Ku e ka burimin gjuha (aktuale) e urrejtjes në shoqëritë shqiptare

Fadil Maloku

  1. Gjuha e urrejtjes, në jetën publike në fakt është mekanizmi më adekuat kundër komunikimit dhe tolerancës ndërqytetare të një vendi (pretendent) demokratik! Por, përse dhe si lindi kjo gjuhë e ashpërsuar në përditshmërinë sociale dhe politike të shqiptarëve andej e këndej kufirit?
  2. Shkaqet duhet kërkuar si në histori, ashtu edhe në psikologji sociale e sociologji të njohjes; Pse në histori? Shkaku, se ne shqiptaret e Kosovës në shekullin e fundit praktikisht ishim popull i një shteti te huaj…Pse në psikologji sociale? Sepse në rrugëtimin e mbijetimit u ushqye në mënyrë sistematike pamundësia e të qenit i lirë edhe si individ e edhe si entitet etnik, social, politike, e kulturor. Po pse sociologjik? Fenomeni i urrejtjes si mekanizëm mjaft efikas i kontrollit social dhe praktikës manipulative me masën e gjerë, shumë lehtë mund të bëhet një mjet i fuqishëm shkatërrues për të homogjenizuar qytetarë e frustruar dhe të margjinalizuar.
  3. Gjuha e urrejtjes e stimuluar nga elitat e ndryshme politike, gjithnjë ka prodhuar si shprazje të energjisë negative, ashtu edhe ridimensionime në hierarkinë e lëvizjeve dhe grupeve të ndryshme sociale.
  4. Gjuha publike e urrejtjes, në një shoqëri të pa konsoliduar sa duhet, siç është rasti me Kosovën, shumë lehtë mund t’i nënshtrohet dy rreziqeve ekstreme; të shkatërrojë të gjitha të arriturat e pasluftës, por njëkohësisht edhe të ridimensionojë (nëse arrin të artikulohet me dozë të duhur në publik!) dhe padyshim plotësojë ato të (pa)arritura të mëhershme.
  5. Në shoqëritë tradicionale, mekanizmi i kontrollit social kryesisht ushtrohej përmes religjionit dhe normave morale, që ishin normale për shoqëritë që sistemi i kishte tjetërsuar deri në margjinat e skajshme sociale, politike, kombëtare, kulturore, etj.
  6. Në shoqëritë industriale, strategjia e kontrollit social ushtrohet kryesisht përmes nevojës së rehabilitimit të sistemit kapitalist dhe kultivimit të harmonisë sociale; zgjerimit të mekanizmave të sigurisë ekonomike, sociale, politike, kombëtare e kulturore/shëndetësore, arsimore, etj./ të qytetarëve të vetë.
  7. Në shoqëritë e tranzicionit, mekanizmi i kontrollit social është përmbytur me faktin se e drejta e kontrollit i është besuar shtetit (që s’u menaxhua nga patriotizmi, por, nga interesi dhe zhvatja për vetën, grupin dhe partinë!) i cili në rastin e Kosovës po bëhet gjithnjë e më zhgënjyes, edhe për faktin se praktikat e kontrollit social (liria e mendimit dhe e qarkullimit është ngulfatur me mashtrimet të njëpasnjëshme nga ana e politikanëve që votat e qytetarëve për një emancipim ekonomik i kanë konvertuar në “shitje të pasurisë së përbashkët”, toka, pasuria nëntokësore, super te drejtat për 5% serb lokal, në pasurimin e vetës së tyre dhe grupeve, e klaneve të dyshimta, etj.