Kopjimi në hap me teknologjinë

Shkruan: Fatlum Jashari

“Një doktor në sallën e operimit, teksa po operonte një pacient që luftonte për jetë, gjendej në një situatë të sikletshme pasi nuk dinte çfarë të bënte për shkak se pikërisht për problemin të cilin e kishte pacienti, doktori vite më parë kishte kopjuar në provim”, kjo është një prej shakave të cilën e ndajmë me miq kur bisedojmë për kopjimin dhe plagjiaturën. Jo pse duam të sulmojmë doktorët në veçanti, është thjeshtë një shembull, sepse në fund të fundit të gjithë duhet ta kryejnë punën e tyre siç duhet, që nga pastruesit e deri tek ata me pozitat më të larta dhe profesionet më me ndikim në shoqëri.

Kopjimi dhe plagjiatura janë të pranishme edhe në shoqërinë tonë, si në shumicën e vendeve të botës. Personalisht gjatë studimeve kam parë forma prej më të ndryshmeve të kopjimit nga studentët, nga ato më të zakonshmet me shkrime në duar, këmbë, banka e mure, letra në xhepa, e deri tek ato me telefon e mënyra të tjera më të avancuara. Muret dhe bankat e sallave ku pothuajse çdo ditë i kam mbajtur ligjëratat për tri vite, ende janë të mbushura përplot me shënime të përgatitura për provime. Se ky është një turp i llojit të vetë s’ka dyshim, por nuk është se të gjithë e shohin si trup kopjimin, ka të studentë të tillë që kur janë zënë duke kopjuar ose kur kanë kopjuar e nuk janë zënë, më pas kanë thënë “e imja është të kopjoj, detyrë e profesorit të më zë duke kopjuar”.

Në shoqëri të ndryshme kopjimi perceptohet në mënyra të ndryshme. Në nëntor të vitit 2014 BBC kishte raportuar për një rast interesant ku disa studentë Indianë e kishin cilësuar si drejtë të tyre demokratike kopjimin. Pratap Singh, student në universitetin në qytetin verior të Indisë Uttar Pradesh, për kopjimin kishte thënë  “Ajo është e drejtë e jona demokratike! Kopjimi është e drejtë e jona nga lindja”, ai e quante të “drejtë demokratike” kopjimin pasi që e sheh atë si mjet barazimi me studentët e pasur të cilët marrin nota duke kopjuar lirshëm pa u penguar ose përmes pushtetit që kanë. Ndërkohë në shumë vende të botës studentët pas regjistrimit në universitet nënshkruajnë një kod etik, të cilit duhet t’i përmbahen, në të kundërtën ndëshkohen për shkeljet që i bëjnë. Në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Gjuhës Angleze praktikon një metodë të ngjashme me një deklaratë të bazuar në parimet e “Deklaratës për Ndershmëri Akademike”. Jo se kjo deklaratë e ndal plotësisht kopjimin ose plagjiaturën, por të paktën shërben si një përkujtues për parimet që duhet t’u përmbahen studentët dhe dënimet në rast të shkeljes së tyre.

Megjithatë rrënjët e kopjimit nuk janë në universitete. Ky problem shfaqet më së shumti në shkollat e mesme. Në vitin 2010 “Josephson Institute of Ethics” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka realizuar një hulumtim me 43 000 nxënës të shkollave të mesme publike dhe private, dhe kishte gjetur se 59% e nxënësve të anketuar kanë kopjuar në test, 34% kanë deklaruar se kanë kopjuar më shumë se dy herë. Një në tre nxënës ka pranuar se ka përdorur internetin për plagjiaturë. Ndërkohë në një hulumtim tjetër të bërë nga Donald McCabe, ish-profesor i Universitetit Rutgers në New Jersey të SHBA-ve, ku janë anketuar 24 000 nxënës nga 70 shkolla të mesme, 64% e nxënësve kanë pranuar se kanë kopjuar në test, 58% kanë pranuar se kanë bërë plagjiaturë dhe 95% kanë thënë se kanë marrë pjesë në disa forma të kopjimit, qoftë në test, plagjiaturë ose kopjim të detyrave të shtëpisë. Michael Josephson, kryetar i “Josephson Institute of Ethics”, beson se studentët në ditët e sotme janë më shumë të prirë për të kopjuar sesa në të kaluarën, dhe se profesorët, prindërit dhe autoritetet tjera e kanë më të vështirë për ta ndalur këtë trend në rritje.

Edhe në Kosovë, edhe pse nuk ka statistika dhe hulumtime që do të tregonin më saktë me shifra për kopjimin, problemet janë të dukshme, sidomos në Testin Kombëtar të Maturës. Raportimet e BIRN-it dhe medieve tjera për Testin Kombëtar të mbajtur më 6 dhe 20 qershor, tregojnë për forma të kopjimit (shumë prej tyre të dokumentuara me foto edhe video) masiv në mënyrë të organizuar në rrjetet sociale, kopjimit të organizuar brenda klasave dhe forma të tjera, madje edhe bashkëpunimi me profesorë.

Por, Kosova nuk është e vetmja që përballet me probleme të tilla. Probleme të ngjashme me Kosovën ka edhe Kina. Por kinezët kanë menduar zgjidhjen e problemit me forma të reja të monitorimit. Në vitet e kaluara kinezët gjatë Testit Kombëtar për Pranim në Kolegj (i njohur ndryshe si testi “gaoko”), autoritet kineze kishin konfiskuar pajisje të cilat i kanë përdorur studentët për të kopjuar. Ndërkohë për testin e sivjetmë autoritetet kineze në qytetin Luoyang kanë testuar një sistem të ri të monitorimit përmes dronëve të veçantë të cilët kanë aftësi të detektojnë valët e pajisjeve elektronike dhe burimin e tyre, ky sistem alarmon stafin mbikëqyrës për lokacionin e burimit, rrjedhimisht edhe personit që përdor pajisjen. Si mjet tjetër parandalimi në Kinë përdoret edhe dënimi i rëndë, ku në rast se studentët zihen duke kopjuar ata humbin të drejtën për t’iu nënshtruar këtij testi për tri vitet e ardhshme.

Trendi në rritje i kopjimit është shqetësues, jo vetëm Kosovën, por edhe për vendet më të zhvilluara në botë. Zhvillimi i teknologjisë në njëfarë forme ua ka lehtësuar punën studentëve të prirë për të kopjuar, andaj për autoritetet rregullvënëse, krahas zhvillimit të teknologjisë që u “mundëson” studentëve forma të reja kopjimi, është i nevojshëm zhvillimi dhe përdorimi i metodave të reja për parandalimin e kopjimit, duke mos harruar dënimet e ashpra. Gjithashtu ndryshimet në sistemin arsimor dhe dënimet e ashpra janë tjetër formë parandaluese efektive.