Mashtruesi në detyrë

Agron Halitaj

Para më shumë se një muaj, në periferi të Prishtinës u bë një ndejë e madhe. Pjesëmarrës në aheng ishin dhjetëra përfaqësues të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor. Sebep që ajka e drejtësisë të mblidhej në një hotel ishte Enver Hasani. Pasi ai po e përmbyllte mandatin si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani e kishte parë të udhës që ta organizonte për të një ceremoni lamtumirëse.

Organizimi shkoi si më së miri ndonëse sot e kësaj dite askush nuk dha sqarime pse Hasani i Supremes e bëri gjithë atë shpenzim për një zyrtar që deri atëherë e kryesonte një gjykatë krejt tjetër e që në fakt s’kishte të bënte asgjë me gjykatat e tjera.

Por, kjo ka më pak peshë në krahasim me rrethanën kur u organizua ndeja.

Një muaj më herët, Enver Hasani, ishte ftuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të paraqitej në Departamentin për Krime të Rënda për shkak të veprave penale: “falsifikim i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Pra, në kohën sa po qëndronte aty, ai dyshohej për dy vepra, një të kryer në kohën kur ishte Rektor dhe tjetrën në kohën sa ishte gjyqtar kushtetues.

Me veprën e dytë e ngarkonte Avokati i Popullit. Ai pretendonte se Hasani bashkë me kryetaren e tashme të Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi kishin vënë mbi një vendim, nënshkrimin e gjyqtarit kushtetues amerikan, Robert Carolan, me qëllim qe ta përligjnin hedhjen poshtë të lëndës së ngritur prej tij, lidhur me (pa)kushtetutshmërinë e vendimit të presidentes Jahjaga, për vazhdim të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtar.

Derisa Prokuroria Speciale ende nuk e kishte marr rastin, Avokati i Popullit publikisht u ankua se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar dhe shefi i Misionit EULEX, Gabriele Meucci, po i pengonin hetimet që ishin duke u zhvilluar, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore dhe kushtetuese të kryera nga Hasani.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Hasani po i jepte fund mandatit në Kushtetuese duke qëndruar në mesin e atyre njerëzve që parimisht do të duhej ta vënin në bankën e  të akuzuarit.

Njëri nga të pranishmit, i cili ishte në ndejë si anëtar i Këshillit Prokurorial, le që nuk shihte asgjë të keqe që i cakërronte gotat me një të dyshuar për falsifikim, por haptas e pranonte se do të ndihej keq sikur të mos ftohej në atë ceremoni.

Për fat të keq ai nuk jeton në një vend si Japonia. Atje, ish- ministri i Drejtësisë, Keishu Tanaka, kishte paraqitur dorëheqje vetëm pse kishte pranuar se kishte qenë i ftuar nderi në dasmën e një pjesëtari të mafisë japoneze, Yakuza, 30 vjet më parë.

Prokuroria Speciale bëri mirë që i mori për bazë dëshmitë e ofruara nga Avokati i Popullit, por  Hasani e Rama-Hajrizi nuk u paraqiten asnjëherë në gjykatë duke u thirrur në imunitetin kushtetues.

Për lëndën e ngritur nga Avokati i Popullit, Hasani edhe mund ta bëjë këtë gjë, pasi lidhet me fushëveprimin e tij si gjyqtar kushtetues, por imuniteti nuk i hynë në punë në aktakuzën që ka ngritur tash Prokuroria Speciale për veprën e parë, “Mashtrimi në detyrë”, në kohën sa ka qenë Rektor i Universitetit të Prishtinës.

Hasani, ka vjet që i ka zhveshur nga imuniteti deputetët, ministrat por edhe vet kreun e shtetit, në rastet e ndjekjeve penale që nuk lidhen me fushëveprimtarin e tyre. Zhveshja nga imuniteti, tash duhet të vlejë edhe për të.

Nëse konfirmohen pretendimet e prokurorisë se ai bashkë me dy persona të tjerë kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, atëherë del se Hasani është një falsifikator kronik.

Hasani, për shumë vjet  është ndier padron i ligjit në Kosovë. Atij nuk iu tërhoq vërejtja kur e shpërfilli Kuvendin e Kosovës dhe e mori të drejtën që t’u kërkonte drejtpërdrejtë presidentit të atëhershëm të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe ish-zyrtares së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, vazhdimin e mandatit të tre kolegëve ndërkombëtarë, sikundër që nuk iu tërhoq vërejtja as atëherë kur e pranoi kthimin e kundërligjshëm të Carolanit në gjykatë, edhe pse Ligji për Gjykatën Kushtetuese e ndalonte kategorikisht çdo kthim pas dorëheqjes.

Hasani, nuk ka dhënë llogari që bashkë me të tjerët e kanë thyer parimin e shumicës parlamentare, që kanë gjykuar me kute të dyfishta dhe që e kanë zhvatur pamëshirshëm buxhetin.

Të tillë gjykatës kushtetues nuk i janë dashur e as nuk i duhen vendit!

Hasani gjatë gjithë kohës ka folur në emër të ligjit, prandaj në emër të ligjit  duhet të përgjigjet edhe për akuzat që rëndojnë mbi të.

(Autori është drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)