LDK me Kuvend numrash, jo reformash

Agron Halitaj

Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës është rikthim i meçit mes ish-kampionit, Fatmir Sejdiu, dhe kampionit aktual, Isa Mustafa. I pari do të luftojë për ta rikthyer titullin e humbur para më shumë se katër vjetësh, ndërsa i dyti do të luftojë për ta mbrojtur atë. Të dy kanë punuar pahetueshëm e mjaftueshëm në terren për të mbledhur sa më shumë delegatë që potencialisht mund t’ua japin besimin nëpërmjet votës së fshehtë.

Mustafa ka qenë në pozitë më të favorshme për shkak të të qenit shef qeverie. Prejse është bërë partner me Hashim Thaçin, dhe prejse ka përfunduar mandati i rregullt i strukturave aktuale drejtuese të LDK-së, ai e ka analizuar gjendjen në terren dhe aty ku ka pasur mëdyshje në mbështetje, ka dhuruar pozita institucionale. Mjeshtërisht, nuk i ka harxhuar të gjitha kartat. Për sa kohë që transferimi i votës ende nuk është bërë në konto të tij, ai i ka lënë të paplotësuara shumë poste të zëvendësministrave, të misionarëve diplomatikë, të anëtarëve të bordeve e agjencive të pavarura, si dhe të ndërmarrjeve publike. Kështu, arma më e fortë e tij do të jetë karrigia në maje të Qeverisë. Pakontestueshëm, ai është njeriu i parë i LDK-së që është ulur në të. Kjo është historia e lavdishme e cila në sytë e rivalit, Fatmir Sejdiu, shihet si “histori e Neronit”.

Sejdiu do ta godasë ish-këshilltarin e dikurshëm pikërisht në këtë pikë, duke e gjykuar si nëpërkëmbës të vullnetit të anëtarësisë së partisë dhe shkelës të rregullave statutare, si me rastin e marrjes së vendimit për koalicion me PDK-në, e së fundmi me zhvleftësimin e rezultateve zgjedhore në Gjermani, në Zvicër e në Kllokot.

Përgjatë të njëjtës kohë, ish-presidenti i shtetit i cili e bart aureolën e “kryetarit të nderit” të LDK-së, megjithëse pakuptueshëm ka zgjedhur ta përdor taktikën e vjetër të Mustafës – atë të moszyrtarizimit të kandidaturës deri në momentin e fundit – ka qenë aktiv në terren. Ai ka arritur t’i mbledh rreth vetës pjesën dërmuese të të pakënaqurve të partisë, një pjesë edhe nga LDD të cilët në masë të madhe e kanë kaluar suksesshëm sfidën e parë në zgjedhjet brenda degëve – duke u zgjedhur delegatë për Kuvendin qendror.

Kështu, Sejdiu e Mustafa janë shndërruar në të vetmit pretendentë për kryetar partie që kanë ndikim në degët në nivel vendi.

Të tjerët, si Vjosa Osmani e Lutfi Haziri, në rrethanat aktuale vetëm mund ta aspirojnë një mbështetje çfarë e kanë dy “elefantët”.

Osmani, krejt çka mund të bëjë në këtë proces, është t’ju japë leksion dy shefave të saj, se partia as nuk udhëhiqet për inat e as nuk merret për inat. Ajo duhet të vlerësohet, sepse është e vetmja kandidate që ka dal me program të qartë para anëtarësisë, një veprim ky që është minimumi të cilin është dashur ta bëjë secili kandidat që pretendon ta marrë timonin e partisë në një mandat katërvjeçar.

E meta e Osmanit është që platformën e saj e ka lënë për ta shpalosur në javën e fundit të procesit zgjedhor, atëherë kur është përmbyllur cikli i zgjedhjeve nëpër nëndegë e degë.

Është iluzion të pritet që delegatët e rinj që tashmë janë pozicionuar nëpër tabore, të ndërrojnë qëndrim pas shqyrtimit të programit të Osmanit. Të paktën, jo në këto zgjedhje, sepse delegatët veçse i kanë marrë instruksionet se si duhet të sillen në Kuvend.

Pretendenti tjetër, Lutfi Haziri, nëse veç hyn në lojë, më tepër mund të llogarisë në një zgjidhje kompromisi se sa në mbështetje të delegatëve. Vetëm një marrëveshje mes Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës, për ta evituar ndarjen e mundshme të partisë, mund ta vendosë atë në krye të LDK-së.

Por, një marrëveshje e kësaj natyre është pak e pritshme në kohën kur veç është përgatitur skenari për sigurimin e mandatit të ri për Mustafën.

Në Kuvend zgjedhor planifikohet të shkohet me zyrtarizim të kandidaturave veç e veç. I pari që do të propozohet do të jetë Mustafa. Dhe, në momentin kur kandidimi i tij mbështetet nga 50 për qind plus një të delegatëve të pranishëm në Kuvend, atëherë aty do të synohet të mbyllet procesi. Mbështetësit e kryetarit, do ta bëjnë të pamundurën që kandidaturat të mos votohen në paket, sepse kështu do të hapej rruga për votim të fshehtë, e kështu do të vihej në pikëpyetje edhe fitorja e Mustafës.

Skenari i parapërgatitur mund të prishet vetëm në rast se Sejdiu kërcënon se nuk do ta përligj procesin zgjedhor, siç kishte bërë dikur Nexhat Daci në të ashtuquajturin “Kuvend i karrigeve”.

LDK, në një krizë të re, nuk do të mund të aspirojë më rikthimin e primatit në skenën politike vendëse, por energjitë e sajë do t’i orientojë në ruajtjen e pozitës së dytë, e cila i është rrezikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurba e LDK-së mund të fillojë ta ndryshojë kursin nga poshtë lartë vetëm atëherë kur strukturat e saj zgjidhen mbi bazën e meritokracisë e jo oportunitetit; vetëm atëherë kur brenda saj nuk do të aplikohen politika përjashtuese e ndëshkuese; dhe, vetëm atëherë kur kuvendet zgjedhore nuk do të jenë thjeshtë kuvende numrash, por do të jenë kuvende reformash, programesh e vizionesh.

(Autori është drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)