“Jam me studentët, por kundër avansimeve të paligjshme të mësimdhënësve”

“Jam me studentët, por kundër avansimeve të paligjshme të mësimdhënësve”

I nderuar z. Rektor, Profesor, Ramadan, përshëndetje,

Po ju shkruaj për dy qështje me rëndësi e të cilat janë aktuale ne Universitetin e Prishtinës, afatet e provimeve dhe stafin akademik.

Dy ditët e fundit kemi parë e lexuar shumë reagime të opinionistëve, gazetarëve, intelektualëve, mësimdhënësve, profesionistëve të fushave të ndryshme, por reagimet nuk kanë munguar as nga shtresat tjera të shoqërisë. Shumica prej tyre, duke filluar nga ata që kanë studiuar në universitete të njohura jashtë vendit, në universitete private, apo edhe ata të cilët dikur ishin studentë të Universitetit të Prishtinës, dolën kundër kërkesës së studentëve për numrin e afateve të provimeve brenda një viti akademik.

Unë kësaj radhe jam me studentët, për më shumë afate të provimeve për studentët aktualë, por kundër protestave të tyre të politizuara. Pse…???

1. Numri i afateve të provimeve në Universitetin e Prishtinës duhet të ndryshoj nga fillimi i vitit akademik 2015/2016 dhe kjo të vlejë vetëm për studentët e rinjë, por jo edhe për studentët që aktualisht janë duke studiuar. Kjo duhet t’iu bëhet me dije, me kohë, të gjithë atyre që mendojnë të studiojnë në UP. Kjo duhet të shkruhet si vërejtje edhe në shpalljen e konkursit për pranim të studentëve.

2. Aktualisht janë mijëra e ndoshta dhjetra mijëra apsolventë të drejtimeve të ndryshme dhe nëse u’a largojmë afatet mujore, shumica prej tyre do ta kenë të pamundur ti përfundojnë studimet me vetëm dy e tre afate. Kam frikë se shumica prej tyre në të ardhmen do të mbesin raste sociale, të padiplomuar dhe kjo mund të qoj në situata edhe më të rënda, në veprime të papritshme që mund të na kushtoj të gjithëve si shoqëri. Uroj të jem gabim.

3. Këto vitet e pasluftës, pjesë e stafit akademik janë bërë shumë militantë të grupeve të ndryshime të interesit, duke filluar nga ato familjare, deri te ato biznesore, mafioze, politike e parapolitike. Shumica prej tyre nuk i respektojnë kriteret e vlerësimit të studentëve të parapara me statutin e UP-së, sepse nuk kanë as njohuritë më elementare për organizimin e mësimit praktik e teorik për lëndën të cilën e ligjërojnë. Në këto rrethana, nuk duhet të lejojmë që viktima të jenë studentët.

4. Sa i përket angazhimit, zgjedhjes, rizgjedhjes dhe avansimit të stafit akademik, kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë pa plotësuar kriteret minimale të parapara me statut. Nuk duhet lejuar që edhe më tutje të kemi asistentë e mësimdhënës me tituj të ndryshëm shkencor e të cilët realisht nuk meritojnë të jenë as pjesë e stafit akademik të UP-së.

Xheladin Ujkani

Drejtor Ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”