pjesëmarrje në festivale a ekspozita, kritika, vlerësime, çmime e gjithçka tjetër, sepse nuk kanë respekt për njeriun e Kosovës, për njerëzoren. Ata nuk pendohen për gënjeshtra, e aq më pak që vjelin fonde edhe nga taksapaguesit – nga populli që jeton kryesisht në mjerim.

Ata krijojnë histeri nga problemet më të vogla, duke i stërmadhuar dhe duke thënë se po thyejnë tabu, se po pasqyrojnë anët e errëta të popullit, “problemet reale” të këtij vendi të mjerë – islamin radikal, homofobinë, nacionalizmin, racizmin, pedofilinë, dhunën ndaj grave, ndaj burrave, ndaj fëmijëve, ndaj internacionalistëve, ndaj pakicave, ndaj shtazëve, ndaj bimëve… – por, empatia është nocion i panjohur për ata.

Ndaj, vuajtjet reale nuk duan t’i shohin e as të solidarizohen me to, sepse këndvështrimi i tyre projektohet nga egoja personale dhe nga dëshirat e donatorit që s’ka lidhje me art, por që i intereson vetëm një raport i “suksesshëm”!

Këta mblidhen në klane, krijojnë opinionin në qarqe të ndryshme shoqërore, e thurin komplote për ata që mendojnë ndryshe nga ta. Pastaj, në luftën për “meritokraci” e për sundim, se kush është më i madhi, e hanë edhe njëri-tjetrin, si kanibalë.

Ata vrasin për së vdekuri artistët e njëmendtë që nuk jetojnë më dhe ata të gjallët që e meritojnë epitetin e artistit po që rrinë në heshtje, meqë janë “budallenj” e ende besojnë se vepra duhet të flas për ta.

Marvin Gaye thoshte se “artistët e mëdhenj vuajnë nga populli”, por vuajta atyre këtu u vjen nga mediokrët. Nga ata “artistë” që rrugën e suksesit e shohin këtu apo me një vizitë në fqinjësi, sepse Parisi, Berlini, Londra, Moska, Vjena, Varshava… janë larg, shumë larg! E, Kosova është zona e tyre erogjene ku shfryjnë epshet e “suksesit”.

Masat urrejnë vetëm politikanët. Por, faqezinj që e sollën vendin në këtë derexhe, që e rropën këtë vend, ka në çdo sferë dhe profesion në Kosovë. Përderisa arti është idealja e “artistët” në vend të së bukurës e shfaqin shëmtinë, kjo e zbërthen thelbin e problemit të Kosovës: shpirtin e kalbur, egoizmin e kanibalizmin si mjet për të mbijetuar e për të qenë në qendër të vëmendjes!

Është e vërtetë që shteti duhet të investojë në art, por e vërteta më e hidhur është se po investohet shpesh aty ku nuk duhet, duke e thelluar kështu edhe më shumë imazhin e keq të Kosovës, si një vend ku nuk jetojnë artistët, si një vend pa shpirt.

Ndaj, çdo ankesë se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për artin në Kosovë, është gënjeshtër, një stereotip idiotik. Sepse, arti këtu duhet të mbrohet pikërisht nga “artistët”, nga ata që etalon e kanë paranë dhe publicitetin.

Në psikologji përmendet termi projektim, ndërsa populli ka thënë: “Çka e ke në vete, e qet n’gjeti”! Prandaj, të gjithë do të pajtohen me këtë shkrim “mllefi”, edhe ata të cilëve u dedikohet. Sepse, “të gjithë” kinseartistët jetojnë në iluzion e kështu i shohin “rivalët” e tyre – artistët dhe “artistët”!

Një barsoletë boshnjake thotë: “Q… shtetin që nuk ka Bosnje”! Danis Tanoviq, pasi e fitoi çmimin Oscar për filmin “Toka e askujt”, tha: “Q… shtetin që nuk ka Oscar”! E për Kosovën, me këtë nivel arti, çfarë duhet thënë? Apo, çfarë do të kishte thënë Lyndon B. Johnson!?

Nothing!