Krejt pe dhezin

Nga: Pranvera Gashi

Inspektorët nuk po i shohim në terren, prandaj ora 22:00 po shënon vendosjen e taketukeve  në tavolinat e kafiterive, me këtë nënkupton që duhani mund të pihet lirshëm.

Ka dy vite që në letër u hodh ligji kundër pirjes së duhanit  në Kosovë por nuk po gjen zbatim në tërësi. Shumë vende po skenohen gjoja lejohet duhani ani pse ato po janë krejt të mbyllura, apo shumë të tjera që ligjin s‘po e njohin fare.

Ndërhyrje tek shkelësit e ligjit nuk po ka pasi krahas qytetarëve janë edhe vetë personat zyrtar që e shkelin atë. Disa persona zyrtarë  kanë mbi vete lokale publike dhe me këtë po i japin vetës një të ashtuquajtur ’’forcë“ për ta thyer ligjin duke mos i bërë përshtypje as gjobat të cilat raste trillohen për të “njohurit”.

Ky mos zbatim i ligjit është duke sjell dëmet e veta  më së shumti tek qytetarët, edhe tek ata që nuk janë pirës të duhanit ,kemi dy kategori duhanpirësish: ata që e thithin duhanin, duhanxhinjtë aktiv dhe ata që nuk e pinë duhanin, duhanxhinjtë pasiv. Tani kanë filluar ditët e pranverës ,por gjatë dimrit ato pjesë të mbyllura mbusheshin vetëm me dioksid karboni. Thënë më troç, ky mos respektim ligji jo vetëm që është i pahijshëm për pjesën e syrit por kjo po shkakton edhe dëme shëndetësore.

Kur dëgjojmë arsyetimet që në një pjesë të lokalit lejohet  konsumimi i duhanit brenda katër mureve, a thua si arsyetohet tymi që kalon në 70%-shin e pjesës tjetër  të lokalit?  Nuk mund ta quash arsyetim këtë gjë, këtu mungon përgjegjësia që kanë inspektorët të cilët nuk lëvizin nga karrigia që të bëjnë disa gjiro në lokale dhe të shohin çfarë po ndodh. Pastaj, mos gjobitja as për pronarët e aq më pak për qytetarët është një eufori e cila e ka kapluar shoqërinë.
Fjalët si “ dheze se spo ka ma dënime” po e shtyjnë shoqërinë që taketuket të mbushen më shumë se që duhet nga cigaret dhe maskarallëqet më të mëdha bëhen pikërisht tek ato improvizime. Disa lokale s’po lodhen për këto të fundit fare , nuk po e ndajnë me pjesë apo me orë lejimin e duhanit sepse si tërësisht si pjesërisht thyerja mbetet thyerje.

Në Prishtinë kafiteritë po joshin qytetarët dhe po rrisin fitimet e tyre duke bërë edhe shitjen e cigareve brenda lokalit, jo vetëm natën por edhe ditën. Kjo praktikë ka filluar të bëhet shumë e pëlqyeshme sidomos pas miratimit të ligjit kundër pirjes së duhanit.

Në mënyrë që të ulet numri i shkelësve të këtij ligji, institucionet përkatëse duhet të zbatojnë praktika që do të preknin interesin financiar të qytetarëve.

Ngritja e akcizës së duhanit është arma që do të ndikonte në uljen e duhanpirësve, rrjedhimisht edhe në uljen e shkeljes së ligjit kundër pirjes së duhanit.

Krahas kësaj praktike duhet të shtohet niveli i monitorimit të zbatimit të ligjit. Shqiptimi i gjobave nga inspektorët tek sipërmarrësit e bizneseve hotelerike dhe klientëve të tyre do të ndikonte në edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për përgjegjësitë e tyre ligjore.

Autorja është studente e vitit të tretë në Fakultetin e Filologjisë, dega e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.