Kur mungon mendimi politik, e dominon ai folklorik!

Zejdush Kastrati

Nga ana e lidershipit kosovar, por edhe medias e shoqërisë civile, pas rastit te “Kumanovës”, i duhet një refleksion dhe mendim i qartë politik e jo deklarata, opinione e besa edhe qëndrime zyrtare, qe ngërthejnë mesazhe e përmbajtje folklorike, të cilat mund të na kushtojnë shumë në këto momente kur Kosovën dhe shqiptarët ne përgjithësi e presin detyra dhe obligime të cilat i kemi kontraktuar apo duhet t’i kontraktojmë në të ardhmen, me te vetmin qëllim, që edhe shteti ynë i brisht të orientohet definitivisht e konkretisht ( jo vetëm me deklarata ) rrugës se integrimeve evropiane, por edhe atyre euroatlantike.

Dihet botërisht dhe historikisht se pjesa dërmuese e fqinjëve tanë gjithnjë kanë punuar dhe punojnë për te na penguar ne këtë rrugëtim, andaj edhe rasti i “Kumanovës”, kërkon hetim të detajuar por edhe kohë, për të dal në shesh e vërteta  dhe në këtë drejtim duhet koordinuar punët dhe kërkuar me ngulm, që mekanizmat ndërkombëtarë të jenë pjesë e investigimeve dhe te zbardhet e vërteta, kurse neve jo vetëm ne Kosovë, por edhe në Shqipëri e gjetiu, pra shqiptarëve, e ne radhë te parë liderëve tanë, u mbetet te kërkojnë përgjegjësi nga Institucionet e Maqedonisë se pse “Marrëveshja e Ohrid” ka dështuar dhe nuk është zbatuar dhe a është pikërisht moszbatimi e kësaj marrëveshjeje, shkas dhe argument, që na ndodhi “Kumanova”, e që lehtë mund të përsëritët edhe në pjesët tjera të Maqedonisë. Pa hy ne detaje, vetëm publikimet e “Zaevit”, ku shqiptaret fyhen e ofendohen rëndë nga një ish ministre dhe zyrtare tjerë maqedonas, na jep mjaft elemente për te akuzuar lidershipin maqedonas se ata janë katalizatorë dhe shkaktar kryesor te kësaj gjendjeje dhe këtij realiteti në Maqedoni.

Megjithatë, deklaratat e para disa ditëve kur nga disa liderë e media, u tha se rasti “Kumanova” është çështje e brendshme e Maqedonisë, apo opinione kur u tha se, ai, dhe ky lider i ka tradhtuar dhe është tradhtar, ky apo ai ka marr para, ky apo ai ka kontaktuar me këtë e ketë shërbim, duhet një hulumtim i thuket dhe i detajuar dhe koha do te tregoj te gjitha, por mbi te gjitha, ne rastin e Kumanovës u identifikua se shumica e tyre ishin nga Kosova, dhe nëse duam te reflektojmë fqinjësi te mirë me te gjithë, duhet edhe te marrim përgjegjësi, kur cenojmë atë fqinjësi e qe e kemi nënshkruar edhe me dokumente ndërshtetërore. Ne rastin konkret, me ngulm duhet kërkuar një përgjigje: “Pse ndodhi Kumanova, dhe kush e provokoi këtë situatë ?” Si edhe në shumë raste tjera, edhe kësaj radhe na dolën edhe disa përfitues te këtyre ngjarjeve, si ky i “Kumanovës”, te cilët me shumë po tentojnë te faktorizohen, por edhe te rehabilitohen, duke u prezantuar si “shpëtimtar të kombit”, me çka po ia zgjasin jetën vetëm atyre qe nuk ia duan te mirën vendit, por më shumë i shërbejnë dikujt tjetër.