Kaos i ndërtimeve pa leje në Gjilan

Autori: Riad Rashiti

Qytetin e Gjilanit po e mbulon krimi në sektorin e ndërtimeve të egra, ndërsa qeverisja e Lutfi Hazirit po heshtë para kësaj dukurie shkatërruese për rendin dhe planet e ndërtimeve urbanistike, të cilat janë rregulluar me paratë e qytetarëve të komunës. Këtu kemi të bëjmë me dorëzimin e kryetarit të komunës para këtij krimi ekonomik, ose edhe vet Luta është pjesë e këtyre bizneseve ilegale dhe është në shërbim të tyre, të cilat po ndërtojnë objekte banimi dhe afarizmi, pa kurrfarë kontrolli dhe pa mbikëqyrje të cilësisë së ndërtimeve.

Ka pesë muaj që në komunën e Gjilanit nuk ka asnjë inspektor të vetëm të ndërtimeve, krejt kjo është bërë me qëllime të caktuara nga ana e Lutfi Hazirit, sepse nga dy inspektorë të ndërtimeve sa kanë qenë, ai i ka larguar nga aty dhe i ka sistemuar nëpër sektorë të tjerë. Dhe për këtë kohë, nuk ka qenë në gjendje që të vendos asnjë inspektor tjetër në këtë sektor, sidomos kur jemi në kohën e vlugut të ndërtimeve dhe derisa po humbin qindra mijëra euro të buxhetit komunal.

Pra ky kaos po shkakton dëme të mëdha dhe po paraqet rreziqe në shumë drejtime për qytetarët e Gjilanit. Si rezultat i mos funksionimit të inspeksionit komunal dhe humbjes së gjysmë milioni euro të buxhetit komunal, sot kemi mos investime të shumta në projektet e mirëmbajtjes së infrastrukturës së komunës, por edhe mungesë të investimeve në projekte të reja.

Luta bizneseve të dyshimta që vijnë nga komunat tjera, po i mundëson që të fitojë miliona euro nga ndërtimet në Gjilan, pa leje ndërtimore dhe pa paguar taksa në buxhetin komunal, ndërsa qytetarëve të tij ai nuk po mundet tija heq as lloçin nga dera e shtëpive dhe as tija sigurojë ndriçimin publik.
Poashtu edhe blerësve të këtyre banesave dhe lokaleve nuk u ofrohen kushte dhe siguri të mjaftueshme për banim dhe shfrytëzim të këtyre hapësirave, përderisa nuk ka kurrfarë mbikëqyrje dhe kontrolli në cilësinë e këtyre ndërtimeve. Që do të thotë, se në raste të caktuara qytetarët e Gjilanit janë të rrezikuar seriozisht nga këto objekte kolektive të paverifikuara.

Të gjithë po i shohin ndërtimet e shfrenuara që po ndodhin në hapësirat e fabrikës së bukës në qytetin e Gjilanit, në kundërshtim me planet rregulluese urbanistike, duke e shndërruar këtë fabrikë, në një vend banimi pa kushtet elementare të banorëve që do të banojnë aty, e në anën tjetër ka shuar qindra vende të punës, të cilët me dekada të tëra kanë punuar në këtë fabrikë.

Por edhe fabrikat tjera të qytetit të Gjilanit, po zhduken plotësisht nga bizneset e kriminalizuara ndërtimore dhe të mbështetura nga kryetari i komunës Lutfi Haziri, i cili aktualisht nuk ka frikë aspak nga shteti ligjor, e as nga zoti, për dëmet që është duke ia bërë qytetit dhe qytetarëve të Gjilanit.
Heshtja edhe e hetuesve të Prokurorisë Themelore në Gjilan, dëshmon për një rrjetë të gjerë, që po i realizojnë të gjithë interesat e tyre pa kurrfarë frike dhe pengese, e krejt në kurriz të qytetarëve të komunës së Gjilanit.

Autori është anëtar i Kuvendit Komuna nga rradhët e PDK-së në Gjilan.