Kur anglezi pi kafe në han!

Nga: Agron Shala

Në Luftën e Parë Botërore, Shqipëria si vend i varfër, konsiderohej shtet neutral që nuk ishte as aleate e Boshtit Qendror (Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë), e as forcave të Antantës (Britania e Madhe, Franca dhe Rusia). Shqipëria ishte e cunguar dhe e nëpërkëmbur pas Luftërave Ballkanike. Dy të tretat e territorit të saj ishin të pushtuara. Ndërsa, një qytet në veri ishte pothuajse tërësisht i shkatërruar.

Shkodra ishte përballur me një nga betejat më të mëdha të Evropës së asaj kohe. Ky qytet ishte rrethuar nga forcat malazeze për afro 190 ditë. Rrethimi nisi më 8 tetor 1912, ndërsa zgjati deri tek dorëzimi tradhtar i qytetit nga Esat Pashë Toptani, më 25 prill 1913.

Por, me presionin e Austro-Hungarisë, malazezët detyrohen të tërhiqen dhe ta lëshojnë Shkodrën në duar të Komisionit Ndërkombëtar të Admiralëve. Më 13 qershor 1913, në kështjellën e qytetit lartësohet flamuri kombëtar shqiptar. E, qyteti mbetet në duar të ushtrive austriake, italiane, franceze, angleze e gjermane.

Gjatë kësaj kohe, kur anglezët ishin në Shkodër, ka ndodhur një ngjarje interesante. Në një ditë pazari, një zotëri anglez pi kafe në një han. Aty futet edhe një bajraktar, një malësor i gjatë e i pashëm, një kreshnik si në rrëfimet popullore. Ndaj, anglezi nuk e duronte dhe i thotë shërbëtorit të hanit që t’ia mëshojë atij një shpullë pas qafe. Shërbëtori nuk pranon, meqë i dinte pasojat. Por, i shkreti lëshon pe për shpërblimin prej lirave të arit. Bajraktari ngrihet dhe merr turr, bëhet gati të sulmojë me shpatë. Shërbëtori kërkon falje, se gjoja gabimisht e bëri këtë veprim. Malësori e fal edhe me insistimin e burrave tjerë aty.

Por, vjen java tjetër. Prapë ditë pazari në Shkodër, e prapë në të njëjtin han janë zotëriu anglez dhe bajraktari shqiptar. Edhe këtë herë anglezi kërkon nga shërbëtori ta japë një goditje pas qafe. Ndonëse e dinte se këtë herë nuk do të mbetet i gjallë, varfëria e detyron të gjorin të pranojë kundër një shpërblimi më të madh se herën e parë. Këtë herë malësori, që e dinte se shuplaka pas qafe nuk ka gjasa të jetë bërë me ndonjë gabim, e paralajmëron se do të vritet. Ndaj, i thotë që ta lë amanetin e fundit. Amaneti i shërbëtorit ishte ky: “Sa ta kesh anglezin në atë qosh, kurrë shuplaka pas qafe nuk ka me tu nda”!

Në atë kohë, Shkodra ishte në kaos. Fuqitë perëndimore, në raport me ato malazeze, natyrisht se konsideroheshin shpëtimtare. Malazezët u larguan pikërisht nga presioni i këtyre forcave dhe me ndihmën e këtyre forcave valoi flamuri shqiptar. Por, fatkeqësisht, qyteti ishte në anarki, sepse luftonin grupet rivale shqiptare, pro dhe kundër Esat Pashë Toptanit.

Njëqind vite më vonë, Kosova është në rrethana të njëjta. Kosova është çliruar nga fuqitë e mëdha, ndërsa shqiptarët luftën e bëjnë me mjete tjera, po me qëllimin e njëjtë që të kenë kontroll e pushtet.

Kur presidenti amerikan Bill Clinton, vizitoi më 1999 Kosovën e pasluftës, ai e tha fjalën e tij të famshme: “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen”! Kosova nuk diti ta fitojë këtë paqe, prandaj përkundër një mbështetjeje enorme ndërkombëtare, sot është në situatë të pashpresë. Kosova nuk e fitoi as luftën e as paqen, për çka ata që e bënë këtë shtet – perëndimorët – e thonë fjalën e fundit. Pafuqia për të ndryshuar diçka vazhdon, përderisa që 16 vite nuk kishte vullnet – as nga qytetarët e as nga klasa politike – për ta ndryshuar Kosovën për të mirë.

Në anën tjetër, si në asnjë vend tjetër në botë, këtu përmenden miqtë ndërkombëtarë, sepse kjo është dëshmi e pafuqisë së këtij vendi për t’u bërë zot i vetes. “Miqtë ndërkombëtarë” përdoret si sintagmë për t’i hedh hi syve të popullit. Sepse, populli nuk po di asgjë, prandaj si frazë kryesore të këtij kaosi në perceptimin e së vërtetës, citon atë të famëkeqit Rrahman Morina (funksionar komunist i Kosovës, bashkëpunëtor i Serbisë kundër të drejtave të shqiptarëve të Kosovës): “Këtu ka hi ni dreq i madh”!

Miqve ndërkombëtarë shqiptarët duhet t’u jenë përjetësisht mirënjohës, por klasa politike dhe qytetarët këtu duhet ta meritojnë këtë miqësi. Sepse, në këto rrethana, të krizës politike që po thellohet e mund ta çojë Kosovën drejtë një trazire shumë të madhe, miqtë ndërkombëtarë lehtë mund të distancohen, siç ishte edhe rasti i dështimit të Kosovës dhe i kësaj klase politike me anëtarësimin në UNESCO.

Anglezi është prapë në qosh. Momentalisht shuplakën në qafë po e ha vetëm qytetari. Ambasadorët e Britanisë dhe të SHBA-ve janë aktivë me postime në rrjetet sociale. Ata janë miq ndërkombëtarë. Por, në Kosovën që është shndërruar në han, gjithçka mund të ndryshojë lehtë – për të mirë e për të keq! E, vendimi për këtë varet nga klasa politike, nga pozita e opozita, që duhet të reflektojnë e njëherë e përgjithmonë ta flasin të vërtetën e të punojmë për së mbari.

Deri atëherë, do të vlejë thënia e shërbëtorit të harruar se “sa ta kesh anglezin në atë qosh, kurrë shuplaka pas qafe nuk ka me tu nda”! Sepse, në këtë kaos ka gjithmonë shërbëtorë që këtë do ta bëjnë. Por, se kush do ta hajë nesër atë, këtë nuk e dinë as ata që thirren tek miqtë ndërkombëtarë.