Improvizimi i elitave të reja

Nga Donik Sallova

Dilemave parimore dhe morale mbi themelimin e Gjykatës Speciale tashmë ia kanë zënë vendin kalkulimet pragmatike e politike mbi rrjedhojat dhe pasojat që do t’i shkaktojë kjo gjykatë në rikonfigurimin e skenës politike nëse akuzohen emrat potencialë të cilët kanë qarkulluar në publik kohëve të fundit. Konkretisht bëhet fjalë për një pjesë të mirë të nomenklaturës udhëheqëse të PDK-së, duke filluar nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe ish-udhëheqës të tjerë të lartë të UÇK-së (bartës realë të pushtetit ekonomik e politik të pas luftës në Kosovë). Pavarësisht se për çfarë do të mund të akuzohen konkretisht dhe pavarësisht se sa të bazuara do të jenë aktakuzat kundër ish-eprorëve të UÇK-së, arrestimi dhe paraburgimi i tyre (potencialisht edhe dënimi), nga shumëkush në Prishtinë po interpretohet si e vetmja formë për ta spastruar skenën politike nga “komandantët e fortë e të korruptuar të pasluftës”.

Kështu, nga e keqja kataklizmike e themelimit të Gjykatës Speciale, disa po e shohin mundësinë e ndryshimeve thelbësore në skenën politike, duke nënkuptuar ardhjen në pushtet tënjë elite të re politike. Kjo elitë e re politike do u bëka bartësja e rikthimit të Kosovës në rrugën e vërtetë të shtetndërtimit dhe integrimit në Bashkimin Europian. Madje, kanë qarkulluar edhe fjalë se iniciativën për thelemimin e një partie të re, të tillë, e paskan marrë vetë faktori ndërkombëtar, ambasada amerikane (si gjithnjë e përfolur në skenarë të tillë!) dhe zyra e BE-së në Prishtinë! Por kush janë në të vërtetë këta që po pretendojnë të jenë elita e re politike e Kosovës dhe sa mund te jenë vërtetë elita e popullit? A janë vërtetë rrjedhojë e paknaqësisë popullore mbi keqqeverisjen dhe a mund të jenë zgjedhja e zgjidhja reale për gjendjen e krijuar? Dhe a është ky “momenti historik” që në Kosovë të bëhet “ndryshimi i madh” i elitave politike, pra edhe ndryshimi i sistemit qeverisës dhe vlerave politike?

Deri më tani bëhet fjalë për një grup individësh të shoqërisë civile dhe individëve të tjerë “të revoltuar me mungesën e demokracisë në partitë aktuale politike”, të cilët me gjasë mund të tubohen përreth emrit të Dukagjin Goranit – ish këshilltar dhe strategjist i Hashim Thaçit. Pra, pak a shumë prej tyre po synohet të thuhet se këta janë“ajka civile e intelektuale që ka Kosova sot dhe të vetmit që munden me ndryshu skenën aktuale politike e cila gjendet ndërmjet tri alternativave të vjetra: PDK-së së korruptuar; LDK-së impotente politikisht; si dhe VV-së me potenciale radikale”. Por a kanë ky grup kredenciale të besueshme publike dhe politike që të mund të ketë një pretendim të tillë dhe ç’është më e rëndësishmja, cila është alternativa e tyre për Kosovën?

E para, duhet thënë që për gjendjen në të cilën ndodhet sot Kosova, si në aspektin e mosfunksionalitetit sistemor politik, ashtu edhe në dështimin e zhvillimit ekonomik, po aq fajtore sa edhe partitë politike të pasluftës, është edhe e ashtuquajtura “Shoqëri Civile”. Funksioni parësor i shumicës dërrmuese të OJQ-ve, Instituteve, Fondacioneve, Forumeve e Klubeve të “shoqërisë civile të pasluftës” ka qenë prezentimi i planeve ndërkombëtare për Kosovën në gjuhën vendore, si dhe informimi në anglisht i ndërkombëtarëve me pengesat vendore në zbatimin e këtyre planeve për Kosovën – demokraci multietnike. Këta që sot mund të formojnë parti politike edhe sepse sipas tyre “pushtetet e pasluftës nuk paskan arritur të përmbyllin procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit”, duke u detyruar të bëjnë kompromise për Asociacione e Zajednica, janë po të njejtit që kanë qenë në krye të projekteve dhe programeve të ndërkombëtarëve për ndërtimin e “shoqërisë multietnike në Kosovë”. Sepse të gjithë ata që e kanë njohur Çështjen e Kosovës, e kanë ditur se Plani Ahtisariaan për “Kosovën shtet multietnik”, ishte në thelb synimi i Serbisë për të parandaluar realizimin e idesë për “Kosovën shtet të dytë shqiptar në Ballkan”. Tani që Serbia e arriti imponimin e multietnicitetit si parim të funksionalitetit të shtetit kosovar, ajo do të shkojë më tutje: fragmentarizimin deri në ndarje të Kosovës përmes Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Pra kjo gjendje në të cilën ndodhemi është edhe meritë e “shoqërisë civile” e cila krahas partive të korruptuara politike ishte legjitimuese e planeve ndërkombëtare për denacionalizimin e Kosovës.

E dyta, një pjesë e këtyre “elitarëve të rinjë”, duke përfshirë edhe vet Dukagjin Goranin (emrin e tij po e marrim më shumë si simbol të këtij grupi dhe jo domosdoshmërisht si themelues të tij), kanë qenë për një kohë të gjatë pjesë e partive dhe qeverisjeve të pasluftës, veçanërisht në rolin e këshilltarëve dhe specialistëve politik. Edhe pse sot mund të arsyetohen se këshillat e tyre nuk janë dëgjuar nga eprorët pushtetarë, ndarja dhe largimi prej tyre nuk ka ndodhur për çështjet fundamentale të cilat kanë pamundësuar funksionalizimin e Kosovës. Ata mund të jenë larguar nga partitë aktuale për 1001 arsye, por nuk janë larguar sepse nuk besuan në “parimet ahtisaariane” të shtetit të Kosovës. Mbi këtë bazë iniciativa e tyre nuk mund të proklamojë ndryshime rrënjësore, sepse kjo do të nënkuptonte pikërisht fillimin e një procesi politik e popullor për ndryshimin paqësor e demokratik të sistemik politik diskriminues qëështë ndërtuar nga Propozimi i Ahtisaarit në Kosovë.

Në fund, në rastin më të mirë, kjo iniciativë e re politike nëse do të përbëhet nga emrat që kanë qarkulluar deri më tani, shto edhe ndonjë Mimoza Kusari a ndonjë ish-FER-ist të penduar të VV-së, mund të jetë një makinacion i zakonshëm paraelektoral i Hashim Thaçit për të margjinalizuar rrjedhjen e votave të të paknaqurve drejt kampit opozitar, veçanërisht drejt VV-së. Duke mos e ndjerë më rrezikun nga LDK-ja, Thaçi dëshiron të pamundësojë forcimin e opozitës, prandaj një “parti e re politike, europiane dhe anglisht-folëse”, është taktika e re iluzioniste e Thaçit. Në rastin më të keq, kjo “elitë e re politike” po formohet për ta përshpejtuar procesin e shtetndërtimit të Kosovës mbi bazat e “demokracise ahtisaariane multietnike”, por me premtimin pa u korruptuar në qeverisje. Dhe vërtetë mund të jenë më efikas, duke pasur parasysh se janë njohës dhe përkthyes të mirë të projekteve për Kosovën multietnike. Por, siç e besoj unë, para popullit nuk mund të ndryshohet ngjyra si Kameleon, as duke u shitur si analistë politik një vit para themelimit të partisë-instrument, e as duke pretenduar me nxjerrë popullin nga bunkeri me kulumne 300 fjalëshe!

(Autori është ligjërues i rregullt në Universitetin AAB Fakulteti i Administratës Publike-Shkenca Politike)