Lidhja e Helmut Kohlit me Amerikën dhe mësimet për Kosovën

Arkitekti i Evropës së bashkuar, njeriu që ribashkoi Gjermaninë dhe e hapi rrugën për zgjerimin euroatlantik drejt lindjes, dje i mbushi 90 vjet. Ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl, si pakkush tjetër, me vizionin e tij, ndryshoi botën, duke u bërë frymëzim për të tjerët.

Shkruan: Artan Behrami

Projekti i ribashkimit të Gjermanisë theu blloqet e izolimit, me të cilët ndërtoi themelet e Evropës moderne. Ribashkimi i Gjermanisë ishte pikënisja e rënies së komunizmit edhe në Ballkanin Perëndimor dhe fillimi i rikthimit në Evropë.

Kohl arriti t’i mbledh në një vend perëndimin dhe lindjen, armiqtë dhe miqtë, t’i bind të gjithë kundërshtarët për të jetësuar projektin e madh evropian – atë të rrëzimit të murit dhe bashkimit të Gjermanisë.

Kohl u udhëhoq nga vlerat e lirisë, demokracisë, nga pozicionimi me perëndimin dhe nga miqësia strategjike me Francën dhe SHBA-në. Këto vlera i shndërroi në themele të paprekshme nga askush, me premisa që t’i qëndronin të gjitha kohërave dhe sfidave.

Helmut Kohl, në qeverisjen e tij pothuajse krejt energjinë e kishte vendosur në politikën e Jashtme, i vetëdijshëm se zhvillimi përbrenda varet nga zgjidhja e sfidave diplomatike nga jashtë.

Prandaj, politika e tij ishte e fokusuar kryesisht në bashkimin e Gjermanisë, në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Francën dhe sidomos me Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Mbështetja amerikane dhe momentumi gjeopolitik

Ky pozicionim ishte i natyrshëm, sepse SHBA-ja ishte përcaktuese për ribashkimin e Gjermanisë. Kohl, në pothuajse çdo fjalim të tij e përmend rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë pasur në historinë e Gjermanisë.

“Kjo miqësi dhe ky partneritet me SHBA-në ka një rëndësi ekzistenciale për ne gjermanët. Nuk ka asnjë çmim që mund ta blejë atë”, kishte thënë Kohl gjatë një vizite në New York në qershor të vitit 1990.

Ish-kancelari Kohl, bashkimin e dy Gjermanive e kishte shndërruar në domosdoshmëri ndërkombëtare. Ishte i vetëdijshëm që një projekt kaq i madh, që do të ndryshojë historinë e Evropës dhe botës nuk mund të bëhet pa u ulur në tavolinë me të gjithë – mbështetësit dhe kundërshtarët e bashkimit.

Arriti të sigurojë mbështetje, hoqi kundërshtimin dhe largoi frikën historike të fqinjëve kundër një Gjermanie të ribashkuar.

Por, ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë. Britania e Madhe fillimisht ishte kundër një bashkimi, derisa Franca kishte kushte të rënda. Madje, Londra kishte lobuar në Moskë dhe në Paris që bashkimi mos të ndodhte, në mungesë të besimit që kishin ndaj forcimit të mundshëm të Gjermanisë.

Shtetet përreth Gjermanisë, bashkë me Moskën, ishin përcaktuar për status-quo, e cila u prish nga mosdurimi i popullit gjerman.

Kështu, në Amerikë Gjermania e kishte gjetur mbështetësin e pakontestueshëm për jetësimin e ribashkimit. Madje, shpresat e ish-kancelari Kohl ishin që SHBA-ja do ta bindte edhe Londrën dhe Francën që të heqin dorë nga kundërshtimi.

Ish-kancelari Kohl, bashkë me presidentin Bush të vjetrin, me largpamësinë e tyre kanë parë se status-quoja ose do të prishet përmes marrëveshjes paqësore ose përmes dhunës së pakontrollueshme.

Shkuarja e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, në Uashington dhe takimi i tij me Sekretarin e Shtetit, James Baker, ishte përcaktues. Amerika tashmë e kishte krijuar vizionin dhe kishte krijuar planin e gatshëm se si duhet të organizohen negociatat për bashkimin e dy gjermanive në detaje.

Dokumentet e asaj kohe flasin për një presion shumë të madh amerikan për të shfrytëzuar mundësinë gjeopolitike të krijuar për jetësimin e aspiratës së popullit gjerman.

Pa hyrë gjatë në histori, më 3 tetor 1990 ndodhi ribashkimi i Gjermanisë, si një projekt që kishte lindur nga vullneti i popullit gjerman nga brenda dhe mbështetjes përcaktuese amerikane nga jashtë.

Sikur të mos evkishte shfrytëzuar Kohl momentumin e krijuar nga SHBA-ja, Gjermania dhe Evropa do të ishin krejtësisht ndryshe nga çfarë janë sot!

Mësimi 1: Mos u konfronto kurrë me Amerikën

Bashkimi i Gjermanisë u bë frymëzim për lëvizje të shumta në Kosovë për të mposhtur komunizmin dhe jetësimin e ëndrrës për liri dhe pavarësi. Kosova e shinte Amerikën përmes perspektivës të Gjermanisë.

Në fillim viteve ‘90-të, fuqinë e Amerikës qytetarët e Kosovë e kishin parë pikërisht në rolin e tyre për ribashkimin e Gjermanisë.

Gjermania e ribashkuar me mbështetjen e Amerikës bëri një hap historik që ndryshoi rrjedhën e historisë në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.

Nisma e parë e politikës së Jashtme të Gjermanisë së ribashkuar ishte njohja diplomatike e njëanshme e dy republikave të shkëputura nga Jugosllavia, Sllovenia dhe Kroacia, duke dalë kundër këshillave të Komunitetit Evropian.

Vizioni i politikës së Jashtme i Kohlit për Jugosllavinë ishte thelbësor për të siguruar rënien e Federatës Jugosllave dhe pavarësinë e të gjitha njësive federale, përfshirë edhe Kosovën.

Kjo u pasua nga kërcënimet e njohura të Krishtlindjes nga Presidenti Bush për Millosheviçin, duke e paralajmëruar atë që të mos fillojë luftën në Kosovë. Kështu, Kohl dhe Bush dhanë sinjalet e para për fundin e Jugosllavisë.

Tani, tri dekada më pas, superfuqia ekonomike në botë, Gjermania, me gjithë ndryshimet gjeopolitike, fuqizimin e ndikimit të Rusisë në ekonominë dhe politikën gjermane, me ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, ende u qëndron besnike këtyre marrëdhënieve.

Edhe përkundër acarimeve diplomatike ndërmjet dy shteteve, Gjermania nuk e ka luksin e konfrontimit me SHBA-në. Kancelarja Merkel, pasardhëse e Helmut Kohl, ndonëse nuk pajtohet për shumë çështje me presidentin amerikan, Trump, ka zgjedhur një politikë dhe gjuhë shumë të matur.

Por, krejt ndryshe sillet një shtet i vogël që ekzistencën politike, ushtarake dhe ekonomike, ndryshe nga Gjermania, e ka krejtësisht të varur nga Amerika.

Qeverisë në dorëheqje iu deshën vetëm 50 ditë për të thënë atë që askush nuk e kishte imagjinuar: “Amerika po e shantazhon Kosovën”! Kështu, Kurti përmbysi krejt kontributin amerikan në Kosovë, derisa vëri në pikëpyetje të ardhmen tonë euroatlantike.

Parimi thelbësor i politikës së Jashtme i vendosur që nga viti 1989 në Kosovë nga lëvizja pacifiste e Rugovës dhe UÇK-ja për të mbajtur marrëdhënie të ngushtë dhe të besueshme me Shtetet e Bashkuara, u kthye kokëposhtë, u dëmtua dhe u rrezikua seriozisht nga kjo Qeveri.

Meqë në Kosovë u dëshmua se ka njerëz që mund të bëjnë politikë kundër Amerikës, do të ishte e udhës që të krijohen mekanizma ligjorë, ku marrëdhëniet tona me Amerikën mos të mbesin vetëm në nivel emocional.

Kosova duhet të mësojë nga historia e varësisë së Gjermanisë me Amerikën. Gjermania asnjëherë nuk e ka braktisur Amerikën, qysh po e braktisim ne.

Edhe përkundër partive të shumta politike, të cilat madje në mënyrë indirekte financohen nga Rusia, edhe përkundër varësisë ekonomike dhe të gazit nga Rusia, Gjermania sërish mbetet e përcaktuar për marrëdhëniet transatlantike.

“Gjermania kurrë nuk guxon të bëjë politikë kundër Amerikës”, kishte thënë Angela Merkel.

Gjermanët historikisht fjalën kurrë e përdorin vetëm në një rast – kurrë më luftë! Kjo është një dëshmi se Gjermania është mirënjohëse për mbështetjen amerikane në një kohë kur të gjitha shtetet përreth bashkë me Rusinë ishin kundër saj!

Mësimi 2: Shfrytëzo Momentumin gjeopolitik

Historia e ribashkimit të Gjermanisë, tregon sesa i rëndësishëm është të shfrytëzohet momentumi gjeopolitik për të arritur qëllimet dhe përmbushur vizionet politike. Ish-kancelari Kohl e kishte aftësinë për të krijuar parashikueshmëri të proceseve, të efekteve të vendimeve dhe pozicionimeve politike.

Njëjtë si Kohl, edhe ne duhet t’i besojmë SHBA-së kur ajo krijon momentume gjeopolitike.

Njëjtë si Kohl, edhe ne duhet t’i besojmë më shumë Amerikës sesa çdo shteti tjetër në botë, edhe përkundër presionit, lobimit dhe kundërshtimit.

Njëjtë si Kohl, edhe ne duhet të ndalim status-qoun përmes proceseve paqësore, në mënyrë që ajo mos të prishet nga skenarë të panjohur të pakontrolluar nga ne dhe aleatët tanë.

Njëjtë si Kohl, edhe ne duhet të ulemi me të gjithë ata që kanë mendim ndryshe nga ne, që kanë vizion dhe politika ndryshe nga ne, edhe me armiqtë tanë për të arritur synimin tonë, anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB.

Mësimi 3: Edhe Gjermania e Merkel duhet të mësojë nga Gjermania e Kohlit

Gjermania ka investuar shumë në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në shtetndërtim dhe zhvillim ekonomik. Populli i Kosovës përjetësisht do t’i jetë mirënjohës.

Meqë partnerët strategjikë dhe sponzorizuesit e pavarësisë së Kosovës na kanë sjell para një vendimi me zgjedh mes tyre, gjermanët duhet ta kuptojnë lidhjen historike të Kosovës me Amerikën.

Ne kemi kaluar një histori në ngjashme, ku mbështetja amerikane ka qenë përcaktuese njëherë për mbijetesë, më pas për çlirim dhe pavarësi.

Gjermania duhet ta vlerësojë Kosovën nga perspektiva e 3 tetorit 1990 dhe t’i bashkohet Amerikës, për të përfunduar projektin e radhës, që do ta ridefinojë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe botë.

Shfrytëzimi i Kosovës si fushëbetejë për të kundërshtuar njëra-tjetrën, i dëmton marrëdhëniet transatlantike dhe sidomos Kosovën, e cila synon të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar.

Tani është koha që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së, duke përmbyllur një projekt madhor për Evropën e Bashkuar që ishte filluar nga Presidenti Bush dhe Kancelari Kohl.

SHBA-ja dhe Gjermania sot kanë një borxh historik për ta mbyllur dhe t’i japin fund mosmarrëveshjes së fundit ish-jugosllave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Perëndimi është kuptimplotë për Kosovën vetëm aty ku është Amerika dhe Gjermania. Prishja e këtij boshti është shkatërruese për Kosovën.